Kërko

Papa takon Delegacionin e Cmimit të gazetarisë Biagio Agnes Papa takon Delegacionin e Cmimit të gazetarisë Biagio Agnes 

Papa, gazetarëve: e vërteta, para interesave personale

Papa Françesku u takua sot, pas mesditës, me Delegacionin e çmimit ndërkombëtar të gazetarisë “Biagio Agnes”. Asnjë recetë për një gazetari në ndryshim epokal, por thirrja e Atit të Shenjtë në favor të periferive, të vërtetës dhe shpresës.

R.SH. - Vatikan

“Impenjohuni për një komunikim, që të dijë të vendosë të vërtetën para interesave personale, ose atyre të korporatave”. Kjo është nxitja e Papës Françesku për gazetarët, që i pret në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik në Vatikan. Të pranishëm, një grup i çmimit ndërkombëtar të gazetarisë “Biagio Agnes”.

Gazetaria në epokë ndryshimesh të thella

         “Të jesh gazetar – nënvizon Ati i Shenjtë – ka të bëjë me formimin e njerëzve, me këndvështrimin e tyre mbi botën e me qëndrimin e tyre para ngjarjeve. Është punë kërkuese, që në këtë çast po përjeton një fazë të karakterizuar nga konvergjenca dixhitale, nga njëra anë, e nga transformimi i vetë mediave, nga ana tjetër”.

         Për Papën, “po përjetojmë vërtet një shndërrim të madh të formave dhe të gjuhëve të informacionit. Është e lodhshme të hysh në këtë proces shndërrimi, por është gjithnjë e më e nevojshme, nëse duam të vazhdojmë të jemi edukatorë të brezave të rinj. Nevojitet vigjilencë e kujdesshme”.

Mos harroni periferinë

         “Periferia, e vërteta, shpresa” janë tri fjalët-kyçe, për të cilat u flet Papa gazetarëve. “Tepër shpesh, vendet nevralgjike të prodhimit të lajmeve gjenden në qendrat e mëdha – vijon Ati i Shenjtë. – Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë historitë e njerëzve, që jetojnë larg, në periferi. Janë histori vuajtjesh e degradimi, por edhe histori solidariteti të madh, që mund të ndihmojë ta shohim ndryshe realitetin”.

Mos shkoni pas interesave, por thoni të vërtetën

         E pastaj, e vërteta. “Një gazetar duhet të shkruajë atë që mendon, atë që përkon me kuptimin e vetëdijshëm e të përgjegjshëm të ngjarjes nga ana e tij. Duhet të jeni më kërkues ndaj vetvetes për të mos rënë në kurthin e logjikave të kundërvënies për interesa, ose për ideologji – tërhoqi vëmendjen Papa. – Sot, në një botë ku gjithçka është e shpejtë, është gjithnjë e më urgjente t’i referohemi ligjit të lodhshëm e jo të lehtë të thellimit të kërkimeve, të ballafaqimeve e, nëse është e nevojshme, edhe të heshtet në vend që të plagosen njerëz e grupe apo të delegjitimohet një ngjarje”.

Ngjallni shpresë

         Së fundi, shpresa. “Nuk është fjala për të treguar një botë pa probleme: do të ishte iluzion – shpjegon Papa. – Duhen hapur hapësira shprese, ndërsa denoncohen gjendje vështirësie e dëshpërimi. Një gazetar nuk duhet të ndjehet mirë vetëm sepse e ka treguar një fakt, sipas përgjegjësisë së tij të lirë e të vetëdijshme. Është i thirrur ta mbajë hapur një derë, të japë një kuptim, një shpresë”.

04 qershor 2018, 16:02