Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shtegtim në ishullin Lesbos Shtegtim në ishullin Lesbos 

Papa: Krijimi është dhuratë, jo pronë

Në simpoziumin mbi ambientin, që vijon në Athinë, kardinali Peter Turkson lexoi Mesazhin e Papës drejtuar Patrikut Bartolomeu I dhe pjesëmarrësve, duke i inkurajuar fuqimisht të kujdesen për ambientin e për njerëzit më të ligshtë.

R. SH. Vatikan

“Një det i mrekullueshëm, i kthyer në varrezë për burra, gra e fëmijë”. Është Mesdheu, ashtu si e përshkruan Papa në mesazhin, drejtuar Patrikut Bartolomeu I dhe pjesëmarrësve të simpoziumit ndërkombëtar, kushtuar mbrojtjes së ambientit, që nisi dje në Athinë. Tema, mbrojtja e Krijimit: “Toward a Greener Attica. Preserving the Planet and Protecting its People” - Drejt një Atike më të blertë. Të ruhet Planeti dhe të mbrohet populli i tij”. Të pranishëm, kardinali John Olorunfermi Onaieyekan, kryeipeshkëv i Abuzhës dhe kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, që lexoi mesazhin e Françeskut.

Shqetësim për emigrantët dhe refugjatët

Në fjalët e Papës, kujtimi i gjallë i vizitës në Lesbo, së bashku me Shenjtërinë  e Tij Bartolomeu dhe Fortlumturinë e Tij Hieronymos II, rast për të shprehur shqetësimin e përbashkët lidhur me gjendjen e emigrantëve dhe të refugjatëve. Pikërisht asokohe - shkruan Papa - u preka thellë duke menduar sesi një det kaq i bukur, mund të shndërrohej në varr për burra, gra e fëmijë, shumica e të cilëve kërkonin vetëm të shpëtonin nga kushtet çnjerëzore të jetës në tokat e tyre.  Atje - vijon mesazhi i Papës - munda të prek me dorë bujarinë e popullit grek, aq të pasur me vlera njerëzore e kristiane, e përpjekjet e tij, pavarësisht nga pasojat e krizës ekonomike, për t’i ngushëlluar ata që, pa kurrgjë mbas shpirtit, duke i lënë pas të gjitha të mirat materiale, krijuar gjatë një jete të tërë me punë e djersë, u drejtuan nga brigjet e tyre.

Krijimi është dhuratë, jo pronë

Duke u nisur nga kontradikta dramatike, që provoi gjatë kësaj vizite, Papa shpjegon se mundi ta kuptojë më mirë rëndësinë e temës së Simpoziumit të këtyre ditëve. Brishtësia nuk është vetëm në shtëpitë e njerëzve të ligshtë në mbarë botën - siç e tregon heksodi në rritje i emigrantëve klimaterikë dhe i refugjatëve ambientalë. Në të vërtetë - shkruan Françesku, duke cituar enciklikën “Lëvduar qofsh”, po i dënojmë edhe breznitë e ardhshme për të jetuar në një shtëpi të shndërruar në  gërmadhë. Prandaj Papa kërkon rrëmimin e thellë të ndërgjegjes përballë “krizës ekologjike” që po jetojmë, duke përsëritur pyetjen: “Ç’tip bote duam t’u lëmë atyre,  të cilët do të vijnë pas nesh, fëmijëve që po rriten?”. “Kujdesi për Krjimin - kujton - i kuptuar si dhuratë, që duhet ndarë bashkë, e jo si pronë private, kërkon gjithnjë njohjen e të drejtave të çdo njeriu e të çdo populli”.

Katolikë e ortodoksë, së bashku për kujdesin ndaj Krijimit

Duke kujtuar, pastaj, mesazhin e Ditës Botërore të lutjes për krijimin, që kremtohet më 1 shtator, shkruar së bashku me Patrikun Bartolomeu, Françesku nënvizon se “detyra e kujdesit për krijimin, që i sfidon të gjithë njerëzit vullnetmirë, i fton të krishterët t’i pranojnë rrënjët shpirtërore të krizës ekologjike dhe të bashkëpunojnë, duke dhënë një përgjigje të njëzëshme”. Dita  e përvitshme Botërore e lutjes për Krijimin - kujton Papa në mesazh - është një hap para në këtë drejtim, sepse tregon shqetësimin tonë të përbashkët si dhe aspiratën për ta përballuar, së bashku, këtë problem delikat. Dëshiroj fuqimisht që Kisha katolike të vijojë të ecë së bashku me Shenjtërinë e Tij dhe me Patriarkanën ekumenike gjatë kësaj rruge. “Po kështu, shpresoj se katolikë e ortodoksë, së bashku me besimtarët e bashkësive të tjera të krishtera dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, mund të punojnë aktivisht së bashku, në nivel lokal, për kujdesin ndaj Krijimit si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm”.

06 qershor 2018, 17:38