Kërko

Universi Universi 

Papa Françesku, astrofizikanëve: universi, me sytë e fesë

Në takimin me pjesëmarrësit e shkollës verore të astrofizikës, organizuar nga Spekola (Observatori astronomik) e Vatikanit, Papa Françesku nënvizon se vështrimi i fesë, së bashku me atë të shkencës, na ndihmon ta kuptojmë universin.

R.SH. - Vatikan

Studimi i universit i ofron njeriut horizonte të reja për ta kuptuar Gjithësinë. Por, njohuritë njerëzore nuk mund t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve, që shtron hapësira, me pafundësinë e saj të jashtëzakonshme. Me këto fjalë për pjesëmarrësit e shkollës verore të astrofizikës, organizuar nga Spekola apo Observatori astronomik i Vatikanit, Papa Françesku e hedh vështrimin drejt hapësirave pa fund të galaktikave:

         "Është gjithnjë e rëndësishme, si shkencëtarë e besimtarë, të pranoni se ka shumë gjëra, që nuk i dimë. Por, është po aq e rëndësishme, të mos kënaqeni kurrë me agnosticizmin e rehatshëm. Ashtu si nuk duhet të mendojmë se dimë gjithçka, nuk duhet as të kemi frikë të provojmë për të mësuar më shumë".

Nga hapësira, në rrjet

         Me shtimin e vazhdueshëm të njohurive mbi Gjithësinë, vijon Ati i Shenjtë, shtohet edhe “nevoja për të mësuar si të administrohet fluksi i informacionit, që mbërrin nga burime të ndryshme”. Kjo metodë studimi, nënvizon Françesku, mund të përdoret edhe për botën pa fund të internetit. “Ndoshta, mënyra me të cilën administroni një sasi kaq të madhe të dhënash – shpjegon Papa – mund t’u japë shpresë edhe atyre që, në gjithë botën, janë hutuar nga revolucioni informatik i internetit dhe nga rrjetet shoqërore”.

Vështrim tjetër

         Detyra e shkencëtarit është ajo e eksperimentimit për të ditur më shumë. Por ka edhe një vështrim tjetër, me të cilin mund të kundrohet universi, thekson Papa:

         "Pastaj, ka një vështrim tjetër, ai metafizik, i cili pranon Kauzën e Parë të gjithçkaje, që u fshihet mjeteve të matjes. E një tjetër vështrim akoma, ai i fesë, që pranon Zbulesën e Zotit. Harmonia e këtyre planeve të ndryshme të njohjes na çon drejt kuptimit; e kuptimi – shpresojmë – na e hap mendjen për Dijen Hyjnore".

Dashuri për Gjithësinë

         Duke kujtuar ç’shkruan Dante Aligieri në këngën e Parajsës – “është dashuria, që lëviz diellin e yjet” – Papa uroi:

         "Edhe puna juaj ‘lëviztë’ nga dashuria: dashuri për të vërtetën, dashuri për vetë universin e, dashuri e secilit prej jush për tjetrin, me të cilin punon së bashku në larmi".
14 qershor 2018, 14:25