Versioni Beta

Cerca

Vatican News
  Të Ngjiturit e Marisë në Qiell Të Ngjiturit e Marisë në Qiell 

Papa: Maria na kujton se jemi të thirrur t’i shërbejmë Zotit

Papa Françesku, pas Engjëllit të Tënzot, kujtoi tragjedinë e Gjenovës. Kërkoi edhe t’i lutemi Marisë të na ndihmojë, me ndërmjetësimin e saj amtar, ta jetojmë udhën tonë të përditshme me shpresë vepruese. Për të arritur, një ditë, me të gjithë Shenjtorët e edhe të dashurit tanë, në Parriz.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të solemnitetit të sotëm të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku kujtoi se jeta e Marisë, në dukje, i ngjet asaj të shumë grave të kohës së saj. Me një ndryshim shumë të madh. Maria - vijoi Papa - e kreu çdo veprim në bashkim të plotë me Jezusin, bashkim që arriti kulmin mbi Kalvar. Prej këndej, Zoti i dhuroi mundësinë të merrte pjesë plotësisht edhe në ngjalljen e Jezusit. Korpi i Nënës - shtoi - u ruajt nga kalbja, ashtu si korpi i Birit.

Ringjallja e korpit

“Kisha - pohoi Papa - sot ftohet ta kundrojë këtë mister të madh: ajo na tregon se Zoti dëshiron ta shpëtojë njeriun në tërësi, me shpirt e me korp. “Ringjallja e korpit është element i zbulesës së krishterë e themel i fesë sonë. Realiteti mahnitës i të Ngjiturit të Marisë në Qiell - vërejti Françesku - tregon e vërteton unitetin e njeriut e na kujton se jemi të thirrur t’i shërbejmë Zotit e ta lumnojmë me gjithë qenien tonë, me shpirt e me korp.

“Një nga etërit e mëdhenj të Kishës, Shën Irineu, pohon se ‘Lavdia e Zotit është njeriu i gjallë, e se njeriu jeton nën shikimin e Zotit”” (Kundër herezive, IV,20,7). Nëse jetojmë kështu, fati ynë në ditën e ringjalljes, do të jetë i ngjashëm me atë të Nënës sonë hyjnore. Do të mundemi, atëhere, ta realizojmë plotësisht thirrjen e Shën Palit Apostull: “Lumnojeni Zotin në korpin tuaj!” (1 Kor 6,20) e “do ta lumnojmë përgjithmonë e jetës në qiell”.

15 gusht 2018, 13:29