Kërko

 Lutje ekumenike Lutje ekumenike 

Në Bari, “frymëmarrje vërtetësisht ekumenike”

Për kryeipeshkvin e Bari-Bitonto-s, imzot Cacucci, takimi ekumenik i reflektimit dhe i lutjes i 7 korrikut për paqen në Lindjen e Mesme, i dëshiruar nga Papa Françesku, ka frymëmarrje universale dhe vlerë historike me rëndësi të jashtëzakonshme.

R. SH. - Vatikan

Pas pak ditësh, Papa Françesku do të shkojë në Bari, së bashku me shumë krerë të Kishave dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme, siç e kujtoi vetë Ati i Shenjtë në përfundim të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot: “Do të jetojmë - vijoi - një ditë lutjeje e reflektimi”. Ngjarjen, dëshiruar nga vetë Papa e programuar për 7 korrik, kryeipeshkvi i Bari-Bitonto-s, imzot Francesco Cacucci, e quan “vërtet ekumenike”, duke nënvizuar edhe vlerën e saj historike:

Bëhet fjalë për aftësinë e lidhjes së ngushtë të vizionit ekumenik ndërmjet kishave të krishtera me vëmendjen e posaçme ndaj Lindjes së Mesme, për t’u lutur për paqen, por edhe për të qenë pranë vëllezërve tanë të krishterë, që jetojnë në kushte të vështira, që vijojnë të vuajnë shumë. E jo vetëm vëllezërit tanë të krishterë. Është kalim nga një vizion i lavdërueshëm, që lidhet me Kishën tonë e me botën katolike, tek një frymëmarrje me të vërtetë ekumenike.

Por, si po e jeton këtë frymëmarrje ekumenike, qyteti i Barit, në të përditshmen e tij, në thjeshtësinë e gjesteve konkrete të çdo dite…

Do të mjaftonte të vije të dielën në mëngjes këtu, në Barin e vjetër, për të admiruar edhe veshjet shumëngjyrëshe të besimtarëve të bashkësive të ndryshme të krishtera. Mendoj për etiopët, eritrenjtë - ndërmjet tjerash - për gjeorgjanët, që e kremtojnë liturgjinë në kishat e Barit të Vjetër, në kishat tona katolike, të cilat ua kam vënë në dispozicion këtyre vëllezërve. Kur pati ardhur Bartolomeu I në Bari, në dhjetor 2016, i ofruam një Kishë kushtuar Zemrës së Krishtit, në qendër të qytetit.

Përveç historisë së tij, si “Portë e Lindjes”, Bari u shqua për kulturën e tij ekumenike posaçërisht pas Koncilit II të Vatikanit…

Udha ekumenike nuk mund të improvizohet. Nënvizoj gjithnjë se, menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit, imzot Nikodemo - kryeipeshkëv i kohës - si u kthye nga Koncili, ua hapi kriptën e Shën Nikollës ortodoksëve, duke shtuar edhe një kapelëz me ikonostasin kushtuar atyre. Ishte akti i parë i kësaj natyre në nivel botëror. E kështu, udha vijoi përmes dialogut të vazhdueshëm me konfesionet e tjera të krishtera por, sidomos, me botën lindore, që vjen vazhdimisht këtu, tek Shën Nikolla, për të nderuar reliket e Mrekullibërësit. Shumë  e ndjeshme, prania ruse, por jo vetëm. Këtu vjen e gjithë bota lindore. Edhe shumë ungjillorë, përfaqësues të Kishës anglikane dhe të Kishave të tjera ungjillore.

Dy fjalë për marrëdhëniet ndërmjet bashkësive të ndryshme?

Bashkësitë e tjera, që do të jenë të pranishme, kanë nisur tashmë ta jetojnë me pjesëmarrje të madhe këtë ngjarje të 7 korrikut. Ne kemi takime të vazhdueshme me vëllezërit e konfesioneve të tjera: është pritje korale. Në një takim që pata me delegatët e ekumenizmit të dioqezave të ndryshme të Pulies, e ndjeva fort këtë pritje e këtë pjesëmarrje, sepse nuk është ngjarje që ka të bëjë vetëm me Kishën vendase të Barit, por me gjithë zonën,

Po ju, si kryeipeshkëv i Bari-Bitonto-s, si e ndjeni veten?

Mendoj se është dhuratë. U shugurova ipeshkëv 31 vjeç, gjatë një sesioni të Komisionit të përzjerë katoliko-ortodoks, mbajtur në Bari me kardinalin Willebrands e me metropolitin e Melburnit, Stylianos. Ishin të pranishëm  drejtuesit kryesorë si të Kishës katolike, ashtu edhe të Kishave ortodokse. Kjo ngjarje ndikoi fuqimisht mbi jetën time. Nisa të jetoj gjithnjë nën dritën e Shën Nikollit, që është shenjti i unitetit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, por edhe  Kishave ungjillore. Zgjedhjen e Barit nga Papa unë e prita me mirënjohje të thellë.

 

02 korrik 2018, 16:07