Cerca

Vatican News
 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  (ANSA)

Papa në Engjëllin e Tënzot: akuzat e rreme, helm vdekjeprurës

Në Ungjillin e sotëm skribët e sulmojnë Jezusin: “është i pushtuar nga Shejtani”. E Papa Françesku lutet: Zoti na çliroftë nga tundimi për ta shkatërruar me ligësi namin e mirë të tjetrit. “Familja e re e Jezusit bazohet mbi dashurinë, që na bashkon”.

R. SH. - Vatikan

Akuzat e rreme, me të cilat synohet të shkatërrohet nami i mirë i tjetrit nga shkaku i zilisë për mirësinë e tij, janë “helm vdekjeprurës”. E nënvizoi Papa Françesku para lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje, e dhjeta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kometuar Ungjillin sipas Markut dhe dy tipet e moskuptimit, që Jezusit iu desh t’i përballonte: ai i skribëve, por edhe ai i vetë familjarëve.

Skribët, njerëz të mësuar, që i njihnin thellësisht Shkrimet e Shenjta, të cilat ia shpjegonin popullit, për ta diskredituar Jezusin pëpara njerëzve, e akuzuan se ishte i pushtuar nga Beelzebuli dhe se i dëbonte djajtë me ndihmën e kryetarit të demonëve. Jezusi - shpjegoi Papa - reagon me fjalë të forta e të qarta, mbasi këta skribë, ndoshta edhe pa u kujtuar, po binin në mëkatin më të rëndë: po mohonin e po blasfemonin Dashurinë e Zotit, që është gjithnjë e pranishme dhe vepron në Të.

Blasfemia është mëkat kundër Shpirtit Shenjt, i vetmi mëkat i pafalshëm, sepse niset nga mbyllja e Zemrës për mëshirën e Zotit, që vepron në Jezusin.

Po ky episod - vijoi Françesku - përmban një qortim, të cilin duhet ta kemi mirë parasysh edhe ne, të gjithë. Mund të ndodhë që një zili e fortë për mirësinë dhe veprat e mira të tjetrit, të të shtyjë ta ngarkosh me akuza të rreme. E kjo quhet shpirtligësi me paramendim, për të shkatërruar namin e mirë të tjetrit. Zoti na çliroftë nga ky tundim i tmerrshëm!

E nëse, duke e rrëmuar ndërgjegjen tonë, kujtohemi se ky bar i keq po nis të mbijë në shpirtin tonë, të shkojmë shpejt e të rrëfehemi - porositi Papa - para se të zhvillohet e të prodhojë frytet e tij të mbrapshta! Kujdes  - vijoi, kjo sjellje rrënon familjet, bashkësitë e edhe vetë shoqërinë!

Ungjilli i sotëm na flet edhe për një moskuptim tjetër, shumë të ndryshëm, lidhur me Jezusin: për atë të vetë familjarëve të Zotit, të shqetësuar, sepse jeta e Tij e re endacake u dukej marrëzi. E, në të vërtetë Jezusi tregohej aq i gatshëm për njerëzit, posaçërisht për të sëmurët e mëkatarët, sa nuk i dilte koha as për të ngrënë. Kështu ishte Jezusi - kometoi Papa - para së gjithash, njerëzit! Atëherë familjarët e tij vendosën ta sillnin përsëri në Nazareth e, duke arritur në vendin ku predikonte, dërguan ta thërrasin: “Ja, nëna jote, vëllezërit e tu e motrat e tua janë jashtë e po të kërkojnë”. E Krishti përgjigjet. “Kush është nëna ime e kush, vëllezërit e mi?” - e, duke i shikuar njerëzit, mbledhur rreth Tij për ta dëgjuar, shton: “Ja nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse kush bën vullnetin e Zotit, ai është për mua  vëlla, motër e nënë!”.

Jezusi formonte, kështu, një familje të re, jo më të bazuar mbi lidhje natyrore, por mbi besimin në Të, mbi dashurinë që na bashkon ndërmjet nesh, në Shpirtin Shenjt. Të gjithë ata, që e pranojnë fjalën e Jezusit, janë bij të Zotit e vëllezër ndërmjet tyre. Shpërrallimi i të tjerëve na bën familje   të djallit.

Përgjigjja e Jezusit - përfundoi Françesku - nuk është mungesë respekti për nënën e tij, e as për familjarët. Madje, për Marinë, është mirënjohja më e madhe, sepse pikërisht ajo është dishepulle e përkryer, që iu bind në gjithçka vullnetit të Zotit.

Na ndihmoftë Virgjëra Nënë të jetojmë gjithnjë në bashkim me Jezusin, duke e pranuar veprën e Shpirtit Shenjt, që vepron në Të e në Kishë e duke e përtërirë botën në jetën e re!

10 qershor 2018, 13:18