Kërko

Papa Françesku, në meshën e Shën Martës Papa Françesku, në meshën e Shën Martës  (AFP or licensors)

Papa në Shën Martë lutet për të burgosurit dhe i fton të gjithë në Kungim shpirtëror

Vijon transmetimi i drejtpërdrejtë në internet për meshën e kremtuar nga Papa Françesku në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Ati i Shenjtë pati një mendim për të burgosurit e, në Solemnitetin e sotëm të Shën Jozefit, kujton rëndësinë e adhurimit, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror.

R.SH. - Vatikan

Papa kremtoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në solemnitetin e Shën Jozefit, fatit të së Lumes Mari Virgjër e Pajtor i Kishës universale. Në fillim të kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë u lut për të burgosurit, të cilët, në këtë emergjencë, që karakterizohet nga shumë kufizime për pandeminë e koronavirusit, ndihen tejet të shqetësuar e të kapur në kurth në qelitë e tyre:

“Të lutemi sot për vëllezërit e motrat e burgosura: ata vuajnë shumë, për shkak të pasigurisë së gjendjes brenda burgut e, edhe pse mendojnë për familjet… si janë, a është ndokush i sëmurë, a u mungon ndonjë gjë. Le t’u qëndrojmë pranë të burgosurve, sot, sepse vuajnë shumë në këtë çast pasigurie e dhimbjeje”.

Duke komentuar Ungjillin e sotëm, Papa foli për shën Jozefin, njeri i drejtë, njeri i fesë, i aftë të hyjë në misterin e Zotit. Pastaj, kujtoi rëndësinë e lutjes së adhurimit. Ja teksti i plotë i homelisë së Atit të Shenjtë:

Ungjilli (Mt 1,16.18-21.24) na thotë se Jozefi ishte “i drejtë”, pra, njeri i fesë, që jetonte me fe. Njeri, që mund të renditet në listën e gjithë atyre njerëzve të fesë, të cilët i kujtuam sot gjatë Leximeve (shih Letrën drejtuar Hebrenjve, kap.11); ata njerëz e jetuan fenë si themel të shpresës, si garanci e gjërave, që nuk shihen dhe, si provë për gjithçka nuk duket.

Jozefi ishte njeri i fesë: prandaj, ishte “i drejtë”. Jo vetëm pse besonte në Zot, por edhe sepse e jetonte fenë. Njeri “i drejtë”. U zgjodh për të edukuar dikë, që ishte njeri i vërtetë, por edhe Zot i vërtetë: do të duhej ndonjë njeri-Zot për të edukuar kështu, por nuk ekzistonte. Hyji zgjodhi një “të drejtë”, një njeri të fesë. I aftë të ishte njeri e të fliste me Zotin, të hynte në misterin e Hyjit. Kjo ka qenë jeta e Jozefit. E jetoi profesionin e vet, jetën e vet prej njeriu dhe hyri në mister. Njeri i aftë të flasë me misterin, të dialogojë me misterin e Zotit. Nuk ishte ëndërrimtar. Hynte në mister. Me të njëjtën natyrshmëri, me të cilën ushtronte zanatin e vet: ishte në gjendje ta bënte mirë, edhe me milimetra, një kënd në dru, e dinte si bëhej; ishte i aftë të hante edhe një milimetër në dru me zdrukth, në sipërfaqen e tij. Ishte i saktë. Por ishte edhe i aftë të hynte në misterin, që ai vetë nuk mund ta kontrollonte.

Kjo është shenjtëria e Jozefit: ta kalonte jetën, ta ushtronte zanatin e vet me drejtësi, me profesionalitet; e kur duhej, të hynte në mister. Kur Ungjilli na flet për ëndrrat e Jozefit, na bën të kuptojmë pikërisht këtë: ai hyn në mister.  

Mendoj sot për Kishën, në këtë solemnitet të shën Jozefit. Besimtarët tanë, ipeshkvijtë, meshtarët, murgeshat e rregulltarët, papët: a janë të aftë të hyjnë në mister? Apo kanë nevojë ta rregullojnë jetën sipas udhëzimeve, që i mbrojnë nga çka nuk mund të kontrollojnë? Kur Kisha e humbet mundësinë të hyjë në mister, humbet edhe aftësinë për të adhuruar. Lutja e adhurimit ka kuptim vetëm kur hyjmë në misterin e Zotit.

Le t’i lutemi Hyjit për hirin që Kisha ta jetojë konkretisht jetën e përditshme e të hyjë “konkretisht” – ndër thonjëza – edhe në mister. Nëse nuk mund ta bëjë këtë, do të jetë një Kishë gjysmake, një shoqatë e përshpirtshme, që ndjek udhëzimet, por pa sensin e adhurimit të Zotit. Të hysh në mister nuk do të thotë të ëndërrosh; të hysh në mister do të thotë të adhurosh. Të hysh në mister do të thotë të bëjmë sot atë, që do të bëjmë në të ardhmen, kur të jemi në praninë e Zotit: të adhurojmë. Zoti i dhashtë Kishës këtë hir.

 Para se ta përfundonte meshën, Papa i nxiti të gjithë besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror, në këtë kohë të vështirë, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që e ka pezulluar kremtimin e meshëve me pjesëmarrjen e njerëzve, për të shmangur kontaktet. Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik. Ja fjalët e tij për Kungimin shpirtëror:

 I ftoj të gjithë ata, që janë larg dhe e ndjekin meshën në televizion, të bëjnë kungimin shpirtëror.

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

19 mars 2020, 12:43
Lexo gjithçka >