Kërko

Videomesazh i Papës të rinjve argjentinas Videomesazh i Papës të rinjve argjentinas 

Papa të rinjve argjentinas: luani për idealet e Krishtit

Në videmesazhin drejtuar të rinjve argjentinas të Rosario-s, me rastin e Takimit Kombëtar të Rinisë, Papa Françesku i nxit breznitë e reja “të jenë pjesëmarrëse” e të mos rrinë kurrë të strukura ndër skuta.

R. SH. - Vatikan

Në videomesazhin drejtuar të rinjve argjentinas të Rosario-s, me rastin e Takimit Kombëtar të Rinisë, Papa Françesku i nxit  breznitë e reja “të jenë pjesëmarrëse” e të mos rrinë kurrë të strukura ndër skuta. Prani, bashkim e mision. Janë tri fjalët, që e përshkojnë gjithë videomesazhin e Papës Françesku, drejtuar të rinjve argjentinas të Rosarios, me rastin e Takimit Kombëtar të Rinisë. Papa i falënderon në mënyrë të veçantë të rinjtë “për entuziazmin ngjitës, për dashurinë ndaj Krishtit e  ndaj vëllezërve”.

Prani

Jezusi - pohon Papa - është me ne, është i pranishëm në historinë tonë; na fton edhe ne të mishërohemi, të ndërtojmë së bashku “qytetërimin e dashurisë”. Prandaj - shton - është e nevojshme të jeni gjithnjë me Të, “ta takoni në lutje, në Fjalë, në Sakramente”. “T’i kushtoni kohë, të heshtni, për ta dëgjuar zërin e Tij”. Me Jezusin  - shpjegon Papa - mund të rinohet historia. “Jezusi na takon, na shëron, na dërgon t’i shërojmë edhe të tjerët!”.

Bashkim

Historinë - pohon Papa Françesku - nuk mund ta shkruash i vetëm, “historinë e shkruajnë popujt, jo ideologët”. “Nëse do të ndërtosh si i krishterë - shton - duhet ta bësh këtë në popullin e Zotit, në Kishë, si popull”. “Jo me grupe të vogla”, “të ndara nga jeta e popullit të Zotit”. Papa, pasi kujton se në tetor do të mbahet Sinodi i ipeshkvijve për të rinjtë, i nxit breznitë e reja të jenë pjesëmarrëse, të mos rrinë në skuta, të angazhohen.

Mision

Papa Françesku, duke iu drejtuar të rinjve, kujton, së fundi, se “jemi të thirrur për të qenë Kishë në dalje, në mision”. Për të qenë Kishë misionare, samaritane, përdëllyese, në dialog të përhershëm, në dëgjim. Shkoni! E mos kini frikë! Jini antikonformistë, bëni potere, mos lejoni që historia të shkruhet jashtë, ndërsa ju rrini e shikoni nga dritarja! Mos “e ngujoni jetën në ballkon”, “mbathini këpucët sportive, dilni me fanellën e Krishtit e luani për idealet e Tij!”. Shkoni me Të, për të shëruar plagët e vëllezërve të shumtë, që dergjen në shtrojen e rrugës së madhe, shkoni me Të e mbillni shpresë në popujt e qyteteve tona, “shkoni me Të e rinojeni historinë!”.

27 maj 2018, 18:42