Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa në audiencë: nuk duhet të kini marrëdhënie të rreme me Zotin

“Ashtu si shenjtorët, me Zotin duhet të kemi marrëdhënie të vërteta. Kështu kumti i Kishës bëhet më i besueshëm”. Është pohimi i Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, kushtuar Urdhërimit: “Mos e merr emrin e Tënzot nëpër gojë kot!”. Françesku, më pas, u kërkoi besimtarëve të luten për shtegtimin e tij Apostolik në Irlandë, të shtunën e të dielën e ardhshme.

Ekziston rreziku të jetosh “një lidhje të rreme me Zotin”. Ndërsa me Atë të Lumin duhet të hysh në marrëdhënie pa hipokrizi, duke rrezikuar edhe vetë jetën për Të. Kështu kumti i Kishës bëhet gjithnjë më i besueshëm. Këtë vuri në dukje Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI. Duke vijuar katekizmin kushtuar Dhjetë Urdhërimeve, Françesku u ndalua posaçërisht tek Urdhërimi: “Mos e merr emrin e Tënzot nëpër gojë kot!”. Ftesë, kjo, për të mos e fyer emrin e Zotit e për të mos e shqiptuar pa nevojë. Në hebraisht e në greqisht kjo shprehje ka kuptimin: “mos e merr mbi vete, mos ia ngarko vetes”, ndërsa fjala “kot”, ka kuptimin e një këllefi të zbrazët, karakteristikë e hipokrizisë, e formalizmit, e mashtrimit. Për t’u vërejtur, pastaj,  se në Bibël emri përfaqëson vetë misionin e njeriut, siç e shikojmë në rastin e  Abrahamit e të Simon Pjetrit, të cilët marrin një emër të ri, për të treguar ndryshimin, që ndodhi në jetët e tyre.

Mos jeto marrëdhënie të rreme me Zotin

Të marrësh mbi vete emrin e Zotit, do të thotë të marrësh mbi vete realitetin e Tij, të hysh në një marrëdhënie të fortë me Të. Ta kujton këtë pikërisht çasti kur bën shenjën e Kryqit, që Papa ua kërkoi përsëri, si detyrë, prindërve, t’ua mësojnë fëmijëve, të cilët shpesh nuk dinë ta bëjnë. Françesku tërhoqi, kështu, vëmendjen për të mos jetuar marrëdhënie të rreme me Zotin, siç bënin Doktorët e Ligjit, që flisnin për Zotin, por nuk  nuk e bënin vullnetin e Tij.

E kjo Fjalë e Dekalogut është pikërisht ftesë për marrëdhënie pa hipokrizi me Zotin, për lidhje në të cilat ia besojmë Atij gjithë vetveten, gjithçka jemi! E në fund të fundit, deri në ditën kur nuk e rrezikojmë veten për  Zotin, duke prekur me dorë se në Të gjindet jeta, bëjmë veç teori.

E vërteta të bën të besueshëm

Është pikërisht vërtetësia, që i bën shenjtorët të aftë për t’i prekur zemrat, sepse  pikërisht marrëdhëniet e vërteta i dëshirojmë më shumë. Kjo vlen edhe për “shenjtorët e portës përbri”,  si dhe për prindërit, që u japin fëmijëve shembullin e një jete  të drejtë e të ndershme. Prej këndej, begatia e fryteve:

“Në se shtohen  të krishterët, që e marrin mbi vete emrin e Tënzot pa falsitet  - duke e vënë në jetë kërkesën e parë të Atynës ‘u shenjtëroftë emri yt!’- kumtimi i Kishës dëgjohet më shumë, bëhet më i besueshëm!”.

Ta shprehim emrin e Zotit në jetën tonë

Por është e vërtetë edhe që “Krishti e mbart emrin e secilit prej nesh mbi shpatulla”, e prej këndej, askush nuk mund të mendojë keq për jetën e vet. Ia vlen ta marrim mbi vetet emrin e Zotit, sepse ai e mori mbi vete emrin tonë deri në fund të fundit, madje mori edhe të keqen, që është në ne, për të vënë në zemrën tonë, dashurinë e Tij – kujtoi Papa.

Nëse jeta jonë konkrete e shpreh emrin e Zotit, shihet sa i bukur është Pagëzimi e ç’dhuratë e madhe është Eukaristia! Çfarë bashkimi tejet i lartë është ai ndërmjet nesh e Korpit të Krishtit: Krishti në në ne, e ne në Të! Të bashkuar! E kjo nuk është hipokrizi. Është vërtetësi. Kjo nuk do të thotë të lutesh a të flasësh si papagal. Kjo do të thotë të lutesh me zemër, ta duash Zotin me gjithë zemër.

“Zoti - përfundoi Papa - nuk do t’i thotë kurrë “jo” një zemre, që i lutet sinqerisht”.

Shtegtimi në Irlandë, çast hiri për familjet e krishtera

Gjatë përshëndetjeve, Papa kujtoi edhe festën e sotme të së Lumes Virgjër Mari, Mbretëreshë dhe u kërkoi përsëri gjithë besimtarëve të luten për të,  që shtegtimi i ardhshëm në Dublin, më 25 e 26 gusht, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve, “të jetë një çast hiri e dëgjimi të zërit të familjeve të krishtera në mbarë botën”.

22 gusht 2018, 15:43