Cerca

Vatican News
Kalorësit e Kolombit në Baltimorë Kalorësit e Kolombit në Baltimorë 

Mesazhi i Papës për Takimin e Kalorësve të Kolombit kujton Nënë Terezën

Papa Françesku, në një mesazh për Kalorësit e Kolombit, lëvdon punën e anëtarëve të Urdhërit, të cilët “dëshmojnë të vërtetën e fjalëve të Nënë Terezës së Kalkutës: [Zoti] përulet e na përdor ne, ty e mua, për të qenë dashuria dhe dhembshuria e Tij në botë… Ai varet prej nesh për ta dashur botën e për t’i treguar sa shumë e do”.

R.SH. - Vatikan

Mirënjohje për impenjimin “në kumtimin e Ungjillit të familjes” – në prag të Takimit Botëror të Dublinit – dhe në mbështetjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme, që “persekutohen për shkak të fesë”: ky është mesazhi i Papës Françesku për Kalorësit e Kolombit, me rastin e takimit të tyre vjetor, që u zhvillua nga 7 deri më 9 gusht në Baltimorë të SHBA-ve. Dymijë trashëgimtarë shpirtërorë të themeluesit, atë Michael McGivney, për të cilin ka filluar procesi i lumnimit, u mblodhën për të 136-tën herë, duke zgjedhur këtë vit si moto “Kalorës të dashurisë e të bamirësisë”. Përfaqësojnë 2 milion kalorës në të gjithë botën.

 “Karta e identitetit” të krishterë janë lumnitë

         Në një mesazh në anglisht për eprorin, Carl A. Anderson, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku kujton historinë e lavdishme të urdhërit dhe “lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet fesë e dashurisë”, që i nxiti kalorësit e parë të punojnë vëllazërisht për formimin e krishterë dhe mbështetjen e anëtarëve të shoqërisë. Realitet aktual edhe sot, kur Ati i Shenjtë, përmes nxitjes së fundit apostolike “Gaudete et Exsultate”, nënvizon se “karta e identitetit” të krishterë përbëhet nga lumnitë, për të cilat flet Krishti në Ungjill. Fytyra e Jezusit, që përvijohet në Fjalimin e Tij mbi Mal, është ajo që duhet të duket qartas në veprimtarinë e përditshme, sidomos në impenjimin në favor të vëllezërve e motrave tona më të vogla, shkruhet në mesazh. “Shenjtorët e mëdhenj, që vazhdojnë të na frymëzojnë me imitimin e tyre të Krishtit –vijon teksti -  bashkonin përditë fenë me lutjen e bamirësinë praktike”.

Kalorësit të ndjekin fjalët e Nënë Terezës

         Prandaj, Papa “inkurajon përpjekjet e Kalorësve të Kolombit, në të gjitha nivelet, për të dëshmuar dashurinë e Zotit, përmes dashurisë konkrete e solidaritetit për të varfërit e nevojtarët”. Ati i Shenjtë lëvdon punën e anëtarëve të Councils – të degëve lokale të Urdhërit – të cilët “dëshmojnë të vërtetën e fjalëve të Nënë Terezës së Kalkutës: [Zoti] përulet e na përdor ne, ty e mua, për të qenë dashuria dhe dhembshuria e Tij në botë… Varet prej nesh, që Ai ta dojë botën e t’i tregojë sa shumë e do” (Gaudete et Exsultate, 107).  E Papa përmend nismat e Kalorësve të Kolombit në favor të të varfërve: “Faith in action” (Feja në veprim) dhe “Helping hands” (Duar që ndihmojnë).

Pranë të rinjve dhe familjeve

         Në veçanti, mesazhi u referohet familjeve. Ndërsa përgatitet të shkojë në Irlandë për Takimin Botëror të tyre, Papa i falenderon kalorësit e gjithë botës për “inkurajimin e burrave me vokacionin e bashkëshortëve dhe të etërve katolikë, si edhe për mbrojtjen e natyrës së vërtetë të martesës e të familjes në shoqëri”. Uron që ata të vazhdojnë të luajnë rolin e drejtimit e të përkrahjes së të rinjve, “të cilët, në një botë plot me drita lëbyrëse kundër Ungjillit, përpiqen të mbeten dishepuj besnikë të Krishtit e bij besnikë të Kishës”.

Kalorësit e Kolombit për të krishterët e Lindjes së Mesme

         Së fundi, Papa Françesku lëvdon bamirësinë e Kalorësve të Kolombit “për vëllezërit e motrat tona” - të krishterë të persekutuar në Lindjen e Mesme - e u kërkon të luten për paqen në rajon, për kthimin e zemrave, për dialogun e për zgjidhjen e drejtë të konflikteve.

10 gusht 2018, 09:35