Kërko

 Të rinjtë e para-Sinodit  Të rinjtë e para-Sinodit  

Sinodi kushtuar të rinjve 2018: Françesku emëron Presidentët Delegatë

Papa emëroi sot Presidentët Delegatë për Sinodin e ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që do të mbahet nga 3 deri më 28 tetor 2018.

R: SH. - Vatikan

Në kuadrin e Asamblesë XV të Përgjithshme të Zakonshme me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”, Papa Françesku emëroi sot Presidentët Delegatë. Janë: kardinali Louis Raphaël I Sako, Patriark i Babilonisë së Kaldejve, Kreu i  Sinodit të Kishës Kaldease (Irak); kardinali Désiré Tsarahazana, kryeipeshkëv i Toamasina (Madagaskar) dhe Kard. Charles Maung Bo, S.D.B., kryeipeshkëv i Yangon (Myanmar). 

Roli i Presidentit Delegat

Në Kapitullin II të Ordo Synodi Episcoporum (Rregullorja e Sinodit të Ipeshkvijve), në fuqi që nga 29 shtatori 2006, përcaktohen detyrat e Presidentit Delegat: ndërmjet tyre, ajo e drejtimit të Asamblesë në emër e  me autoritetin e Papës, nga i cili zgjidhet. Detyra e tij përfundon me shpërndarjen e asamblesë, për të cilën u emërua e, nëse Papa ngarkon më se një, për të kryesuar asamblenë, Presidentët Delegatë vijojnë njëri pas tjetrit detyrën e ngarkuar, sipas rendit të vendosur nga vetë Ati i Shenjtë.

Presidenti Delegat ka për detyrë: të udhëheqë punimet e Sinodit; t’u ngarkojë disa prej anëtarëve, kur t’i duket e nevojshme, detyra të posaçme, me qëllim që punimet e asamblesë të mund t’i vijojnë sa më mirë e, së fundi, detyrën e nënshkrimit të akteve përfundimtare të asamblesë.

 

14 korrik 2018, 15:58