Kërko

Vatican News
Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë 

Papa: heshtja e këtyre kohëve, na mësoftë të dëgjojmë

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku lutet që, në këtë kohë të karakterizuar nga pandemia e nga një heshtje e re, të mësojmë si të dëgjojmë. Gjatë homelisë, flet për harmoninë, që mbretëronte në bashkësitë e para të krishtera: Shpirti Shenjt është në gjendje të bëjë mrekulli, nëse jemi të butë ndaj veprimit të Tij dhe e lejojmë të fitojë mbi tre tundimet, që i përçajnë bashkësitë: paratë, kotësitë dhe thashethemet.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), të martën e javës së dytë të Kohës së Pashkëve. Në hyrje të meshës, foli mbi mundësitë, që na jep heshtja e kësaj periudhe:

          “Në këto kohë ka shumë heshtje. Heshtja mund edhe të ndihet. Kjo heshtje, që është disi e re për të përditshmen tonë, na mësoftë të dëgjojmë, na bëftë ta rrisim aftësinë për të dëgjuar. Të lutemi për këtë”.

          Gjatë homelisë, Papa komentoi pjesën e sotme të Veprës së Apostujve (Vap 4,32-37), që përshkruan jetën e anëtarëve të bashkësisë së parë të krishterë, të cilët kishin një zemër e një shpirt të vetëm. Askush nuk e konsideronte pronë të vetën gjithçka kishte, por ndërmjet tyre, gjithçka ishte e përbashkët e askush nuk lihej të vuante nga ndonjë mungesë. Shpirti Shenjt, pohoi Françesku, është në gjendje të bëjë mrekulli të tilla. Bashkësia e parë e krishterë është model, ideal, shenjë se ç’mund të bëjë Shpirti Shenjt, nëse jemi të butë. Shpirti krijon harmoni. Por, më pas, erdhën problemet dhe ndarjet. Françesku vuri në dukje tre shkaqe përçarjeje: i pari, ka të bëjë me paratë. Të varfërit diskriminohen e paratë e përçajnë bashkësinë, Kishën. Shpesh, pas devijimeve doktrinore, qëndrojnë paratë. Ndërsa varfëria është nëna e bashkimit. Shumë familje përçahen, për shkak të trashëgimisë. Arsyeja e dytë e përçarjes është kotësia, ndjenja se jemi më të mirë se të tjerët dhe fryrja si të ishim pallonj. Gjëja e tretë, që përçan, janë thashethemet, nënvizoi Papa. Djalli vë brenda nesh një lloj nevoje për të folur keq për të tjerët. Shpirti Shenjt vjen të na shpëtojë nga këto tundime të kësaj bote. T’i kërkojmë Zotit, u lut së fundi Papa, të jemi të butë e ta lemë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë e t’i ndryshojë edhe bashkësitë tona, që të gjejnë harmoninë.  

          “Të lindësh nga lart – këto, fjalët e Papës – do të thotë të lindësh me forcën e Shpirtit Shenjt. Ne nuk mund ta marrim Shpirtin Shenjt për vete; vetëm, mund ta lejojmë Atë të na shndërrojë. E butësia jonë ia hap dyert Shpirtit Shenjt: është Ai, që ndryshon, që shndërron, që realizon këtë rilindje nga lart. Është premtimi i Jezusit për të na dërguar Shpirtin Shenjt. Shpirti Shenjt është në gjendje të bëjë mrekulli, gjë që ne as mund ta mendojmë…

Shpirti Shenjt vjen gjithnjë me forcën e vet, për të na shpëtuar nga mënyra e kësaj bote për të trajtuar paratë, nga kotësia e nga thashethemet, sepse Shpirti nuk është mendësia e botës: është kundër saj. Është i aftë të bëjë këto mrekulli, këto gjëra të mëdha. T’i lutemi Zotit për butësinë ndaj Shpirtit Shenjt, që Ai të na shndërrojë e t’i ndryshojë bashkësitë tona famullitare, dioqezane, rregulltare: t’i shndërrojë për të ecur gjithnjë përpara drejt harmonisë, që dëshiron Jezusi për bashkësinë e krishterë”.

Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

"O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje".

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja! 

U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

21 prill 2020, 10:11
Lexo gjithçka >