Papa: ardhmëri paqeje pas bisedimeve SHBA - Koreja e Veriut
R. SH. - Vatikan
Ardhmëri me paqe: këtë uroi Françesku për arritjet e bisedimeve të ardhshme në Singapor, ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Veriut. Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një thirrje të rëndësishme: “Dëshiroj përsëri që popullit të dashur korean t’i arrijë një mendim miqësie e lutjeje. Bisedimet, që do të zhvillohen në ditët e ardhshme, në Singapor, mund të kontribuojnë për zhvillimin e një udhe pozitive, që siguron ardhmërinë e paqes për gadishullin korean si dhe për botën mbarë.
Lutje Zojës, Mbretëreshë e Koresë
Për ta shoqëruar këtë takim të rangut të lartë, mbi të cilin drejtohen sytë e mbarë botës, Françesku tha, në Sheshin e Shën Pjetrit, një Falemi Mari.
Ta lusim Zotin - shtoi - e të gjithë së bashku, ta lusim edhe Zojën e Bekuar, mbretëreshë e Koresë, që t’i shoqërojë këta bisedime.
Të martën, bisedimet SHBA-Kore e Veriut
Në Singapor gjithçka është gati për takimin historik të rangut të lartë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, me liderin korean Kim Jong Un. Janë trimijë, gazetarët e akredituar për këtë ngjarje; dy reporterë jugkoreanë këto ditë u arrestuan, sepse deshën të nxjerrin informacione të fshehta mbi samitin. Ndërkaq presidenti rus Putin shprehu vlerësimin për këtë takim të rangut të lartë si dhe për rolin e Kinës në mbështetjen e ballafaqimit ndërmjet palëve. Sipas sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo, Pyongyangu është i gatshëm ta denuklearizojë gadishullin korean e kjo, sipas burimeve të ndryshme, do të ishte e vetmja rrugëzgjidhje, që do të priste kreu i Shtëpisë së Bardhë.