Kërko

Papa në mes të refugjatëve afrikanë, në Sheshin e Shën Pjetrit Papa në mes të refugjatëve afrikanë, në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa u kërkon qeverive një Pakt Botëror për Refugjatët

Duke pasur parasysh Ditën Botërore të Refugjatit, që do të kremtohet të mërkurën e ardhshme, Françesku i nxiti Shtetet të krijojnë kushtet për një emigrim “të sigurt, të disiplinuar dhe të rregullt”.

R. SH. - Vatikan

Dje, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi se të mërkurën, 20 qershor, do të kremtohet Dita Botërore e Refugjatit, organizuar nga Kombet e Bashkuara për të tërhequr vëmendjen mbi ata, që jetojnë shpesh me ankthe e vuajtje të mëdha, mbi vëllezërit tanë, të detyruar të ikin nga toka e tyre për shkak të konflikteve e persekutimeve.

Thirrje për marrëveshje mbi paktin e refugjatëve

Françesku vuri në dukje edhe se Dita, sivjet, bie nësa zhvillohen këshillimet  e Qeverive për adoptimin e një Pakti Botëror mbi Refugjatët, duke synuar ta përfundojnë brenda vitit, ashtu si dhe atë mbi emigrimin “e sigurt, të disiplinuar e të rregullt”.

Papa uroi që shtetet e përfshira në këto procese “të merren vesh, për të siguruar me përgjegjësi e humanitet, asistencën dhe mbrojtjen e njerëzve të detyuar ta lënë vendin e vet”

Të gjithë,  të thirrur për angazhim e mikpritje

Ati i Shenjtë, më pas, nxiti çdo njeri të japë ndihmesën për strehimin dhe integrimin. “Sepse edhe secili nga ne është i thirrur  të jetë pranë refugjatëve – tha Françesku - të takohet me ta, ta vlerësojë kontributin e tyre, që edhe ata të mund të radhiten në bashkësitë, ku pranohen”. Në përfundim, Papa nënvizoi se përmes këtij takimi, këtij respekti e kësaj mbështetjeje reciproke, mund të zgjidhen një mori problemesh.

18 qershor 2018, 11:33