Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.08.12 Angelus 2018.08.12 Angelus  (Vatican Media )

Françesku në Engjëllin e Tënzot: jini protagonistë të së mirës

I jashtëzakonshëm, Engjëlli Tënzot i Papës, pas Meshës bashkëkremtuar nga kardinali Bassetti. Françesku u dorëzoi të rinjve mandatin, duke bekuar shtatoren e Zojës së Loretos dhe Kryqin e Shën Damianit, që do të shtegtojnë në duart e tyre, deri në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë 2019.

R. SH. - Vatikan

Sot ju nxis të jeni protagonistë të së mirës! Mos mendoni se jeni në rregull, kur nuk bëni keq; secili është  fajtor për të mirën, që mund ta bënte, e nuk e bëri.

Nga tremja e Sheshit të Shën Pjetrit, përballë 70 mijë të rinjve, ardhur në Romë për ta takuar, Papa ua drejtoi këtë ftesë plot shpresë, i bindur se pikërisht prej tyre do të lindë një botë e aftë për ta bërë të mirën!

Nuk mjafton të mos urresh! Duhet të falësh! Nuk mjafton të mos jesh i ngarkuar me etje për hakmarrje, duhet të lutesh për armiqtë; nuk mjafton të mos jesh shkas i përçarjes, duhet ta çosh paqen, atje ku paqe nuk ka!

Të krishterë guximtarë

Është e nevojshme të ndërhyhet, atje ku përhapet e keqja, sepse e keqja vijon të përhapet pikërisht atje, ku nuk ka të krishterë të guximshëm, që i kundërvihen me të mirën, “duke ecur në udhën e dashurisë së krishterë, sipas porosisë së Shën Palit.

Papa bëri thirrje për guxim, pavarësisht nga druajtet, nga ëndrrat, nga tundimet për një jetë të rehatshme, sepse Françesku beson në forcën e këtyre djemve e vajzave, “plot gjallëri” për vetë natyrën e moshës, të pasionuar, guximtarë, të ardhur në këmbë nga larg, me ndërmjetësimin e së Lumes Virgjër Mari:

“Të dashur të rinj, këto ditë ecët shumë! Por edhe u stërvitët e tani mund t’ju them: ecni në bamirësi! Ecni në dashuri e të ecim së bashku drejt Sinodit të Ipeshkvijve”.

Dëshmojeni gëzimin e vëllazërisë

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti dhe falënderoi meshtarët e murgeshat për punën e përditshme me të rinjtë. Mirënjohje personale i shprehu edhe  Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinalit Bassetti, organizues i takimit e, më pas,  duke vijuar fillin e ndërperë të fjalimit me të rinjtë, përfundoi kështu:

“Duke u kthyer në bashkësitë tuaja, dëshmojani bashkëmoshatarëve e të gjithë atyre, që do t’i takoni, gëzimin e vëllazërimit e të bashkimit, provuar këto ditë shtegtimi e lutjeje. Të gjithëve u uroj kthim të mbarë në shtëpi!".

 

12 gusht 2018, 13:19