Kërko

Papa Françesku në meshën e Shën Martës Papa Françesku në meshën e Shën Martës  (ANSA)

Papa në Shën Martë: të lutemi për autoritetet e të mos harrojmë të varfërit

Në meshën e mëngjesit, Papa Françesku ftoi njerëzit të luten për të gjithë përgjegjësit, që duhet të marrin vendime lidhur me pandeminë e koronavirusit. Nxiti edhe të mos harrohen njerëzit në nevojë, fëmijët e uritur dhe të ikurit nga lufta.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku vazhdon të na shoqërojë në këtë çast të vështirë me meshën në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, sot, kushtuar Shpirtit Shenjt. Është kremtimi i katërt eukaristik, që transmetohet drejtpërdrejt në internet, pa besimtarë. Që në fillim, Bergoglio i ftoi të gjithë të luten sidomos për autoritetet:

“Le të vazhdojmë të lutemi së bashku, në këtë kohë pandemie, për të sëmurët, për familjarët, për prindërit me fëmijët në shtëpi… por sidomos dua t’ju kërkoj të luteni për autoritetet: ata duhet të vendosin e shpesh, vendosin për masa, që nuk i pëlqejnë popullit. Por është për të mirën tonë. Shpesh, autoritetet ndihen të vetmuar, të pakuptuar. Le të lutemi për qeveritarët tanë, që duhet të marrin vendime e masa: le ta ndiejnë se shoqërohen nga lutja e popullit”.

Duke komentuar Ungjillin e sotëm, marrë nga shën Luka, ku flitet për shëmbëlltyrën e të pasurit e të Lazrit të varfër, Papa Françesku kërkoi të mos jemi indiferentë para dramës së atyre, sidomos fëmijëve, që vuajnë nga uria, ose ikin nga luftrat e gjejnë vetëm mure.

“Ky tregim i Jezusit është shumë i qartë – tha Papa gjatë homelisë – mund të duket si tregim për fëmijë, është shumë i thjeshtë. Jezusi nuk deshi vetëm të tregonte një histori, deshi të thoshte se i gjithë njerëzimi mund të jetojë kështu, edhe ne vetë. Dy njerëz, njëri i kënaqur, që dinte të vishej mirë, që ndoshta shkonte tek stilistët më të mirë të kohës për t’u veshur; kishte veshje të purpurta e prej liri të kushtueshëm. E pastaj, ia kalonte shumë mirë, sepse çdo ditë organizonte bankete. Ishte i lumtur. Nuk kishte shqetësime, merrte ndonjë ilaç kundër kolesterolit, ndoshta, por jeta i shkonte mbarë e mirë. Ishte i qetë.

 Në portën e tij – vijoi Papa tregimin ungjillor – rrinte një varfanjak: quhej Lazër. Ai e dinte se i varfi rrinte aty: e dinte. Por i dukej e natyrshme: ‘Unë ia kaloj mirë e ky… po, kështu është jeta, ç’të bësh’. Shumë-shumë, ndoshta – por Ungjilli nuk e thotë – nganjëherë i çonte ndonjë gjë, ndonjë thërrime. E kështu kaloi jeta e këtyre të dyve. E të dy kaluan përmes Ligjit, që vlen për të gjithë ne: vdekjes. Vdiq i pasuri e vdiq edhe Lazri. Ungjilli thotë se Lazri shkoi në qiell, krah Abrahamit… Ndërsa për të pasurin thotë vetëm: ‘u varros’. Pikë. Aty mbaron.

Ka dy gjëra, që bëjnë përshtypje: fakti, që i pasuri e dinte se e kishte të varfërin në derë e se ai quhej Lazër. Por, kjo s’kishte pikë rëndësie, i dukej e natyrshme. I pasuri vazhdonte punët e veta, që ndoshta, ishin edhe kundër të varfërve. E njihte mirë, ishte i informuar për realitetin. E gjëja e dytë, që më prek jashtëzakonisht, është fjala ‘humnera e madhe’, që Abrahami ia thotë të pasurit. ‘Ndërmjet nesh ka një humnerë të madhe, nuk mund të komunikojmë; nuk mund të kalojmë nga njëra anë në tjetrën’. Është e njëjta humnerë, që ekzistonte edhe në jetë ndërmjet të pasurit e Lazrit: humnera nuk filloi aty, humnera filloi këtu.

Mendoj për dramën e këtij njeriu: - reflektoi Papa Françesku - drama e atij, që është shumë i informuar, por e ka zemrën të mbyllur. Informacioni i këtij njeriu të pasur nuk mbërrin në zemër, ai nuk dinte të mallëngjehej, nuk arrinte të mallëngjehej para dramës së të tjerëve. As të thërriste një nga kamerierët, që i shërbenin në tryezë e t’i thoshte ‘çoji diçka, çoji këtë…’. Drama e informacionit, që nuk zbret deri në zemër. E kjo na ndodh edhe neve. Të gjithë e dimë, sepse e kemi dëgjuar në emisionin e lajmeve, ose e kemi parë në gazeta, sa fëmijë vuajnë nga uria sot në botë; sa fëmijë nuk kanë mjekimet e nevojshme; sa fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë. Kontinente të tëra me këtë dramë: e dimë. Eh të shkretët… e vazhdojmë njëlloj. Ky informacion nuk zbret në zemër e, shumë prej nesh, shumë grupe burrash e grash përjetojnë këtë lloj distance ndërmjet asaj, që mendojnë, asaj, që dinë e asaj, që ndiejnë: mendja është e ndarë nga zemra. Janë indiferentë. Ashtu si i pasuri ishte indiferent para dhimbjes së Lazrit. Kemi humnerën e indiferencës.

Në Lampeduzë, kur shkova herën e parë, - kujtoi Ati i Shenjtë - më erdhi kjo fjalë: globalizimi i indiferencës. Ndoshta ne sot, këtu në Romë, jemi të shqetësuar, sepse ‘dyqanet janë mbyllur e më duhet të shkojë të blej, ose nuk mund të bëj shëtitjen e përditshme e kjo e ajo…’. Të shqetësuar për këto gjëra të vogla, harrojmë fëmijët e uritur, harrojmë njerëzit e shkretë, që kërkojnë liri, në kufijtë e vendeve të ndryshme, këta migrantë të detyruar, që ikin nga uria e nga lufta e gjejnë vetëm mure, mure me hekura, me tela me gjemba, që nuk i lënë të kalojnë. E dimë se ekziston kjo, por nuk na prek deri në zemër… Ne jetojmë në indiferencë: indiferenca është drama e mirëinformimit, pa e ndierë realitetin e tjetrit. Kjo është humnera: humnera e indiferencës.

Pastaj, të bën përshtypje edhe diçka tjetër. Këtu, e dimë emrin e të varfërit, e dimë: Lazër. Edhe i pasuri e dinte, sepse kur ishte në ferr i kërkoi Abrahamit të dërgonte Lazrin: aty, e njohu. Por, nuk ia dimë emrin të pasurit. Ungjilli nuk na thotë si quhej ky zotëri. Nuk kishte emër. E kishte humbur emrin: kishte vetëm mbiemrat, që karakterizonin jetën e tij. I pasur, i pushtetshëm… shumë mbiemra. Këtë bën egozimi: na bën ta humbasim identitetin tonë të vërtetë, emrin tonë e, na nxit të vlerësojmë vetëm mbiemrat. Mendësia e botës na ndihmon për këtë. Kemi rënë në kulturën e mbiemrave, ku vlera jote matet me çfarë ke, me çfarë mund të bësh… Por jo me ‘si quhesh?’: e ke humbur emrin. Këtu të çon indiferenca. Ta humbasësh emrin. Jemi vetëm të pasur, jemi kështu, jemi ashtu. Jemi mbiemra.

T’i lutemi Zotit të na japë hirin që të mos biem në indiferencë, hirin që të gjitha informacionet për dhimbjet njerëzore të na zbresin deri në zemër e të na bëjnë të lëvizim për të tjerët”, përfundoi Papa homelinë e meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës, transmetuar në internet.

12 mars 2020, 13:36
Lexo gjithçka >