Kërko

Cardinale Urosa Savino Cardinale Urosa Savino 

Venezuelë. Papa pranoi dorëheqjen e kard. Urosa Savino, kryeipeshkvit të Karakas

Papa Françesku pranoi dorëheqjen e kardinalit Urosa Savino nga udhëheqja baritore e kryedioqezës së Karakas, në Venezuelë, dhe caktoi kard. Porras Cardozo si administrator apostolik të kësaj kryedioqeze.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ka pranuar dorëheqjen nga qeverisja baritore e Kryedioqezës së Karakas-it, Venezuelë, paraqitura nga kardinali Jorge Liberato Urosa Savino, dhe ka emëruar administrator apostolik "sede vacante et nutum Sanctae Sedis" të së njëjtës Kryedioqezë të Karakas-it, kardinalin Baltazar Enrique Porras Cardozo, kryeipeshkëv aktual të Merida-s, gjithnjë në Venezuelë.

Kardinali Urosa Savino

Kardinali Urosa Savino ka lindur në kryeqytetin e Venezuelës, më 28 gusht 1942, është shuguruar meshtar në vitin 1967 në Karakas, ku në fillim punoi si zëvendës-rektor dhe rektor i Seminarit "San José" në El Hatillo, më vonë si rektor i Seminarit ndër-dioqezan në Karakas.

Ka themeluar Qendrën e Ungjillëzimit dhe Vikariatin fetar të Trinisë së Shenjtë, "Casa de Tabla" në Petare. Pas posteve e detyrave të ndryshme, në vitin 1982 u emërua ipeshkëv ndihmës i Karakas, dhe në vitin 1990 Kryeipeshëv i Valencias, në Venezuelë, ku krijoi 10 famulli të reja kishtare dhe ndërtoi 70 Kisha të reja, kapela si dhe selinë e re të Seminarit.

Në vitin 2005, Papa Benedikti XVI e transferoi në Kryedioqezën e Karakas dhe, një vit më vonë, e krijoi kardinal. Shpesh herë, kohët e fundit, Kardinali Urosa Savino ka denoncuar krizën sociale, politike dhe ekonomike në Venezuelë.

Kardinali Porras Cardozo

Edhe Kardinali Baltazar Enrique Porras Cardozo ka lindur në Karakas, 10 tetor, 1944. Është shuguruar meshtar në vitin 1967, në vitin 1983 është emëruar ipeshkëv ndihmës i Kryedioqezës së Mérida-s, në Ande, dhe më vonë kryeipeshkëv. Për dy mandate të njëpasnjëshme, Kardinali Porras Cardozo ka qenë president i Konferencës Ipeshkëvnore Venezueliane (1999-2006). Ka qenë në poste e detyra të ndryshme, ndërsa nga 2007 deri në 2011 qe nënkryetari i parë i Konferencës Ipeshkëvnore të Amerikës Latine (Celam). Papa Françesku e krijoi kardinal në nëntor të vitit 2016. 

09 korrik 2018, 13:46