Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Françesku: Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e tij, vula e Pagëzimit

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Gurra e Pagëzimit është vendi ku kremtohen Pashkët me Krishtin”. “Varroset njeriu i vjetër, me pasionet e tij mashtruese, sepse lind krijesa e re”. Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës arabe, u kërkoi të luten për paqen në Siri e në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

“Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e tij”. “Zoti na do shumë, si Atë, e nuk na lë kurrë vetëm. Që në çastin e Pagëzimit”. Mbi këtë sakrament, themel jete, e përqendroi përsëri Papa katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën shi e diell. Françesku nënvizoi se Pagëzimi vë një vulë shpirtërore të përjetshme, që nuk mund ta shlyejë më asnjë mëkat”. Ndonëse – shtoi – mëkati e pengon Pagëzimin të sjellë fryte shëlbimi”:

“Vula e Pagëzimit nuk humbet kurrë! ‘Por, o Atë, nëse një njeri bëhet cub me nam, që vret e pret e s’lë gjë pa bërë, unë besoj se kjo vulë duhet t’i humbasë, apo jo?’” Jo!

Jetë sipas Jezusit

Edhe kur njeriu, për turp e marre, bën mëkate, edhe mortare, duke “iu kundërvënë vetë Zotit”, prap se prap vijon të jetë bir i Tij, sepse “Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e vet”. “Rilindja e njeriut të ri - nënvizoi në vijim Papa - kërkon që njeriu i kalbur nga mëkati të kthehet në pluhur”. Përmes Pagëzimit u varrosëm së bashku me Jezusin në vdekje - shpjegoi Papa - me qëllim që, ashtu si Krishti u ngjall nga të vdekurit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re”.

Pagëzimi na hap portën e jetës së ringjallur, jo të rivdekur! Jo të jetës sipas mendësisë së botës, por sipas Jezusit.

Të rilindur me Pagëzimin

Papa kujtoi më pas mbishkrimin e Pagëzimores së lashtë romake të Lateranit, ku, në gjuhën latine, lexohet shprehja, që i atribuohet Papës Siksti III: “Kisha Nënë rilind virgjërisht përmes ujit bijtë,  që i zë për shpirtin e Zotit. O ju, që u lindët nga kjo gurrë, shpresojeni mbretërinë e qiejve”. “E bukur: Kisha, që nxjerr në dritë fëmijë. Kisha, që është kraharor, është nëna jonë, përmes Pagëzimit”.

Paqe në Siri

Duke i përshëndetur shtegtarët e gjuhës arabe, posaçërisht të ardhurit nga Lindja e Mesme, Papa i porositi të gjithë besimtarët të luten për Sirinë:

“Të dashur vëllezër e motra, muaji i majit i kushtohet Zojës së Bekuar; ju ftoj ta thelloni devocionin ndaj Nënës së Zotit, duke e thënë çdo  ditë Rruzaren e duke u lutur posaçërisht për paqen në Siri e në mbarë botën”.

09 maj 2018, 13:00