Kërko

 Papa pret Drejtuesit Italianë të Veprave Papnore Misionare Papa pret Drejtuesit Italianë të Veprave Papnore Misionare  

Papa Veprave Papnore Misionare: rikualifikim ungjillor

Papa i ftoi Drejtuesit e Veprave Papnore Misionare “për një kthesë të veçantë misionare”, të bërë me pasion e guxim: me guximin e frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt, jo nga ne.

R. SH. - Vatikan

Me shqetësim personal e duke shfrytëzuar rastin e përgatitjes për Muajin e Jashtëzakonshëm Misionar, parashikuar për në tetor 2019, Papa Françesku foli sot me Drejtuesit Italianë të Pom, të cilët i priti në Sallën Klementine:

“Ju inkurajoj fuqimisht ta jetoni këtë fazë përgatitjeje, si mundësi të jashtzakonshme për ta përtërirë angazhimin misionar të mbarë Kishës. E dini mirë sa më shqetëson rreziku që puna juaj të kufizohet në përmasën thjesht monetare të ndihmës materiale, duke ju shndërruar në një agjenci, si shumë të tjera,  qoftë edhe me frymëzim të krishterë.

Rreziku për Pom dhe ilaçi

Duke kujtuar lindjen e Pom, me mbështetjen e Piut XI, Papa ripropozoi idenë e madhe dhe guximtare të Benediktit XVI, në Letrën apostolike Maximum illud. Kërkoi, prej këndej, të rikualifikohet misioni i Kishës në botë. Po si? Këto fjalët e Françeskut:

“Nuk është fjala thjesht për ta bërë më mirë, këtë që bëni. Kthesa misionare e strukturave të Kishës kërkon shenjtëri personale e frymë krijuese shpirtërore. Domethënë, kërkon jo vetëm ta rinosh të vjetrën, por sidomos, të lejosh që Shpirti Shenjt ta krijojë të renë. Jo ne: Shpirti Shenjt. T’i krijohet hapësira e duhur Shpirtit Shenjt, të lejohet ta krijojë të renë. Guxim, prandaj, në mision, duke bashkëpunuar me Shpirtin Shenjt, gjithnjë në bashkim me Kishën e Krishtit”.

Tema e Muajit Misionar 2019

“Të pagëzuar e të dërguar: Kisha e Krishtit në mision nëpër botë”- kjo është tema  e zgjedhur për Muajin e Jashtëzakonshëm Misionar të tetorit 2019, për të cilin Papa i inkurajoi gjithë të krishterët, duke u kujtuar se misioni është thirrje, që nis  me pagëzimin dhe u përket gjithë të pagëzuarve. Nuk duam të shesim ndonjë  prodhim, por të komunikojmë një jetë; Zotin, jetën e Tij hyjnore, dashurinë e Tij përdëllyese, shenjtërinë e Tij – theksoi Papa.

 

01 qershor 2018, 15:07