Kërko

Vatican News
Papa Françesku, gjatë meshës në Shën Martë Papa Françesku, gjatë meshës në Shën Martë 

Papa lutet për mjekët e për punonjësit shëndetësorë, që po japin jetën

Sot, në Meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku u lut për punonjësit shëndetësorë, që po impenjohen në maksimum për të ndihmuar të sëmurët nga koronavirusi, veçanërisht në Itali. U lut edhe për autoritetet, që nganjëherë nuk kuptohen nga popullsia e detyrohen të marrin vendime të vështira. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë ftoi të rizbulohet Zoti si Atë i mirë e shpjegoi si të rrëfehemi para Zotit, përmes Punës së Pendimit, në mungesë të meshtarit.

R.SH. - Vatikan

Papa kremtoi sot Meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), duke kujtuar punën e madhe, që po bëjnë mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë, në veçanti, në zonat më të prekura nga koronavirusi.

“Dje – tregoi gjatë meshës – mora një mesazh nga një meshtar bergamask, që më kërkon lutje për mjekët e Bergamo-s, Treviglio-s, Brescia-s, Cremona-s, të cilët s’po ia dalin dot më; me të vërtetë, po japin jetën për të ndihmuar të sëmurët, për të shpëtuar jetën e të tjerëve. E të lutemi edhe për autoritetet; për ta, administrimi i këtij çasti nuk është i lehtë e shpesh, nuk kuptohen. Si mjekët, personeli spitalor, vullnetarët e shëndetësisë, ashtu edhe autoritetet, në këtë çast janë shtylla, që na ndihmojnë të ecim përpara e na mbrojnë nga kjo krizë. Të lutemi për ta”.

Duke komentuar Leximin e parë, marrë nga Libri i Ozesë profet (Oz 14,2-10), Papa nxiti të flasim për Zotin jo si për një gjykatës, por si për një Atë të mirë, që na do e na fal gjithmonë. E, duke kujtuar ç’thotë Katekizmi i Kishës Katolike, shpjegoi si të rrëfehemi, kur nuk është e mundur të shkojmë tek meshtari. Ja homelia e plotë:

Kur lexoj, ose dëgjoj pjesën e Ozesë profet, në Leximin e parë: ‘Kthehu o Izrael kah Zoti, Hyji yt, kthehu”… kur e dëgjoj, më vjen ndërmend një këngë, që këndonte Carlo Buti, 75 vite më parë e, që dëgjohej me shumë kënaqësi në familjet italiane të Buenos Airesit: “Kthehu tek yt atë. Ninullë do të të këndojë prapë”. Kthehu: është yt atë, që të thotë të kthehesh. Zoti është ati yt; nuk është gjykatës, është babai yt: “Kthehu në shtëpi, dëgjo, eja”. E ai kujtim – unë isha djalosh – më çon menjëherë tek ati i kapitullit 15 të Shën Lukës, që thotë: “E pa të birin, që vinte nga larg”, e pa atë djalë, që kishte ikur me të gjitha paratë dhe i kishte harxhuar kot. Por, nëse e pa nga larg, domethënë se e priste. Ngjitej në tarracë – sa e sa herë në ditë! – për ditë e ditë me radhë, muaj, vite ndoshta, duke pritur të birin. E pa nga larg. Kthehu tek yt atë, kthehu tek Ati Qiellor. Ai të pret. Është dhembshuria e Zotit që flet, sidomos gjatë Kreshmëve. Është koha të mendojmë për shpirtin tonë e ta kujtojmë Atin, është koha për t’u kthyer tek ai.

 “Jo, o atë, kam turp të kthehem sepse… A e di ti se unë kam bërë shumë të këqia, vërtet shumë…”. Çfarë thotë Zoti? “Kthehu, unë do të të shëroj nga pabesia jote, do të të dua thellësisht, sepse zemërimi m’u largua. Do të jem si vesa e mëngjesit; do të lulëzosh si lil e do të zësh rrënjë si pemët e Libanit”. Kthehu tek Ati yt, që të pret. Zoti i dhembshurisë do të na shërojë; do të na shërojë nga shumë e shumë plagë të jetës e nga shumë gjëra të këqia, që kemi bërë. Secili ka të vetat!

 Le të mendojmë këtë: të kthehemi tek Zoti do të thotë të kthehemi tek përqafimi i Atit Qiellor. E le të mendojmë edhe për premtimin tjetër, që bën Isaia: “Edhe në qofshin mëkatet e tua kuq si gjaku, unë do t’i bëj bardh si bora”. Hyji është i aftë të na shndërrojë, ta ndryshojë zemrën, por na kërkon hapin e parë: kthimin. Nuk do të thotë të shkojmë te Zoti, jo: do të thotë të kthehemi në shtëpi.

Kreshmët kanë gjithnjë në qendër kthimin e zemrës, që në ritualet e krishtera, merr formë në Sakramentin e Rrëfimit. Është çasti – e jo që “të na dalin llogaritë”, nuk më pëlqen kjo – për ta lejuar Zotin të na zbardhojë, të na purifikojë, të na përqafojë. Unë e di se shumë prej jush, për Pashkë, shkojnë të rrëfehen për t’u takuar me Zotin. Por shumë mund të më thonë sot: “O atë, ku ta gjej një meshtar, një rrëfyestar, sepse as që mund të dal nga shtëpia? E unë dua të bëj paqe me Zotin, dua që Ai i Lumi të më përqafojë, që Ati im të më përqafojë… Si t’ia bëj kur nuk gjej meshtarë?”. Bëj atë, që të thotë Katekizmi. Është tejet i qartë: nëse nuk gjen meshtarë për t’u rrëfyer, fol me Zotin, është Ati yt e, thuaji të vërtetën: “O Zot, kam bërë këtë e atë… Më fal”, e kërkoi falje me gjithë zemër, me Punën e Pendesës e, premtoji: “Më vonë do të rrëfehem, por Ti më fal tani”. E menjëherë do të kthehesh në hirin e Tënzot. Ti vetë mund t’i afrohesh faljes së Zotit, pa pasur pranë ndonjë meshtar, siç na mëson Katekizmi. Mendojeni vetë kur është momenti! E ky është çasti i duhur, çasti i përshtatshëm. Puna e Pendesës thënë më gjithë zemër, në mënyrë që shpirti juaj të bëhet bardh si bora.

 Do të ishte bukur që sot t’ju tingëllonte në vesh thirrja “kthehu”, “ kthehu tek babai, kthehu tek yt atë”. Ai të pret e do të bëjë festë për ty.

Edhe sot, Papa Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët për Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë.

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

20 mars 2020, 12:06
Lexo gjithçka >