Cerca

Vatican News
 Papa Françesku ndërmjet të rinjve Papa Françesku ndërmjet të rinjve 

Drejt Sinodit: paraqitet takimi i Papës me të rinjtë

U paraqitën, nga Konferenca ipeshkvnore italiane, dy ditët e takimit të të rinjve italianë me Papën Françesku, që do të mbahen më 11 e 12 gusht. Priten rreth 70 mijë djem e vajza.

R. V. - Vatikan

Ndërsa të rinjtë nga mbarë Italia janë për udhë në shtegtimin “PerMilleStrade”(NëpërMijëraUdhë), që do t’i çojë në Romë, në takimin me Papën, më 11 e 12 gusht, pranë Sallës Marconi të Radios sonë, në një konferencë shtypi, u paraqit programi i këtyre ditëve të ngarkuara me veprimtari. Të shtunën, më 11 gusht, në Cirkun Massimo e të diel, më 12 gusht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Dy takime, që zhvillohen në kuadrin e nismës, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, në përgatitje të të rinjve për Sinodin e tetorit.

Vlera e shtegtimit

“Shtegtimi - pohoi kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Kii, në përfundim të konferencës së shtypit - është shenjë biblike tejet e rëndësishme, udhë shpirtërore, për të cilën ka nevojë secili, që të mund ta shprehë potencialin e dhuratave, të natyrës e të hirit, dhuratë e Hyjit. Kështu shtegtimi, para se të jetë për të tjerët, është për vetveten. Nisu, shko, por bëje për vetveten.

Udhë, që i përfshin të gjithë

Së bashku me të rinjtë italianë shtegtojnë edhe të rinj të huaj, emigrantë e jo besimtarë sepse, siç nënvizoi Michele Falabretti, drejtues i Shërbimit Kombëtar për baritorinë rinore të Kii, i pranishëm edhe ai në konferencën e sotme, “udha lidhet me konceptin e lëvizjes, të veprimtarisë, kështu, në vend që të diskutohen në mënyrë abstrakte disa tematika, vihen në jetë. Të rinjtë e ndryshëm emigrantë - shpjegoi - u përfshinë në këtë shtegtim, sepse integrimi duhet vënë në jetë, nuk është vetëm diçka, që duhet menduar".

Mafia, tërmetet e luftërat botërore

Përveç viseve të përshpirtërisë, të rinjtë për udhë do të vizitojnë edhe disa zona të tjera të vendit tonë, të lidhura me ngjarje historike aktuale. “Udhët e Ungjillit - shpjegon Michele Falabretti - lidhen ngushtë me historitë e njerëzve. Kush e përgatiti shtegtimin, pati aftësi të rralla për t’i ndihmuar të rinjtë të luten, të takojnë vendet, ku jetojnë njerëzit. Ungjilli - nënvizon akoma - është gjithçka: është përshpirtëri, por edhe histori.

Françesku, të rinjtë e popullariteti

Pikërisht pak ditë para takimit të Papës me të rinjtë e parasinodit, u botuan sondazhe të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe ai i Demos (Instituti i kërkimeve politike e shoqërore), që vë në dukje rënien e popullaritetit të Papës, posaçërisht në radhët e më të rinjve. “Shoqëria jonë e konsumit - pohoi, lidhur me këtë, kardinali Bassetti - është mësuar  t’ua plotësojë  të rinjve të gjitha nevojat e tyre, mbarë e prapë. Papa, me fjalën e Zotit e me përvojën e tij, po u jep një bukë shumë të ushqyeshme, që nuk janë mësuar ta shijojnë, e prandaj edhe nuk e kanë të lehtë ta vlerësojnë. Sipas meje, duhet vijuar kështu, pa çka se bie sadopak popullariteti. Rëndësi ka - përfundoi – “që të thotë një fjalë të lirë!”.

Mbi të njëjtën temë u ndalua edhe don Falabretti, sipas të cilit çështja e vërtetë “është dialogu ndërmjet breznive dhe mënyra sesi të rriturit ua dorëzojnë Ungjillin të rinjve, jo Papa! E, prej këndej, lind pyetja: “Çka mendojnë të rriturit, jo të rinjtë?”.

07 gusht 2018, 17:21