Kërko

Të rinjtë në pritje të Papës (udhëtimi apostolik në Kili e Peru, 17.01.2018) Të rinjtë në pritje të Papës (udhëtimi apostolik në Kili e Peru, 17.01.2018) 

Mijëra të rinj në Romë, për dy ditë me Papën

Të shtunën, 11 gusht e, të dielën, 12 gusht, në Cirkun Massimo e në Sheshin e Shën Pjetrit, dy ditë takimi të të rinjve italianë me Papën Françesku, në kuadrin e përgatitjeve për Sinodin e tetorit.

R.SH. - Vatikan

Do të mbërrijnë në Romë, përmes udhëve të lashta të shtegtarëve, dhjetra mijëra të rinj, ardhur nga 200 dioqeza të Italisë, që nesër e pasnesër, do të takohen me Papën Françesku, në Cirkun Massimo (të shtunën pasdite) e në Sheshin e Shën Pjetrit (të dielën paradite). Janë 40 mijë vetë e 70 mijë të tjerë ndodhen që tani në kryeqytetin italian.

Takimi i së shtunës në Cirkun Massimo

         Nesër, Papa Françesku do të jetë i pranishëm nga ora 18.30, por të rinjtë do ta presin aty që nga orët e para të pasdites, në mënyrën e tyre natyrisht. Do të jenë me ta edhe gjatë orëve të vona të darkës, kur Ati i Shenjtë do të jetë larguar, dëshmitarë të fesë të moshës së tyre, me të cilët do të luten, por edhe këngëtarë të njohur italianë si Alex Briti, Clementino, Mirkoeilcane, grupi rok “Perturbazione”, aktori komik Saverio Raimondo, së bashku me prezantuesen Andrea Delogu. Krah tyre banda muzikore “Rulli Frulli” me rreth 70 elementë. Jo më kot festa rinore në Cirkun Massimo është quajtur “Vado al Massimo”, lojë fjalësh me emrin e vendit e me kuptimin tjetër të tij, sipas të cilit do ta përkthenim “Eci në maksimum” – titull i një kënge të njohur të këngëtarit Vasco Rossi.

Papa u përgjigjet pyetjeve të të rinjve

         Në emër të të rinjve italianë do ta përshëndesë Papën, Elena 30-vjeçare, e cila do të përshkruajë një dhuratë-suprizë, që të rinjtë do t’i japin Atit të Shenjtë. Pastaj, dialogu i Papës Françesku me të rinjtë, në tri pyetje-përgjigje, që kanë të bëjnë me identitetin rinor, me ëndërrat dhe me impenjimin e të rinjve në botë, me fenë e me kërkimin e kuptimit të jetës. Një atlete e re, që ka humbur këmbët nga një sëmundje, e ndihmuar nga një tjetër, do të bëjë një balet të shkurtër, ulur: shfaqje, me të cilën janë paraqitur edhe në emisionin televiziv italian “Italia’s Got Talent”. Në fund, do të ndihmohet të çohet nga skena, duke u zbuluar të gjithëve se është pa këmbë, por duke dhënë edhe mesazhin e saj të shpresës. Pas përshëndetjes së Papës për të, do të fillojë lutja, së bashku me Atin e Shenjtë.

Të dielën, në Sheshin e Shën Pjetrit

         Të dielën, më 12 gusht, në orën 9.30, të rinjtë do të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për meshën e kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti. Papa do të mbërrijë në Shesh më vonë, gati në prag të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mesditë, e do t’u japë të rinjve mandatin misionar, duke bekuar dhuratat që italianët do të çojnë në Ditën Botërore të Rinisë, në Panama, në janar 2019: Kryqin e Shën Damianit dhe shtatoren e Zojës së Loretos. Takimi i fundit me Atin e Shenjtë, Engjëlli i Tënzot.

“Misericordie” do të sigurojnë shërbimin shëndetësor

         Në të dyja ditët, shërbimin e ndihmës së shpejtë do ta sigurojë lëvizja e “Misericordie”, që s’është tjetër, veçse lëvizje vullnetarësh të specializuar, që do të kujdesen për shëndetin e pjesëmarrësve në takim. Forcat në terren do të jenë të shumta: 14 skuadra vullnetarësh e 4 skuadra me motorra me katër rrota për të shkuar sa më shpejt tek ata, që mund të ndjehen keq; 12 ambulanca, 5 skuadra zjarrfikësish, 2 pika mjekësore të avancuara; gjithsej, 150 vullnetarë.

10 gusht 2018, 11:42