Kërko

Papa kremton meshën në Shën Martë Papa kremton meshën në Shën Martë 

Papa lutet për viktimat e koronavirusit dhe për familjarët e tyre

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku u lut për ata, që vdesin të vetmuar, pa mundësinë për të përshëndetur të afërmit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjatë homelisë, na ftoi ta kuptojmë kur Jezu Krishti kalon në jetën tonë.

R.SH. - Vatikan

Edhe sot në mëngjes, Papa Françesku kremtoi meshën në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës (video e plotë), transmetuar drejtpërdrejt në televizion e në internet që nga 9 marsi, pasi Ati i Shenjtë dëshiron të tregojë afërsinë e tij me besimtarët, të cilët nuk mund të marrin pjesë në kremtim, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në të Dielën IV të Kreshmëve, Papa u lut sërish për viktimat e Covid-19:

“Këtyre ditëve, dëgjojmë lajme për shumë të vdekur: burra, gra, që vdesin të vetmuar, pa mundur të përshëndesin të afërmit e tyre. Le të mendojmë e të lutemi për ta. Por edhe për familjet, që nuk mund t’i shoqërojnë të dashurit e tyre në çastin e fundit. Lutja jonë e veçantë është për të vdekurit e për familjarët e tyre”.

Në homeli, duke komentuar Ungjillin e ditës (Gjn 9,1-41), që flet për shërimin e të verbërit, Françesku i nxiti besimtarët ta kuptojnë kur Jezu Krishti kalon në jetën e tyre e ta lejojnë atë t’ua ndryshojë zemrën. Ja homelia e plotë:

Kjo pjesë e Ungjillit sipas Gjonit flet vetë. Është kumt i Jezu Krishtit e, edhe katekizëm. Dua vetëm të përmend një gjë. Shën Augustini ka një frazë, që më bën përshtypje: “Kam frikën e Krishtit kur kalon” (Timeo Dominum transeuntem). “Kam frikë mos kalojë Krishti” – “Po pse e ke frikë Zotin?” – “Kam frikë se mos nuk e kuptoj që është Krishti dhe e lë të kalojë”. Një gjë është e qartë: në praninë e Krishtit çelen ndjenjat e vërteta të zemrës, qëndrimet e vërteta; bëhen të dukshme. Ky është hir e, pikërisht për këtë shën Augustini kishte frikë ta linte Jezusin të kalojë, pa e kuptuar se po kalonte.

Në Ungjillin e sotëm është e qartë: kalon, shëron një të verbër e shkakton shkandull. E pas kësaj, del në pah ç’kanë të mirë e të keqe njerëzit në zemër. I verbëri… Të çudit urtia e të verbërit, mënyra si përgjigjet ai. Ishte mësuar të lëvizte duke prekur me duar, e ndiente rrezikun, i ndiente gjërat e rrezikshme, që mund ta bënin të rrëshqiste. E lëvizte si i verbër. Argumentonte qartë, saktë e, pastaj, përdorte edhe ironinë, ia lejonte vetes këtë luks.

 Dijetarët e Ligjit i dinin të gjitha normat, të gjitha. Po mbeteshin aty. Nuk e kuptonin kur kalonte Zoti. Ishin të ngurtë, kapeshin pas zakoneve të tyre. Edhe Jezusi e thotë në Ungjill: kapeshin pas zakoneve të tyre. E, nëse për të ruajtur këto zakone, u duhej të bënin ndonjë padrejtësi, nuk ishte problem, sepse normat u thoshin se ajo nuk ishte padrejtësi; e ajo ngurtësi i çonte drejt padrejtësive. Para Krishtit, del në pah kjo ndjenjë mbylljeje.

Vetëm këtë. Unë ju këshilloj të gjithëve të merrni në dorë Ungjillin, kapitullin 9 të Ungjillit sipas Gjonit, ta lexoni në shtëpi, të qetë. Një, dy herë, për të kuptuar mirë ç’ndodh kur kalon Jezusi: dalin në pah ndjenjat. Duhet kuptuar mirë ç’na thotë shën Augustini: kam frikën e Zotit kur kalon, kam frikë se nuk e kuptoj dhe nuk e njoh. E nuk ndryshoj… Mos harroni: lexojeni sot një, dy, tre herë kapitullin 9 të shën Gjonit, për gjithë kohën që dëshironi.

Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungimin shpirtëror. Ja lutja e Papës:

Jezusi im, besoj se je i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e shpirti im të kërkon. E pasi tani nuk kam mundësi të të marr realisht në të Shenjtnueshmin Sakrament, eja tek unë, të paktën, shpirtërisht. Si të ishe vërtetë i pranishëm, unë të përqafoj dhe bashkohem plotësisht me Ty. Mos lejo që të ndahem asnjëherë prej Teje.

22 mars 2020, 11:13
Lexo gjithçka >