Kërko

Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa lutet për murgeshat, që rrezikojnë e japin jetën në ndihmë të të sëmurëve

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku u lut për murgeshat, që u qëndrojnë pranë të sëmurëve e të varfërve, duke kujtuar veçanërisht Bijat e dashurisë së Shën Vinçenc de Paolit, të cilat, që prej 98 vitesh, organizojnë në Vatikan, shpërndarjen e ushqimeve e të ilaçeve për familjet në nevojë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot Meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit tonë Jezu Krisht, që kujton çastin kur engjëlli i tha shën Marisë se në kraharorin e saj do të mishërohej Hyji. Në fillim të meshës, Ati i Shenjtë Bergoglio u lut për murgeshat vinçenciane, që në Vatikan administrojnë një depo për shpërndarjen e ushqimeve e të ilaçeve për të varfërit. U lut edhe për të gjitha murgeshat, që kujdesen për të sëmurët, sidomos në këtë periudhë pandemie nga koronavirusi. Kujtojmë se 19 murgesha engjëllore, që kanë shtëpitë e tyre edhe në Shqipëri e në Kosovë, si edhe 40 murgesha kamiliane, rezultojnë pozitive me koronavirus në Romë. Institutet e tyre janë izoluar në karantinë. Fatkeqësisht, njëra prej motrave engjëllore ndërroi jetë.

 “Sot, festa e Mishërimit të Zotit – u lut Papa Françesku – motrat Bija të dashurisë së Shën Vinçenc de Paolit, që drejtojnë dispanserinë e Shën Martës e shërbejnë në të që prej 98 vitesh, janë këtu në meshë, përtërijnë kushtet së bashku me të gjitha simotrat në çdo anë të botës. Dua ta ofroj sot meshën për to, për Kongregatën që punon gjithmonë me të sëmurët, me të varfërit, ashtu si këtu që prej 98 vitesh, si edhe për të gjitha murgeshat, që po shërbejnë në këtë çast, duke u kujdesur për të sëmurët, pavarësisht se rrezikojnë e japin jetën”.

Gjatë homelisë, Papa Françesku reflektoi për Misterin e Mishërimit të Zotit, duke komentuar Ungjillin sipas Lukës, që na propozon Solemniteti i sotëm (Lk 1,26-38). Ja fjalët e Atit të Shenjtë:

Shën Luka ungjilltar mund ta dinte këtë fakt vetëm sepse e ka dëgjuar nga Zoja. Duke dëgjuar Lukën, dëgjojmë Zojën, që tregon për këtë mister. Jemi para misterit. Ndoshta, gjëja më e mirë që mund të bëjmë tani është ta rilexojmë këtë pjesë, duke menduar se është pikërisht Zoja, që e tregon:

Në atë kohë, 26 Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” 29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. 30 Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim”. 34 Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 35 Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 38 Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

“Ky është misteri”, ishin fjalët e fundit të Papës Françesku, i cili e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të kungohen shpirtërisht. Kjo, lutja e Atit të Shenjtë:

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

25 mars 2020, 11:17
Lexo gjithçka >