Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa pret Kapitullin e Përgjithshëm të Oblatëve të Shën Jozefit Papa pret Kapitullin e Përgjithshëm të Oblatëve të Shën Jozefit  (Vatican Media)

Françesku Oblatëve të Shën Jozefit: besnikë ndaj Kishës, në kohët e relativizmit

Françesku priti sot paradite pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Oblatëve të Shën Jozefit. I lutem gjithnjë Shën Jozefit - u tregoi - e ai nuk më thotë kurrë jo. Kjo më jep guxim. Më pas, ftesa për shërbim të veçantë, posaçërisht pranë të rinjve.

R. SH. - Vatikan

“Shën Jozefi ka pushtet të madh. Prej dyzet vjetësh i drejtohem me një lutje,  që e gjeta në një meshar të vjetër francez e që thotë se Shën Jozefi ka pushtet t’i bëjë të mundshme, gjërat e pamundshme. Pushteti i Shën Jozefit. Forca e Shenjtit… Kurrë, kurrë nuk më tha jo! Duhet të marrim guxim nga kjo!”. Me këto fjalë, duke folur lirisht, e nisi Papa Françesku, sot paradite, fjalimin drejtuar Oblatëve të Shën Jozefit (Jozefinët e Astit), pjesëmarrës në Kapitullin e tyre të Përgjithshëm, që filloi në Romë më 3 gusht, për të përfunduar sot, duke i pritur në audiencë, në Vatikan. Pasi u rikujtoi karizmën e tyre të Shën Jozefit, nënvizoi: “Jeni të thirrur për të qenë dëshmitarë të një mesazhi të veçantë në botë, një lajmi ngushëllues. Zoti shërbehet nga të gjithë e, posaçërisht, nga  ata, që sipas mendësisë së botës, janë më të vegjlit e më  skamnorët, për ta mbjellë Mbretërinë e tij e për ta bërë të lulëzojë”.

Prandaj - u tha Papa jozefinëve - ju inkurajoj të jetoni e të punoni në Kishë e në botë me virtytet e thjeshta e themelore të fatit të Virgjërës Mari: me përvujtërinë, që tërheq mirësinë e Atit; lidhjen e ngushtë me Zotin, që e shenjtëron gjithë veprën e duarve të krishtera; heshtjen e fshehtësinë, njëherësh me zellin dhe veprimtarinë, sipas vullnetit të Zotit.

Papa e përfundoi takimin duke i porositur jozefinët të kujdesen posaçërisht për të rinjtë: “Përballë kulturës së cektë, që i ngre në qiell të mirat materiale e premton lumturinë e shtigjeve të shkurtra, por tejet të rrezikshme, mos pushoni s’i nxituri të rinjtë ta kalisin shpirtin e të formojnë një personalitet të pjekur, të aftë për forcë, por edhe për dhembshuri”.

E gëzimi më i madh - shtoi - është t’u flasësh  të rinjve për Jezu Krishtin, duke u lexuar Ungjillin e duke shkëmbyer së bashku mendime për jetën… “Kjo është rruga më e mirë për të ndërtuar një ardhmëri të qëndrueshme”.   

31 gusht 2018, 13:51