Cerca

Vatican News
Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  (AFP or licensors)

Papa në Engjëllin e Tënzot: të gjithë të pagëzuarit ta kumtojnë Ungjillin, pa mbështetje e pa favore

Në Engjëllin e Tënzot Papa foli për stilin misionar që duhet të kenë të krishterët, duke kujtuar se qendra është Jezusi, e duke pranuar edhe refuzimin e dështimin. I pagëzuari - kujtoi - që nuk e ndjen nevojën ta kumtojë Ungjillin, ta kumtojë Krishtin, nuk është i krishterë.

R. SH. - Vatikan

“Të gjithë të pagëzuarit” janë të thirrur ta kumtojnë Ungjillin “në mjediset e ndryshme të jetës”, jo si “artistë, që kanë dalë në turne”, por të fortë “vetëm në  Fjalën e Jezusit”. Sot paradite Papa skicoi “stilin e misionarit”, duke u nisur nga Ungjilli, që fliste për çastin kur Jezusi i dërgon të Dymbëdhjetët, dy nga dy, nëpër fshatra. E kjo ishte si “praktikë” për atë,  që do të bënin pas Ngjalljes. Dy, pra, aspektet kryesore, kujtuar nga Papa: pika e referimit e dishepullit misionar është Jezusi, e fytyra e stilit të misionarit, “varfëria e mjeteve”.

Qendra, Jezusi

Apostujt nuk kanë asgjë të vetën për ta kumtuar. Apostujt nuk kumtojnë kurrë vetveten, por veprojnë gjithnjë si “lajmëtarë të Krishtit”. Episodi i Ungjillit nuk ka të bëjë vetëm me meshtarët - nënvizoi Papa - sepse gjithë të pagëzuarit janë të thirrur ta dëshmojnë, në të gjitha mjediset e jetës, Ungjillin e Krishtit:

“E edhe për ne ky mision  është i vërtetë, vetëm duke u nisur nga qendra e tij e pandryshueshme, që është Jezusi. Nuk është nismë e besimtarëve të veçantë, as e grupeve e aq më pak e grupazheve, por mision i Kishës së bashkuar në mënyrë të pandarshme me Zotin e vet”.

Asnjë i krishterë nuk e kumton Ungjillin “sipas mendjes së vet”, por vetëm kur dërgohet nga Kisha e kur e merr mandatin nga vetë Krishti. Është pikërisht Pagëzimi, që të bën misionar. Nëse i pagëzuari nuk e ndjen nevojën ta kumtojë Ungjillin, ta kumtojë Krishtin, ai nuk mund të jetë i krishterë i mirë.

Varfëria mjeteve

Pajisjet, që kanë të Dymbëdhjetët, janë jashtëzakonisht të thjeshta, të përkora. Mësuesi i do të lirë e të lehtë, pa mbështetje e pa favore, të sigurt vetëm në dashurinë e Atij, që i dërgon; të fortë, vetëm në Fjalën e Tij, që nisen ta kumtojnë! Shkopi e sandalet janë paja e shtegtarëve, sepse kështu janë lajmëtarë të mbretërisë së Zotit, jo managerë të plotfuqishëm, jo funksionarë të pazëvendësueshëm,  jo  “artistë të famshëm, në turne”.

Papa kujtoi, lidhur me këtë,  disa nga shenjtorët më në zë të dioqezës së Romës: “Shën Filip Nerin, Shën Benedetto Giuseppe Lavre, Shën Aleksin, Shën Ludovikën Albertini, Shën Françeskën Romake, Shën Gasprin e Bufalos e shumë të tjerë. “Nuk ishin funksionarë, e as sipërmarrës - theksoi - por punëtorë të thjeshtë  të Mbretërisë”.

Përvoja e dështimit

Nuk duhet harruar edhe se - shtoi Papa - mund të ndodhë që të mos dëgjohen, e as të mos pranohen. Edhe përvoja e dështimit është varfëri.

Jeta e vetë Jezusit, që nuk u pranua e madje edhe u kryqëzua, parafiguron fatin e lajmëtarit të Tij. E vetëm nëse jemi të bashkuar me Të, të vdekur e të ngjallur, mund ta marrim guximin e ungjillëzimit.

Virgjëra Mari “dishepulle e parë misionare e Fjalës së Zotit, na ndihmoftë  ta çojmë në botë lajmin e Ungjillit” - përfundoi Papa - me ngazëllimin  e përvujtë e rrezatues, pa u trembur nga asnjë lloj përbuzjeje, moskuptimi, mospranimi!

Në përshëndetjet përfundimtare, Ati i Shenjtë kujtoi të rinjtë polakë të dioqezës Pelpin, që marrin pjesë në një kurs ushtrimesh shpirtërore, në Asizi.

 

15 korrik 2018, 15:09