Kërko

Papa Françesku: nuk ka udhë tjetër, veç paqes, për Lindjen e Mesme

Në përfundim të takimit ekumenik në Bari, Papa Françesku uroi: “Lindja e Mesme mos qoftë më hark i tendosur lufte ndërmjet kontinenteve, por arkë paqeje mikpritëse për popujt e fetë”.

R. SH. - Vatikan

Në natën e “Lindjes së Mesme në agoni”, paqja sigurohet “me vullnetin e vërtetë për dëgjim e dialog”, jo “me armëpushime të garantuara nga muret” e “provat e forcës”. Me këto fjalë, shqiptuar në tremen e Bazilikës së Shën Nikollës, në përfundim të vizitës në Bari, Papa Françesku  pohoi se  për Lindjen e Mesme nuk ka udhë tjetër, veç asaj të paqes. Duke uruar që “arti i takimit të ketë epërsi mbi strategjitë e ndeshjes”, Papa bëri thirrje të shndërrohen ulurimat e luftës, në himne paqeje.

Për t’ia arritur kësaj dite, është themelore që kush ka në dorë fuqinë, të vihet, më në fund, e vendosmërisht, në shërbim të vërtetë të paqes e jo të interesave vetjake. Mjaft më me fitimet e pakicës, mbi lëkurën e shumicës! Mjaft me pushtimin e  tokave, që i copëtojnë popujt! Mjaft më me epërsinë e të vërtetave të   njëanshme, mbi shpresat e njerëzve. Mjaft me përdorimin e Lindjes së Mesme, për fitime, të huaja për Lindjen e Mesme.

Lufta, bijë e pushtetit dhe e varfërisë

Lufta - shtoi Françesku - është plagë, që u hapet sidomos njerëzve të varfër: “Të mendojmë për Sirinë e martirizuar. Lufta është e bija e pushtetit  dhe e varfërisë. Mposhtet duke hequr dorë nga logjikat e epërsisë e duke e çrrënjosur mjerimin!”.

Shumë konflikte - shpjegoi Papa - u krijuan edhe nga format e fundamentalizmit e të fanatizmit,  pa harruar se  dhuna  ushqehet gjithnjë nga armët:

“Nuk mund ta ngresh zërin e të flasësh për paqen, ndërsa fshehurazi vijojnë garat e shfrenuara të riarmatimit. Përgjegjësi shumë e rëndë, që peshon mbi ndërgjegjen  e kombeve, posaçërisht të atyre, që janë më të pushtetshëm. Nuk duhet harruar shekulli i kaluar, nuk duhen harruar mësimet e Hiroshimës e Nagasakit, nuk duhen shndërruar trojet e Lindjes, ku lindi Fjala e Paqes, në hapësira të errta, ku endet vetëm vdekja! Majft më me kundërvënie armiqësore, mjaft me etjen për fitime, që nuk pyet për askënd, kur është fjala për të shtënë në dorë vendburimet e gazit dhe të karburanteve, pa çarë kokën për shtëpinë e përbashkët e pa u shqetësuar fare nga fakti se tregu i energjisë dikton ligjin e bashkëjetesës ndërmjet popujve.

Shpresa ka fytyrën e fëmijëve

Për të hapur shtigjet e paqes, Papa kërkoi, në përfundim, edhe mbrojtjen e pakicave, të cilave u duhet garantuar e drejta e qytetarisë së përbashkët. Edhe të krishterët - nënvizoi - janë qytetarë me titull të plotë, e edhe me të drejta të barabarta. Duke sjellë sytë nga Jeruzalemi, Françesku pohoi, më pas, se “status quo kërkon respekt, sipas normave të vendosura nga Bashkësia ndërkombëtare”. “Vetëm një rrugëzgjidhje, fryt i bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve -  shtoi Papa - mund të  çojë tek paqja e qëndrueshme  e të garantojë bashkëjetesën e dy shteteve, për dy popuj”. Në Lindjen e  Mesme, ku prej vitesh një numër i frikshëm të vegjlish qan të vdekur pas të vdekurish në familje, shpresa - përfundoi Françesku - ka fytyrën e fëmijëve:

“Sytë e tepër shumë fëmijëve e kaluan pjesën më të madhe të jetës, duke parë gërmadha - në vend të shkollave; duke dëgjuar shpërthimin shurdhues të bombave - në vend të poteres gazmore të lojërave. O Njerëzim! - ngriti zërin Françesku - dëgjoje, të lutem – britmën e fëmijëve, goja e të cilëve shpall lavdinë e Zotit!”.

 

07 korrik 2018, 15:08