Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot  

Engjëlli i Tënzot, Papa: jo spektatorë, përballë britmës të urisë së botës

Shumëzimi i bukëve dhe i peshqve na fton të jemi “veprimtarë e të zellshëm” përballë çdo tip “britme” që vjen nga bota e të mos i shkapërderdhim pasuritë për armatime, por për programe zhvillimi. Nga kjo do të mund ta vërtetojmë cilësinë e fesë sonë.

R. SH. - Vatikan

Jezusi ua shuan urinë turmave gjatë brigjeve të liqenit të Tiberiades:  e mësojmë nga tregimi i shumëfishimit të bukëve e peshqve, duke shfletuar Ungjillin e Gjonit të kësaj së dieleje XVII të Kohës së zakonshme. Besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga vapa e padurueshme, me sytë drejtuar nga dritarja  e studios papnore të Pallatit Apostolik, presin fjalët e Françeskut: “Jini guximtarë! – i fton Papa - duke i përshëndetur e duke u lënë pas për meditim, një figurë e një frazë, që është edhe rrëmim i ndërgjegjes.

Kini mëshirë, si i riu guximtar!

Pak parà. Kaq kishin Jezusi e apostujt - komentoi Papa, duke marrë fjalën për reflektimin e zakonshëm para lutjes së Engjëllit të Tënzot - përballë “turmës së madhe” që i ndiqte mbi mal, pranë bregut tjetër të Detit të Galilesë. E pikërisht atje një djalosh që e solli Andreu, vë në dispozicion pesë bukë e dy peshq. Kjo është figura, që Françesku ua dorëzoi besimtarëve: figura e djaloshit guximtar,  të shtyrë nga mëshira, që është edhe mëshira e Jezusit.

Djalosh i mirë! I guximshëm! Edhe ai e shikonte turmën, shikonte edhe pesë bukët! E thoshte me vete: “Epo unë këtë kam. Nëse duhet, jam gati ta jap”. Ky djalosh na bën të mendojmë pakëz për vete… Për guximin: kështu janë të rinjtë, kanë guxim. Duhet t’i ndihmojmë ta çojnë përpara këtë sjellje, gjithnjë me të njëjtin guxim.

Jezusi, plot vëmendje ndaj njerëzve

Pra, përballë turmave, e pavarësisht nga vështirësitë - rrëfen akoma Ungjilli - Jezusi u jep urdhër dishepujve t’i bëjnë njerëzit të ulen mbi bar, pastaj merr këto bukë e këta peshq, falënderon Atin e i shpërndan (krh v.11) e të gjithë mund të hanë sa të ngopen. Përballë Jezusit, që i ndjek gjithnjë me vëmendje të veçantë nevojat kryesore të njerëzve, ashtu si e pamë edhe në faqen ungjillore të së dielës së kaluar:

“Nga episodi buron një fakt konkret: njerëzit kanë uri e Jezusi i aktivizon dishepujt e vet që t’ua shuajnë këtë uri. Ky është fakti konkret. Jezusi nuk mjaftohet t’u japë turmave vetëm shujtën trupore - u jep shumë, shumë më tepër: u jep Fjalën e Tij, ngushëllimin, shëlbimin e, së fundi, edhe vetë jetën - por pa dyshim e bën edhe këtë: ka kujdes për ushqimin, që e mban gjallë korpin e brishtë njerëzor.

Kumtimi i Krishtit kërkon angazhim e solidaritet

Ashtu si dishepujt e Krishtit përballë zellit të Zotit për turmat - vërejti Papa - as ne nuk mund ta bëjmë veshin të shurdhër. Në të vërtetë - shpjegoi - vetëm kur i dëgjon kërkesat më të thjeshta të njerëzve e kur u rri pranë në situatat e tyre konkrete ekzistenciale, mund të të dëgjojnë, pastaj, edhe kur u flet për vlera më të larta. Ne jemi, pra, sipas Françeskut, mjete të asaj dashurie të Zotit  për njerëzimin e uritur për bukë, liri, drejtësi e paqe e, sidomos, për hir hyjnor, që nuk mungon kurrë.

Prandaj Ungjilli na fton të jemi plot gatishmëri e zell, si ai djaloshi, që kujtohet se ka pesë bukë e thotë: “Po, unë po e jap këtë që kam, e pastaj ti shiko e bëj!”. Përballë britmës së urisë - çdo lloj urie - të shumë vëllezërve e motrave në të katër anët e botës, nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir, si spektatorë të shkëputur nga çka ngjet nën hundën tonë e pa na u bërë vonë fare për çka shikojmë. Kumtimi i Krishtit, bukë dhe jetë e amshuar, na kërkon angazhim bujar solidariteti për të varfërit, të ligshtit, të fundmit, të pambrojturit. Kjo veprimtari afërsie e bamirësie është mënyra më e mirë për ta vlerësuar cilësinë e fesë sonë, si në nivel personal, ashtu edhe komunitar.

Asnjë pasuri nuk duhet të shkojë dëm  

Jezusi, pra, ia shoi turmës urinë e të gjithë u ngopën - shkruan Shën Gjoni Apostull në përfundim të tregimit. - Por kjo nuk mjafton: “Mblidhini copat e mbetura, që asnjë thërrime mos të shkojë kot”. Këto, fjalët e fundit të Jezusit, e kjo, edhe “fraza”, që Françesku ua lë besimtarëve për reflektim, një lloj “rrëmimi i ndërgjegjes”, të cilin e bën së bashku me ta:

“Secili nga ne të mendojë: ku shkon ushqimi, që tepron në drekë e në darkë? Ku shkon? Ç’bëhet në shtëpinë time me tepricat e drekës? Hidhen në pleh? Jo! Nëse ti e ke këtë zakon, po të jap një këshillë: fol me gjyshërit e tu, që jetuan pasluftën e pyeti ç’bënin me gjellën e tepruar. Mos e hidh kurrë ushqimin e tepruar. Mund ta rigatuash ose t’ia japësh dikujt, që mund ta hajë. Atij, që ka nevojë. Mos e flak kurrë gjellën e tepruar. Kjo është këshillë, por edhe rrëmim ndërgjegjeje: “çfarë bën me gjellën, që tepron?”.

Po, programeve të zhvillimit; jo, armatimeve e luftërave

Prej këndej, lutja përfundimtare e Papës

“T’i lutemi Virgjërës Mari që në botë të kenë epërsi programet kushtuar zhvillimit, ushqimit, solidaritetit e jo ato të urrejtjes, të armatimeve e të luftës.

Thirrje kundër trafikut të njerëzve

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, para përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri thirrje kundër trafikut të njerëzve, në prag të Ditës botërore kushtuar kësaj “plage”.

29 korrik 2018, 15:36