Kërko

 Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa Françesku: në Kishë nuk ka padronë e punëtorë

Në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa ia kushtoi përsëri katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, sakramentit të Krezmimit, duke saktësuar “pasojat e dhuratës së Shpirtit Shenjt, në shpirtin e të krezmuarit”.

R. SH. - Vatikan

Dhuratat e Shpirtit Shenjt krijojnë atmosferë paqeje, ndërsa thashethemet e rrënojnë harmoninë; e të krishterët janë të thirrur të marrin, për të dhënë, si të ishte shpirti “magazinë”. Këto, thënë me dy fjalë, reflektimet e Françeskut në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit e kushtuar përsëri “sakramentit të Krezmimit”, duke sqaruar se i krishteri është i thirrur  të jetë “dhuratë për të tjerët”.

Shpirti Shenjt na hap udhën për të hyrë në bashkësi

Shpirti Shenjt na shpërqendron nga vetvetja, nga “uni”, për të na  çuar tek “ne”, tek bashkësia e krishterë. E Krezmimi i bashkon më shumë besimtarët, i bën gjymtyrë të gjalla të korpit mistik të Kishës, misioni i së cilës në botë vijon përmes ndihmesës së të gjithë atyre, që janë pjesë e saj. Kisha duhet përfytyruar si organizëm i gjallë, i përbërë nga njerëzit. “Ndokush mendon se në Kishë ka padronë e punëtorë - kujtoi duke folur lirisht Papa Bergoglio - Po nuk është kështu. Kishë jemi të gjithë. Të gjithë kemi përgjegjësinë ta shenjtërojmë njëri-tjetrin, të kujdesemi për njëri-tjetrin”.

Thashethemet e rrënojnë veprën e Shpirtit Shenjt

Ipeshkvi është shërbyes i drejtëpërdrejt i Krezmimit, ndërsa inkorporimi kishtar shprehet me shenjën e paqes, që e mbyll ritin: marrim “Shpirtin Shenjt dhe paqen”, “e këtë paqe duhet t’ua japim të tjerëve”.  Ashtu si në shumë raste, Papa Françesku dënoi përsëri  zakonin e keq të përgojimit, të shpërrallimit, të marrjes nëpër gojë të njërit e tjetrit, gjë që i jep fund paqes së shpirtit njerëzor. “Përgojimet janë luftë - ngulmoi - ndërsa dishepujt e Krishtit duhet të jenë ‘burra e gra të paqes’”. Nuk duhet, prandaj, ta shkatërrojnë veprën e Shpirtit Shenjt me gjuhën e tyre të gjatë.

Simfonia e Shpirtit Shenjt

Krezmimi merret një herë të vetme, por  energjia  shpirtërore, që krijohet nga vajimi shenjt vijon në kohë. Sepse Shpirti Shenjt është krijues e jo përsëritës e dhuratat e tij krijojnë simfoninë. Prej këndej, ftesa e Papës Bergoglio për të mos e mbyllur “Shpirtin Shenjt në kafaz”, për të mos ia ndalur hovin erës, që fryn për të na shtyrë të ecim drejt  lirisë, për të mos e shuar Zjarrin flakërues të dashurisë së krishterë!

 

 

06 qershor 2018, 13:18