Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Françesku, “Papë shumë gjeopolitik”

Paraqitet në Romë, numri i fundit i Limes, kushtuar plotësisht gjendjes aktuale të Kishës së Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

“Papë shumë gjeopolitik” e “kundër planeve” të paramenduara. Kështu shkruan drejtori i revistës gjeopolitike italiane Limes, Lucio Caracciolo, në numrin e fundit të saj, paraqitur në Romë. Ndër të pranishmit në konferencën e shtypit, edhe drejtori i revistës së jeuzitëve “Civilità Cattolica”, atë Antonio Spadaro. “Limes – vëren atë Spadaro – i ka kushtuar një numër të plotë Papës dhe 5 vjetëve të papnisë së tij. Është shumë e rëndësishme, që bota kulturore të reflektojë për figurën e Bergoglio-s, duke dhënë edhe opinione të ndryshme ndërmjet tyre”.

Numri i ri i Limes

         Numri i fundit i revistës, me titull “Françesku dhe gjendja e Kishës”, i kushtohet gjeopolitikës së Selisë së Shenjtë dhe përqendrohet në perspektivat gjeopolitike e në situatën aktuale të Kishës së kryesuar nga Papa argjentinas. Nuk synon të vlerësojë papninë e Françeskut, por të analizojë rëndësinë e saj gjeopolitike. “Deshëm të shqyrtojmë jo aq personalitetin e Françeskut, i cili e ka çliruar debatin rreth Kishës nga tabutë dhe skorjet, sa inkuadrimin e tij në histori”, shpjegoi drejtori i Limes, Caracciolo, gjatë konferencës së shtypit.

Udhëtimet e Papës

         “Projektimi gjeopolitik i Kishës është shumë i qartë: Papa dëshiron të prekë plagët e hapura, që ka bota e, këtë e bën përmes udhëtimeve. Papa – nënvizon atë Spadaro – dëshiron të jetë i pranishëm në vendet e vështira, aty ku plagët janë më të mëdha, si në Meksikë apo në Afrikë”. E s’mund të harrohet se udhëtimi i tij i parë në Evropë ishte pikërisht në Shqipëri, aty ku njerëzit prisnin fjalën e tij, balsam për problemet e për jetën shpirtërore të vendit.

Tematikat

         Ndër temat e shumta, që trajtohen në revistë, spikat akti i parë i qeverisjes së Atit të Shenjtë, transferimi i tij në Shtëpinë e Shën Martës, por edhe strategjitë e Papës Françesku në udhëheqjen e Kuries Romake, si edhe analiza e figurës së tij, konsideruar si një nga më populloret në botë.

Popullariteti i Papës Françesku

         Vërtet, 54% e të intervistuarve nga revista, shprehen në favor të Papës e të papnisë së tij. “Papa – përfundon atë Spadaro – përfaqëson një figurë me vlerë të lartë morale, që arrin t’u flasë zemrave të njerëzve. Prandaj, prania e tij është e rëndësishme”.

26 korrik 2018, 14:48