Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës 

Papa lutet për ata, që nuk arrijnë të reagojnë, të frikësuar nga pandemia

Në Meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku iu lut Zotit t’i ndihmojë të frikësuarit nga koronavirusi. Gjatë homelisë, i ftoi besimtarët ta falënderojnë Zotin, nëse e kuptojnë se janë mëkatarë, sepse në këtë mënyrë, mund të kërkojnë mëshirën e Tij.

R.SH. - Vatikan

Antifona e hyrjes në Meshën e së hënës, në javën V të Kreshmëve, është një lutje e fuqishme drejtuar Hyjit të Gjithëpushtetshëm: “Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse po më nëpërkëmbin, gjithë ditën po më shtypin armiqtë”. Në meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në transmetim të drejtpërdrejtë, përmes mediave (video e plotë), Papa Françesku u lut për njerëzit e frikësuar nga pandemia e koronavirusit:

“Të lutemi o Zot, për shumë njerëz, që nuk arrijnë të reagojnë: kanë frikë nga kjo pandemi. Zoti i ndihmoftë të ngrihen, të reagojnë për të mirën e gjithë shoqërisë, të gjithë bashkësisë”.

Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi Leximet e sotme, marrë nga Libri i Danielit profet (Dn 13,1-9.15-17.19-30.33-62) e nga Ungjilli sipas Gjonit (Gjn 8,1-11), ku tregohet për dy gra, që disa burra donin t’i dënonin me vdekje: e para është Suzana e pafajshme dhe e dyta, kurorëthyesja e kapur në flagrancë. Françesku nënvizon se akuzuesit, në rastin e parë, janë gjykatës të korruptuar,ndërsa në të dytin, hipokritë. Sa u përket grave, Zoti vendos drejtësinë për Suzanën, duke e liruar nga të korruptuarit, që dënohen, ndërsa e fal kurorëthyerësen, duke e liruar nga skribët e farisenjtë hipokritë. Shohim qartë drejtësinë e mëshirën e Hyjit, që pasyrohen më së miri në Psalmin e sotëm: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon… Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja, sepse ti je me mua”. Papa i ftoi besimtarët ta falenderojnë Zotin, kur e dinë se janë mëkatarë, sepse kështu, mund t’i kërkojnë me besim t’i falë. E duke komentuar historinë e Suzanës e të kurorëthyerëses, nënvizoi:

Çfarë bën Zoti me këta njerëz? Gruan e pafajshme e shpëton, i jep të drejtë. Gruan mëkatare e fal. Gjykatësit e korruptuar i dënon; hipokritët i ndihmon të ndryshojnë e para popullit, thotë: “Vërtet e keni? Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin” e një e nga një, ata largohen. Përdor edhe ironinë këtu, shën Gjoni apostull: “Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve”. U lë pak kohë për t’u penduar; të korruptuarit nuk i fal, thjesht, sepse i korruptuari nuk është në gjendje të kërkojë falje, pasi e ka kapërcyer atë kufi… Korrupsioni ia ka hequr edhe aftësinë për t’u turpëruar e për të kërkuar falje, që e kemi të gjithë. I korruptuari është i sigurt, ecën përpara, shkatërron, shfrytëzon njerëzit si kjo grua, shkel mbi gjithçka e shkon përpara. Kujton se është Zot. Por Zoti ndihmon gratë. Suzanën e çliron nga këta të korruptuar, ndërsa tjetrës i thotë: “As unë nuk po të dënoj. Shko, por tani e tutje mos mëkato më!” Dhe e lë të largohet. E kjo, para popullit. Në rastin e parë, populli lëvdon Zotin; në rastin e dytë, populli mëson. Mëson ç’është mëshira e Hyjit.

Secili prej nesh ka historinë e vet. Secili prej nesh ka mëkatet e veta. E nëse nuk të kujtohen, mendo pak, se do t’i gjesh. Falendero Zotin nëse i gjen, sepse nëse kjo nuk ndodh, do të thotë se je i korruptuar. Secili prej nesh ka mëkatet e veta. Le ta shohim Zotin, që vendos drejtësinë, por është edhe shumë i mëshirshëm. Të mos kemi trup që jemi pjesë e Kishës: të turpërohemi se jemi mëkatarë. Kisha është nëna e të gjithëve. Ta falenderojmë Zotin që s’jemi të korruptuar, por jemi mëkatarë. E secili prej nesh, duke parë si vepron Jezusi në disa raste, të ketë besim në mëshirën e Zotit. E të lutet, me besim në mëshirën e Hyjit… të lutet për faljen. “Sepse Zoti më prin shtigjeve të drejta, në sajë të dashurisë së Emrit të vet. Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja, sepse ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim”.

Së fundi, Papa Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

30 mars 2020, 10:29
Lexo gjithçka >