Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
 Sheshi i Shën Pjetrit gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Sheshi i Shën Pjetrit gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot 

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës për Nikaraguan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku shprehu dhimbjen e thellë për dhunën, që vijon në Nikaragua. E pohoi: “Kisha është gjithnjë për dialog”. Shkaqet e trazirave: protestat kundër reformës së sistemit të sigurimeve shoqërore dhe presidentit Ortega.

R. SH. - Vatikan

Dje, në orët e mesditës, si zakonisht, Françesku kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot e, pas saj, bëri thirrje për paqen në Nikaragua, që po kalon një nga çastet më të vështira të historisë:

“Shpreh, së bashku me vëllezërit e mi të Nikaraguas - tha Papa - dhimbjen për dhunën e rëndë, me të vdekur e të plagosur, ushtruar nga grupet e armatosura, që vijojnë të shtypin protestat shoqërore”. E, pasi siguroi se lutet për viktimat dhe familjarët, saktësoi: “Kisha është gjithnjë për dialog, por dialogu kërkon impenjimin konkret për të respektuar lirinë, e, para së gjithash, jetën”.

Mbi vendin, grushti i hekurt i qeverisë

Në Nikaragua vijon grushti i hekurt dhe i gjakosur i qeverisë mbi shoqërinë civile. Pesha e tij e padurueshme nisi të ndjehej që më 18 prillin e kaluar mbi një sërë protestash kundër reformës së sistemit të sigurimeve shoqërore, me vendim të presidentit Daniel Ortega. Reforma parashikonte rritjen e kontributeve e, njëkohësisht, uljen 5% të pensioneve.

Nga protestat kundër reformës, në ato kundër presidentit

 Si ia dolën mbanë që propozimi të prapësohej, manifestuesit vijuan të kundërshtojnë, pa marrë parasysh premtimin e presidentit për të ndërmjetësuar. Për shoqërinë civile, problemi kryesor është vetë Ortega.  E kërkesa, dorëheqja e tij nga pushtetit.

Daniel Ortega

Ish-luftëtar sandinist, e mori pushtetin më 1979, pasi përmbysi diktaturën e Anastasio Somoza Debayle dhe grupet kundërevolucionare, besnike të tij. Prej më se 30 vjetësh sundon skenën politike të Nikaraguas, mbështetur nga bashkëshortja, zëvendës-Presidentja, Rosario Murillo.

Rreth njëqind të vdekur

Dramatik, bilanci i të vdekurve për shkak të shtypjes së dhunshme qeveritare. Vetëm në një muaj e gjysëm, më se njëqind vetë humbën jetën. Ndërsa të mërkurën e kaluar, policia shtiu mbi demonstruesit e pambrojtur, që kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të presidentit. Grupi kryesor u mblodh në Managua, duke iu përgjigjur thirrjes së shoqatës Nënat e Prillit, domethënë, nënat e të rinjve  të vrarë në manifestimet e mëparshme.

Reagimi i ipeshkvijve të Nikaraguas

Pas dhunës së fundit, ushtruar nga grupet e armatosura, në mbështetje të qeverisë e kundër popullsisë civile, Konferenca ipeshkvnore e Nikaraguas e përjashton çdo mundësi për t’u ulur në tryezën e “dialogut kombëtar”, me ftesën e Ortegës. Në një Komunikatë, përhapur në Managua, Konferenca ipeshkvnore nënvizon: “Nuk mund ta lejojmë gjithë këtë dhunë çnjerëzore” e, përveçse i dënon  të gjitha këto akte shtypjeje nga ana e grupeve, që e mbështesin qeverinë, sqaron se nuk është e mundur të rifillojë “dialogu kombëtar”, ndërsa popullit të Nikaraguas i mohohet e drejta ligjore për të manifestuar lirisht dhe vijon të shtypet e të vritet. Ndërkaq, të shtunën, më 2 qershor, Nunci Apostolik i Nikaraguas, Waldemar Sommertag, u prit në  audiencë në Vatikan, ku  u takua me Papën Françesku.

04 qershor 2018, 12:12