Kërko

Papa Françesku me Scholas Ocurrentes Papa Françesku me Scholas Ocurrentes 

Papa Françesku viziton selinë vatikanase të Scholas Occurrentes

Papa Françesku do të vizitojë selinë vatikanase të Scholas Occurrentes, organizatë ndërkombëtare e së drejtës papnore, lartuar nga Papa Françesku në këtë rang më 13 gusht 2013, por filluar që kur Jorge Mario Bergoglio ishte kryeipeshkëv në Argjentinë.

Redaksia shqip - Vatikan

Sot, në orën 16.00, Papa Françesku  vizitoi selinë vatikanase të Scholas Occurrentes e u takua me brezin e ri të formuesve, studentë, që po marrin pjesë në një projekt, të cilin Fondacioni e zbaton në të gjithë botën. Gjatë takimit, informojnë organizatorët në një notë, u realizuan të gjitha objektivat e përcaktuara tetorin e kaluar, si: përurimi i selisë së re të Scholas në Argjentinë (në tetor, Papa bekoi tullën e parë të Villa 31 në Buenos Ajres); përurimi i selisë në Mozambik (njoftuar së bashku me hapjen e shkollës së artit e të surf-it), si edhe hapja e kompleksit të ri në Kolumbi.

         Gjatë takimit në Vatikan, artistë me famë botërore i dhuruan Papës një vepër të tyren, paraqitur për të promovuar programin e Scholas për Artin: “Pintando puentes” (Duke pikturuar ura). Takimi Ndërkombëtar i Rinisë, organizuar nga Scholas Occurentes, përfundoi me këtë festë të vogël me Papën Françesku, por nisi që të hënën, më 7 maj. Gjatë këtyre ditëve, 100 të rinj nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, të Spanjës e të Italisë shkëmbyen përvojën e tyre.

         Kujtojmë se Scholas Occurrentes është organizatë ndërkombëtare e së drejtës papnore, lartuar nga Papa Françesku në këtë rang më 13 gusht 2013, por filluar që kur Jorge Mario Bergoglio ishte kryeipeshkëv në Argjentinë. Është e pranishme në 190 vende dhe përfshin 446.133 shkolla e rrjete edukative të të gjitha konfesioneve fetare, si publike, ashtu edhe private. Objektivi i saj është “promovimi i kulturës së takimit për paqen përmes edukimit”.

11 maj 2018, 18:02