Kërko

Papa Françesku kremton meshën, në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën, në Shtëpinë e Shën Martës  (@VaticanMedia)

Papa në Shën Martë: nuk paguajmë për t’u bërë të krishterë, është dhuratë e Zotit

Nuk është e krishterë të kërkosh miq me ndikim, që të ndihmojnë për të bërë karrierë kishtare. Papa Françesku e theksoi me forcë këtë mendim në homelinë e meshës, në Shtëpinë e Shën Martës, duke kujtuar se Zoti na zgjedh falas e se thirrjes së Tij duhet t’i përgjigjemi me besnikëri.

R.SH. - Vatikan

Të jesh i krishterë, meshtar apo ipeshkëv, është dhuratë falas e Zotit. Nuk blihet. E shenjtëria ka të bëjë pikërisht me “ruajtjen” e kësaj dhurate, marrë falas e jo për meritat tona. Papa Françesku e kujtoi këtë në homelinë e meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë reflektoi sidomos mbi Psalmin 88 dhe mbi Leximin e parë të liturgjisë, marrë nga Libri i Parë i Samuelit ( 1Ssm 16,1-13a). Të dyja leximet kanë të bëjnë me shpalljen e Davidit mbret, i zgjedhur dhe i vajuar nga Zoti. Vaji i shugurimit, ose Bagmi, përdoret edhe sot e kësaj dite për meshtarët e ipeshkvijtë, kujtoi Papa zanafillën e një riti të njohur në Kishë. Edhe ne të krishterët, kur marrim Sakramentin e Pagëzimit, nënvizoi Françesku, na bëjnë shenjën e kryqit me vaj, me Bagmin shenjt. Davidi ishte djalë i ri, nuk kishte merita të veçanta sipas të tjerëve, që madje, e konsideronin problematik. Ndërsa të gjithë luftonin kundër filistejve, kujtoi Papa historinë e asaj kohe, Davidin e kthenin mbrapsht që të kujdesej për grigjën e dhenve. Por Zoti do t’i jepte një grigjë tjetër. Davidi u bë pinjolli i trungut të Jeseut, nga i cili rrjedh Jezu Krishti. 

Zoti na zgjedh falas

Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit në Meshë të reflektonin mbi faktin se Zoti zgjodhi më të voglin ndër tetë djem, që nuk kishte merita të veçanta, madje, nuk ishte as shumë i përshpirtshëm e, megjithatë, Hyji caktoi pikërisht atë të ulej në fronin e mbretit. Kjo tregon, nënvizoi Papa, se Zoti na zgjedh falas, pa menduar nëse kemi merita apo jo:

“Kur Zoti zgjedh, tregon lirinë dhe shpirtmadhësinë e Tij. Le të mendojmë për të gjithë ne, që jemi këtu: pse na zgjodhi Zoti? ‘Jo po, sepse jemi nga familje të krishtera, me kulturë të krishterë...’. Jo! Shumë vetë nga familje të krishtera, me kulturë të krishterë, nuk e pranojnë Zotin, nuk e duan. Por si vallë jemi këtu, të zgjedhur nga Zoti? Falas, pa asnjë meritë, falas. Zoti na zgjodhi falas. Ne nuk kemi paguar asgjë për t’u bërë të krishterë. Ne meshtarët, ipeshkvijtë, nuk kemi paguar asgjë për t’u bërë meshtarë dhe ipeshkvij - të paktën kështu mendoj unë, apo jo? Sepse ka edhe nga ata, që duan t'i ngjitin shkallët e së ashtuquajturës karrierë kishtare, të cilët sillen në mënyrë simoniake, kërkojnë miq me peshë për t’u bërë kështu e ashtu… ambiciozë. Jo, kjo nuk është e krishterë. Të jesh i krishterë, të jesh i pagëzuar, të jesh i shuguruar meshtar apo ipeshkëv, është diçka që të jepet falas. Dhuratat e Zotit nuk mund të blihen”.

Duhet ta ruajmë dhuratën

 Vajimi i Shpirtit Shenjt është falas, vijoi Papa Françesku. E ne duhet të përgjigjemi me shenjtërimin e jetës, duke e ruajtur dhuratën, që Zoti na e bëri falas, pa marrë mbi vete asnjë meritë:

“Në jetën e zakonshme, në ndërmarrje, në punë, shpesh, për të pasur një pozitë më të lartë, flasim me filan zyrtar, me filan qeveritar, me këtë, me atë..., ‘thuaji shefit të më ngrejë në pozitë...’. Kjo s’është dhuratë; kjo është ambicie. Por të jesh i krishterë, të jesh meshtar, të jesh ipeshkëv, është vetëm dhuratë. E që këtej, kuptohet përvujtëria, që duhet të tregojmë, sepse s’kemi asnjë meritë. Duhet ta ruajmë dhuratën të mos humbë. Jemi vajuar të gjithë nga Zoti, që na zgjedh; duhet ta ruajmë këtë shugurim, që na bëri të krishterë, meshtarë, ipeshkvij. Kjo është shenjtëria. Të tjerat nuk janë të nevojshme. Të kemi përvujtërinë për ta ruajtur dhuratën. E cila është dhurata e madhe e Zotit? Shpirti Shenjt! Kur na zgjodhi, Zoti na dha Shpirtin Shenjt. E ky është hir i pastër. Pa asnjë meritë nga ana jonë”.

Kur harrojmë popullin, e mohojmë dhuratën e Zotit

         Së fundi, Papa theksoi faktin se Davidi u caktua mbret nga Zoti, i cili e zgjodhi në gjirin e popullit, e mori nga grigja e vet.

         “Nëse ne të krishterët e harrojmë popullin e Zotit - edhe atë që nuk beson - nëse ne meshtarët e harrojmë grigjën, nëse ne ipeshkvijtë e harrojmë këtë dhe ndihemi më të rëndësishëm se të tjerët, e mohojmë dhuratën e Zotit. Është njëlloj si t’i themi Shpirtit Shenjt: ‘Shko Ti, shko i qetë në Trininë Shenjte, pusho, se unë ia dal mbanësh vetë’. E kjo nuk është e krishterë. Kjo nuk e ruan dhuratën. Duke pasur parasysh Davidin, t’i lutemi sot Zotit të na japë hirin që ta falenderojmë për dhuratën, që të jemi të vetëdijshëm për këtë dhuratë kaq të madhe e kaq të bukur dhe, që ta ruajmë këtë dhuratë falas, ta ruajmë me besnikëri”.

21 janar 2020, 13:03
Lexo gjithçka >