Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa e të rinjtë koreanë. Katër vjet më parë, ftesa për të qenë familje e bashkuar

Më 13 gusht 2014 Papa Françesku niste shtegtimin drejt Koresë së Jugut për Ditën VI të Rinisë Aziatike. Në takimet e tij me të rinjtë, ftesa që të luten për bashkimin e Koreve e për t’ia dhuruar rininë Jezusit e botës.

R. SH. - Vatikan

Nësa afrohet Sinodi i ipeshkvijve, parashikuar për muajin tetor 2018, kushtuar të rinjve fesë dhe shqyrtimit të thirrjes, po rikujtojmë dy takimet kryesore të Papës Françesku me djemtë e vajzat e Koresë së Jugut, 4 vjet më parë. Më 13 gusht 2014, Papa arrinte në vendin e largët për Ditën VI të Rinisë Aziatike, me temë: “Lavdia e martirëve shndrit mbi ju”.

Koreja është një

Më 15 gusht 2014, duke i përqafuar të rinjtë në Shenjtëroren e Solmoes, në Daejeon, Françesku mbajti një fjalim të gjatë në gjuhën angleze, përmes të cilit i ftoi të rinjtë “ta dëshmojnë me jetë Ungjillin e shpresës dhe ta çlirojnë zemrën nga ferrat e egoizmit, të armiqësisë, të padrejtësisë”. Pastaj, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, iu përgjigj në italisht pyetjeve të disa të rinjve, duke i nxitur të luten për ribashkimin e dy Koreve. “O Zot - u lut Papa - jemi një familje e vetme, na ndihmo të bashkohemi! Ndihmona të mos ketë fitimtarë, as të mundur, por vetëm një familje”.

Të rinjtë, dhuratë e Jezusit në botë

Dy ditë më pas, duke e përfunduar Ditën e Rinisë Aziatike pranë Kështjellës Haemi, në homelinë e Meshës, Françesku i nxiti të rinjtë të marrin pjesë plotësisht në jetën e shoqërisë. “Lëreni Krishtin ta shndërrojë optimizmin tuaj të natyrshëm, në shpresë të krishterë; energjinë tuaj, në virtyte morale; vullnetin tuaj të mirë, në dashuri të vërtetë, që di të flijohet. Kështu, rinia juaj do të jetë dhuratë për Jezusin e edhe për botën”.

Së fundi, ftesa për të ndërtuar një Kishë më shenjte, më misionare, më të përvuajtur; “një Kishë që e do dhe e adhuron Zotin, duke u përpjekur t’u shërbejë të varfërve, të vetmuarve, të sëmurëve, të përbuzurve”.  

13 gusht 2018, 11:44