Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë 

Papa: Zoti i ndihmoftë familjet të bashkohen më shumë në këto kohë të vështira

Gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku vazhdoi të lutet për të sëmurët dhe për familjet, në këtë kohë të karakterizuar nga përhapja e koronavirusit. Në homeli, nënvizoi nevojën për ta pranuar thjeshtësinë e Zotit e për të mos rënë në mëkatin e mendjemadhësisë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi meshën (video e plotë) në lidhje të drejtpërdrejtë me internet nga Shtëpia e Shën Martës, për të dëshmuar afërsinë e tij me besimtarët, që nuk mund të marrin pjesë në Eukaristi, për shkak të emergjencës së koronavirusit. Sot në mëngjes, ai vazhdoi të lutej për të sëmurët dhe për familjet.

“Le të vijojmë të lutemi për të sëmurët. Mendoj për familjet, mbyllur brenda, fëmijët që nuk shkojnë në shkollë, ndoshta edhe prindërit nuk mund të dalin jashtë; disa duhet të jenë në karantinë. Zoti i ndihmoftë të zbulojnë mënyra të reja, shprehje të reja dashurie e bashkëjetese, në këtë situatë të re. Është mundësi e bukur për të rigjetur dashurinë e vërtetë në familje, në mënyrë krijuese. Të lutemi për familjen, që marrëdhëniet brenda saj, në këtë çast, të lulëzojnë gjithmonë për mirë”.

Në homelinë e tij, Françesku komentoi leximet e ditës, marrë nga Libri i dytë i Mbretërve (2 Mbr 5,1-15) dhe nga Ungjilli sipas shën Lukës (Lk 4,24-30). Ja homelia e plotë e Atit të Shenjtë:

Në të dyja tekstet, për të cilat na bën të meditojmë sot Liturgjia, ka një qëndrim që tërheq vëmendjen, një qëndrim njerëzor, por jo dhe aq i mirë: indinjata. Banorët e Nazaretit filluan ta dëgjonin Jezusin, u pëlqente si fliste, por, pastaj, dikush tha: “Po ti në cilin universitet ke studiuar? Ky është djali i Marisë dhe i Jozefit, që punon si marangoz! E ç’mund të na thotë?” E njerëzit u indinjuan. E ky zemërim i çoi drejt dhunës. E ai Jezus, që e admiruan në fillim të predikimit, u dëbua e u shty poshtë malit (shih v. 29).

Edhe Naamani – ishte njeri i mirë ky Naamani, i hapur për fenë - kur profeti i çon fjalë të lahet shtatë herë në Jordan, indinjohet. Po si kështu? “‘Unë mendoja se do të dilte tek unë, do të qëndronte para meje e do ta thërriste Emrin e Zotit, Hyjit të tij, mbi mua, do të ma prekte me dorën e vet vendin e gërbulës e do të më shëronte! Pse a nuk janë më të mira Abana e Farfari, lumenjtë e Damaskut, se të gjitha ujërat e Izraelit për t’u larë në to e për t’u shëruar?’, dhe u kthye duke shfryrë i hidhëruar” (II Re 5,11-12). Me përçmim.

 Edhe në Nazaret kishte njerëz të mirë; por çfarë ka pas këtyre njerëzve të mirë, që i çon ata në indinjatë? E në Nazaret më keq: dhunë. Si njerëzit e sinagogës së Nazaretit, ashtu edhe Naamàni, mendonin se Zoti duket vetëm në mënyrë të jashtëzakonshme, në gjëra jashtë të përditshmes; se Zoti nuk mund të veprojë në gjërat e zakonshme të jetës, në thjeshtësi. Ata e përçmonin thjeshtësinë. I përbuznin gjërat e thjeshta. E Zoti ynë na bën të kuptojmë se gjithmonë vepron në thjeshtësi: në thjeshtësi, në shtëpinë e Nazaretit, në thjeshtësinë e punës së përditshme, në thjeshtësinë e lutjes... Gjëra të thjeshta. Përkundrazi, fryma e kësaj bote na çon në kotësi, vetëm në dukje...

E të dy përfundojnë në dhunë: Naamani ishte shumë i sjellshëm, por ia përplas derën në fytyrë profetit dhe largohet. Kjo është dhunë, gjest dhune. Populli i sinagogës fillon të nxehet e merr vendim për ta vrarë Jezusin, por pa vetëdije, prandaj e ndjek atë për ta hedhur poshtë malit. Indinjata është tundim i shëmtuar, që çon në dhunë.

Disa ditë më parë, më treguan në celular një video të derës së një pallati në karantinë. Ishte aty një person, një zotëri i ri, që donte të dilte. Dhe roja i tha se nuk mundej. E ai e goditi me grusht, me indinjatë, me përbuzje. “E kush je ti, ‘o negër’, që dashke të më pengosh të shkoj?”. Mosrespektimi është qëndrim i mendjemëdhenjve, i ca fodullëve... që janë të varfër në shpirt, plot kreni e jetojnë me iluzionin se janë më shumë nga ç’duken. Është një lloj “klase” shpirtërore, kjo e njerëzve, që indinjohen: madje, shpesh, këta persona kanë nevojë të indinjohen, për t’u ndierë njerëz.

Edhe ne mund të na ndodhë kjo: “shkandulli i farisenjve”, e quajnë teologët, pra, shkandullimi për gjëra që përbëjnë thjeshtësinë e Zotit, thjeshtësinë e të varfërve, thjeshtësinë e të krishterëve, si të thoshin: “Po s’është ky, Zoti. Jo, jo! Zoti ynë është më i kulturuar, më i mençur, më i rëndësishëm. Zoti nuk mund të veprojë me këtë thjeshtësi”. Gjithnjë, indinjata të çon drejt dhunës; si drejt dhunës fizike, ashtu edhe drejt dhunës së thashethemeve, e cila vret njëlloj si dhuna fizike.

Le të mendojmë për këto dy etapa: për indinjatën e njerëzve në sinagogën e Nazaretit dhe për indinjatën e Naamanit, sepse nuk e kuptonin thjeshtësinë e Zotit tonë.

16 mars 2020, 13:30
Lexo gjithçka >