Papa në Gjenevë: vizitë e drekë në Institutin Ekumenik të Bossey, foto me studentët
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes ekumenik mbajtur sot në mëngjes, në Gjenevë, Papa Françesku shkoi në Institutin Ekumenik të Bossey, 18 kilometra nga Qendra Ekumenike e Këshillit Botëror të Kishave (WCC). Këtu Papa drekoi me udhëheqjen e Këshillit Botëror të Kishave dhe me kardinalin Kurt Koç, president i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.
Pas drekës u bë shkëmbimi i dhuratave në kopshtin e Institutit, ku janë 30 studentë, dy prej të cilëve i dhuruan Atit të Shenjtë një kurorë me lule dhe bënë me Papën një foto të grupit.
Pastaj, sipas programit të ditës, Papa Bergolgio u kthye me makinë, përsëri në Qendrën Ekumenike, ku pasdite u mbajt takimi ekumenik, me fjalimin e dytë të Papës Françesku në Zvicër.
Po kujtojmë se Instituti Ekumenik Bossey, themeluar në vitin 1946, bashkon njerëz nga Kisha, kultura dhe prejardhje të ndryshme. Çdo vit i mirëpret studentët dhe studiuesit nga e gjithë bota për periudha të specializimit në teologjinë e ekumenizmit, në misiologjinë dhe etikën shoqërore.