Kërko

Vatican News
Papa gjatë kremtimit të Meshës në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan Papa gjatë kremtimit të Meshës në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan  (Vatican Media)

Papa: Zoti do të na gjykojë me të njëjtën masë me të cilën ne gjykojmë të tjerët

Stili i jetës sonë, mënyra që kemi për t’i konsideruar të tjerët, duhet të jetë plotësisht e krishterë, do të thotë, bujare e plot dashuri, dhe të mos frikësohemi nga poshtërimet, sepse me të njëjtën masë me të cilën ne gjykojmë, edhe ne do të gjykohemi në mbarim të ekzistencës sonë. Këtë vuri në pah Papa, nga pjesa e Ungjillit të sotëm nga Marku, në homelinë e Meshës, kremtuar në kapelën e Shën Martës, në Vatikan.

R.SH.- Vatikan

Pjesa e Ungjillit të Markut ( Mk 4, 21-25), që na propozon sot liturgjia, është e pasur në fraza dhe këshilla të Jezusit.  Papa Françesku zgjodhi njërën prej tyre, për t’u ndalur e reflektuar në një dialog të vazhdueshëm me besimtarët e pranishëm në kapelën e shën Martës.

Masa e stilit të krishterë

"Me atë masë që të matni, me atë do t’ju matet”. Të gjithë ne, pohoi Papa, i bëjmë llogarit me jetën, i bëjmë me jetën e tanishme dhe mbi të gjitha, do t’i bëjmë në fund të jetës sonë, prandaj kjo frazë e Jezusit "na tregon pikërisht si do të jetë ai çast", me fjalë tjera si do të jetë gjykimi. Sepse - vazhdoi Ati i Shenjtë Françesku - nëse pjesa e Lumnive ungjillore dhe kapitulli i 25-të i Ungjillit të Mateut na tregojnë "gjërat që duhet t’i bëjmë" - si t'i bëjmë, "stilin sipas të cilit duhet të jetojmë" - "masa", “është ajo që thotë Zoti Jezus këtu":

Me çfarë mase unë i mat të tjerët? Me çfarë mase e vlerësoj vetveten? A është kjo një masë bujare, plot me dashuri të Zotit, apo është masë e vogël? E mos të harrojmë se me këtë masë do të gjykohem, nuk do të jetë një tjetër: pikërisht me atë masë që unë veproj. Cili është niveli në të cilin e kam vendos pikën e masës? Në një nivel të lartë? Duhet të mendojmë për këtë. E këtë e shohim jo vetëm, jo aq në gjërat e mira që bëjmë ose në  gjërat e këqija që bëjmë, por në stilin e vazhdueshme të jetës që kemi.

Zoti që flijon vetveten është shembull

Secili prej nesh - nënvizoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit - ka në fakt një stil, "një mënyrë për të matur vetveten, gjërat dhe të tjerët" e do të jetë e njëjta masë që Zoti do ta përdorë me ne. Prandaj - shpjegoi Papa - kush mat apo gjykon me egoizëm, ashtu që do të gjykohet; kush nuk ka mëshirë dhe për t’u ngjitur sa më lartë në jetë, "është në gjendje të shkelë kokën e të gjithëve", do të gjykohet në të njëjtën mënyrë, do të thotë "pa mëshirë". E këtu Papa propozoi stilin e jetesës së krishterë dhe shpjegoi se cili duhet të jetë shembulli që duhet të ndjekim gjatë jetës sonë:

Si i krishterë e pyes veten se cila është pika e referimit, cila është pika e krahasimit që ta dij nëse jam në nivelin e krishterë, nëse jam në nivelin që e do Jezusi? Po këtë e kuptoj nga aftësia që kam për t’i duruar poshtërimet, nga aftësia që kam për t’i vuajtur përbuzjet. Një i krishterë që nuk është në gjendje t’i bartë e durojë poshtërimet e jetës, i mungon diçka. Ai është një i krishterë "sa për sy e faqe" ose për interes. "Po pse, o Atë, duhet bërë këtë?". Sepse kështu bëri Jezusi, Ai e përuli vetveten, thotë Shën Pali: "e përuli vetveten deri në vdekje, deri në vdekje në kryq". Ai ishte Zoti, por nuk u kap për atë: e përuli vetveten. Ky është shembulli që kemi, të cilin duhet të ndjekim.

Mëkatarë, sipërmarrës apo të krishterë?

E si shembull të një stili "tokësor" të jetesës, që është i paaftë për të ndjekur shembullin e Jezusit, Papa kujtoi "ankesat" për të cilat e njoftojnë ipeshkvijtë kur kanë vështirësi për t’i transferuar meshtarët nëpër famullitë kishtare të cilat konsiderohet "të një kategorie më të ulët" dhe nuk janë të mëdha siç do të donin, prandaj e përjetojnë transferimin e tyre si ndëshkim. Ja, pra, se duhet ta njoh "stilin tim", "mënyrën time të gjykimit", komentoi Papa, nga sjellja që kam përballë përvuajtërimeve e vështirësive, këtu shohim: "masën me të cilën e gjykojmë jetën e kësaj bote, masën me të cilën e gjykojmë mëkatarin, sipërmarrësin, të krishterin". E Papa e përfundoi homelinë duke thënë:

" Me atë masë që matni, me atë do t’ju matet, me të njëjtën masë. Nëse është masë e krishterë, që ndjek Jezusin, rrugën e tij, me të njëjtën masë do të gjykohem, me shumë, shumë mëshirë, me shumë dhembshuri, me shumë përdëllim. Por nëse masa ime e gjykimit është sipas kësaj bote dhe fenë e krishterë e përdor vetëm sa për sy e faqe, po, shkoj në meshë, por gjithsesi jetoj sipas kësaj bote, unë do të matem me këtë masë. Prandaj, t'i kërkojmë Zotit hirin që të jetojmë si të krishterë e sidomos të mos kemi frikë nga kryqi, nga vuajtjet e poshtërimet, sepse kjo është udha që zgjodhi Jezusi për të na shpëtuar, e kjo është ajo që garanton se masa ime është e krishterë: aftësia për të mbajtur kryqin, aftësia për të vuajtur poshtërimin.

30 janar 2020, 14:23
Lexo gjithçka >