Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku gjatë audiencës se përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit Papa Françesku gjatë audiencës se përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit  (Vatican Media)

Papa në audiencë: vajimi është karta e identitetit e Jezusit

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Pa forcën e Shpirtit Shenjt nuk mund të bëjmë asgjë”; “vajimi është karta e identitetit e Jezusit”.

R. SH. - Vatikan

“Pa forcën e Shpirtit Shenjt nuk mund të bëjmë asgjë”; është Shpirti Shenjt Ai, që na jep forcë për të ecur përpara!”. E theksoi këtë Papa Françesku, duke folur lirisht gjatë katekizmit të sotëm të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, e duke shpjeguar se të lindësh në jetën hyjnore përmes Pagëzimit, është hapi i parë”; duhet, pastaj, të  sillesh si Bir i Zotit, domethënë t’i ngjash Krishtit, që vepron në Kishën Shenjte, duke marrë pjesë në misionin e Tij në botë”. E pikërisht këtë parashikon vajimi i Shpirtit Shenjt: “Pa forcën e Tij njeriu nuk mund të bëjë asgjë”. Ashtu si e gjithë jeta e Jezusit u frymëzua nga Shpirti Shenjt, kështu edhe jeta e Kishës dhe e të gjithë anëtarëve të saj, udhëhiqet nga i njëjti Shpirt - pohoi Françesku: “I zënë nga Virgjëra, për virtyt të Shpirtit Shenjt, Jezusi e nis misionin e Tij mbasi, i dalë nga nga uji i Jordanit, shugurohet nga Shpirti Shenjt, që zbret e mbetet mbi Të”. Është gjë e bukur mënyra si paraqitet Jezusi, me këtë kartë identiteti, në sinagogën e Nazaretit - kujtoi Papa - duke vazhduar të flasë lirisht. “Jezusi është plot me Shpirtin Shenjt e është edhe burimi i Shpirtit, premtuar nga Ati”. Në të vërtetë, mbrëmjen e Pashkëve, i Ngjalluri fryn mbi dishepujt, duke u thënë atyre: “Merreni Shpirtin Shenjt!”. E, në ditën e Rrëshajëve, forca e Shpirtit Shenjt zbret përmbi apostujt në një formë të jashtëzakonshme: në formë flakësh”.

23 maj 2018, 14:59