Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë 

Papa lutet për kë është në vështirësi ekonomike, për shkak të koronavirusit

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku, duke pasur ndërmend krizën ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, u lut për familjet, që kanë probleme, pasi nuk kanë mundësi të punojnë. Në homeli, Ati i Shenjtë ftoi të intensifikohet lutja në këtë periudhë, me fe, këmbëngulje e guxim.

R.SH. - Vatikan

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës e transmetuar drejtpërdrejt në internet (video e plotë), Papa Françesku pati fjalë plot besim, duke filluar që nga antifona e hyrjes: “Unë shpresën e kam në Zotin, me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate, sepse e shikove mjerimin tim”. Ati i Shenjtë u lut për të gjithë ata, që po vuajnë nga kriza ekonomike, shkaktuar prej pandemisë së koronavirusit, e cila ka bllokuar shumë veprimtari.

          “Të lutemi sot për njerëzit, të cilët, për shkak të pandemisë, po fillojnë t’i ndiejnë problemet ekonomike, sepse nuk mund të punojnë e kjo ndikon mbi familjen. Të lutemi për njerëzit, që kanë këtë problem”.

          Gjatë homelisë, duke komentuar Ungjillin e sotëm sipas Gjonit (Gjn 4,43-54), i cili flet për shërimin e djalit të nëpunësit të mbretit, Papa Françesku i ftoi gjithë besimtarët të luten me fe, këmbëngulje e guxim, sidomos në këtë periudhë. Ja teksti i plotë i homelisë së Atit të Shenjtë:

          Ky baba kërkon shëndetin për të birin (shih Gjn 4,43-54). Zoti i qorton pak të gjithë, por edhe atë: “Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni” (Gjn 4,48). Nëpunësi, në vend që të heshtëte e ta mbyllte gojën, vazhdon, duke i thënë: “Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija” (v. 49). E Jezusi i përgjigjet: “Shko, djali yt është shëndosh”(v. 50).

          Janë tri, gjërat që duhen për lutjen e vërtetë. E para është feja: “Nëse nuk keni fe…”. E shpesh, lutja është vetëm me zë, me gojë, por nuk vjen nga besimi i zemrës; ose është besim i mekët… Le të mendojmë për një baba tjetër, atë të djalit të pushtuar nga demonët, kur Jezusi iu përgjigj: “Gjithçka është e mundur për atë, që beson”; ky baba i tha qartë: “Besoj, por ma shto fenë” (shih Mk 9,23-24). Besimi tek lutja… Të lutemi me fe, si kur e bëjmë këtë jashtë [një vendi kulti], ashtu edhe kur vijmë këtu e Zoti është i pranishëm: a kam fe apo është thjesht, zakon? Të kemi kujdes në lutje: të mos biem në zakonin e lutjes pa vetëdijen se Zoti është aty, se po flas me Zotin e se Ai është në gjendje të ma zgjidhë problemin. Kushti i parë për lutjen e vërtetë është feja.

          Kushti i dytë, të cilin na e mëson vetë Jezusi, është këmbëngulja. Disa luten, por hiri nuk mbërrin: nuk janë këmbëngulës, sepse, në fund të fundit, nuk kanë nevojë për atë hir, ose nuk kanë fe. E vetë Jezusi, në shëmbëlltyrë, na tregon për atë zotërinë, që shkon tek fqinji në mes të natës dhe i kërkon bukë: këmbëngulja e atij, që troket në derë (shih Lk 11,5-8). Ose për vejushën, që shkon tek gjykatësi i padrejtë: e ngul këmbë, e ngul këmbë prapë e prapë. Kjo është këmbëngulja (shih Lk 18,1-8). Feja e këmbëngulja ecin së bashku, pasi nëse ke fe, je i sigurt se Zoti do të ta japë çfarë i kërkon. E nëse Zoti të lë të presësh, trokit, trokit e trokit, deri sa Zoti të ta japë atë hir. Por këtë, Zoti nuk e bën që ti t’ia ndiesh mungesën, ose pse thotë “më mirë të presë”, jo! E bën për të mirën tonë, që t’i marrim gjërat seriozisht. Ta marrim seriozisht lutjen, jo si papagalli: bla, bla, bla e asgjë më shumë. Vetë Jezusi na qorton: “E kur të thoni uratë, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet urata nëse thonë shumë fjalë” (Mt 6,7). Jo! Nevojitet këmbëngulja. Duhet feja.

          E gjëja e tretë, që dëshiron Zoti në lutje është guximi. Ndokush mund të mendojë: u dashka guxim për t’u lutur e për të ndenjur para Zotit? Duhet! Guximi për të ndenjur aty e për të shkuar përpara, madje, edhe gati sikur – s’dua të them ndonjë herezi – po gati sikur ta kërcënonim Zotin. Guximi i Moisiut para Zotit, kur Hyji donte ta zhdukte popullin e ta bënte kryetar të një populli tjetër. I tha: “Jo. Unë, bashkë me popullin” (shih Dal 32,7-14). Guxim. Guximi i Abrahamit, kur negocion shpëtimin e Sodomës: “E po të ishin 30, e po të ishin 25, e po të ishin 20…”: aty shihet guximi (shih Zan 18,22-33). Ky virtyti i guximit duhet shumë. Jo vetëm për veprat apostolike, por edhe për lutjen.

          Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

          Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

23 mars 2020, 11:39
Lexo gjithçka >