Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa gjatë takimit me të rinjtë në Shenjtëroren e Zojës Karmë, në Maipu (Kili) Papa gjatë takimit me të rinjtë në Shenjtëroren e Zojës Karmë, në Maipu (Kili)  (Vatican Media)

Papa: Zoja e Karmelit na priftë kah Mali i Zotit

Sot, në mbarë botën, Kisha kremton Zojën e Karmelit: një nga devocionet më të lashta të krishterimit. Zojës i kushtohet edhe tweet-i i Papës.

R. SH. - Vatikan

“Virgjëra Mari, Nënë e Mbretëreshë e Karmelit, i shoqëroftë hapat tuaj në udhën e përditshme kah Mali i Zotit!”.

Është ky, tweet-i i Papës Françesku për solemnitetin e sotëm, kushtuar Zojës së Malit Karmel, devocion sa i lashtë, aq edhe i dashur në mbarë botën e krishterë. Në vitin 2013, me rastin e Kapitullit të Përgjithshëm të Urdhërit të Vëllezërve të së Lumes Virgjër Mari të Karmelit, Papa pati vënë në dukje frytet e kësaj tradite shpirtërore:
“Dëshmia e Karmelit në të kaluarën i përket traditës thellësisht shpirtërore që lulëzoi në një nga shkollat më të mëdha të lutjes. Ajo i dha guxim burrave dhe grave, të cilët përballuan rreziqe të mëdha, e deri vdekjen Po kujtojmë vetëm dy martirë bashkëkohorë: Shën Terezën Benedikta e Kryqit dhe të Lumin Titus Brandsma”.

T’i çohet Krishti botës

Misioni i Kishës për t’i çuar Krishtin Botës, sipas Papës, nuk është “detyrë” vetëm për njerëzit e kushtuar, por, siç e pohon ai vetë në shumë raste, të gjithë jemi të thirrur, duke përfshirë edhe, e sidomos, të rinjtë. Papa  i kujton gjithnjë dy shenjtoret e mëdha karmelitane, dy Terezat: atë të Krishtit Fëmijë dhe të Avilës. E   pikërisht fjalët e kësaj të fundit, tejet të çmuara për të gjithë, i citon në një mesazh, drejtuar ipeshkvit të Avilës:

 “’Është koha të ecim!’. Këto fjalë të Shën Terezës së Avilës, të thëna pak para vdekjes, për ne janë sintezë e jetës së saj e trashëgimi  e çmuar, që duhet ta ruajmë e ta pasurojmë më tej”.

Devocioni popullor

Devocioni i Zojës së Karmelit nëpër botë u përhap edhe më shumë përmes skapolarit. Nuk është simbol fati, as nuskë. Është simbol i të vërtetave të mëdha të fesë, që transmetohen përmes përshpirtërisë popullore:

“Përmes përshpirtërisë popullore mund të kuptojmë mënyrën me të cilën feja, që morëm, mishërohet në kulturë e vijon të transmetohet nga breznia në brezni” (Papa Françesku, Nxitja Apostolike Evangelii Gaudim – Forca ungjillëzuese e përshpirtërisë popullore).

 

16 korrik 2018, 15:45