Kërko

Vatican News
Papa Françesku kremton meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: lutja e thjeshtë, që e mallëngjen Zotin

Zoti është afër nesh, “dhembshuria e Tij merr përsipër problemet, mëkatet, sëmundjet tona shpirtërore”. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e sotëm, që tregon për shërimin e të gërbulurit.

R.SH. - Vatikan

“O Zot, nëse dëshiron, Ti mundesh”. Thirrja e thekshme e të gërbulurit, që Jezusi ta shërojë, është lutje e thjeshtë, “akt besimi” e, njëkohësisht, “sfidë e vërtetë”. Kjo lutje, që vjen nga thellësitë e zemrës, ishte në qendër të homelisë së Papës Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Duke marrë shkas nga Ungjilli i sotëm, që flet për shërimin e lebrozit nga Jezusi, Ati i Shenjtë reflektoi mbi mënyrën se si punon Zoti, me dhembshuri, duke marrë përsipër vuajtjet tona e duke i lehtësuar ato, në emër të dashurisë së Atit Qiellor për çdo njeri.

Sfidë e vërtetë

         Papa vë theksin mbi historinë e tw gërbulurit, duke nënvizuar se pikërisht tek ajo “nëse dëshiron”, gjejmë lutjen, që “tërheq vëmendjen e Zotit”, por edhe zgjidhjen për problemin e lebrozit. “Është sfidë – pohoi Françesku - por edhe akt besimi. Unë e di që Hyji i ka të gjitha mundësitë, prandaj ia besoj vetveten”. I gërbuluri e ndiente se Jezusi ishte i dhembshur e për këtë iu lut. Pikërisht dhembshuria, shpjegoi Ati i Shenjtë, e jo dhimbja, përsëritet shpesh në Ungjill e paraqitet me protagonistë si vejusha e Nainit, Samaritani i Mirë, babai i djalit plangprishës.

         “Dhembshuria të bën pjesëmarrës në vuajtje, vjen nga zemra, ta përfshin atë e të nxit të bësh diçka. Dhembshuri do të thotë të ndiesh dhimbje bashkë me tjetrin, të marrësh mbi vete vuajtjen e tij për të gjetur një zgjidhje, për ta shëruar tjetrin. Ky ishte misioni i Jezusit. Jezusi nuk erdhi të predikonte ligjin e, pastaj, të ikte. Jezusi erdhi me dhembshuri, të vuante me ne e për ne dhe të jepte jetën e vet. Dashuria e Jezusit është kaq e madhe, sa dhembshuria e çoi atë deri në kryq për të dhuruar jetën”.

Krishti nuk i lan duart, por qëndron pranë nesh

         Papa i ftoi të pranishmit të përsërisin gjithnjë “këtë frazë të vogël: “Pati dhembshuri”. Jezusi, shpjegoi Françesku, “ka aftësinë për të marrë pjesë në dhimbjet e në problemet e të tjerëve, sepse erdhi pikërisht për këtë, jo për të larë duart dhe për të bërë tre-katër predikime e për të ikur”, është gjithmonë pranë nesh.

         “‘O Zot, nëse dëshiron, mund të më shërosh; nëse dëshiron, mund të më falësh; nëse dëshiron mund të më ndihmosh’. E, nëse doni, edhe pak më gjatë: ‘O Zot, unë jam mëkatar, ki mëshirë për mua, ki mëshirë për mua’. Lutje e thjeshtë, e cila mund të thuhet shumë herë në ditë. ‘O Zot, unë mëkatari po të kërkoj: ki mëshirë për mua’. Shumë herë në ditë, nga zemra, nga shpirti, pa e thënë me zë të lartë: “O Zot, nëse dëshiron, Ti mundesh; nëse dëshiron, mundesh. Ki dhembshuri për mua’. Përsëriteni këtë”.

Lutje që bën mrekulli

         I gërbuluri, me lutjen e tij të thjeshtë dhe të mrekullueshme, arriti të shërohet falë dhembshurisë së Jezusit, i cili na do gjithmonë, edhe në mëkat, nënvizoi, së fundi, Papa.

“Ai nuk ka turp nga ne. ‘Eh o atë, unë jam mëkatar, si do t’ia them këtë...’ Më mirë! Sepse Ai erdhi pikërisht për ne mëkatarët e sa më shumë të jesh mëkatar, aq më shumë të rri afër Zoti, sepse ka ardhur për ty, mëkatarin më të madh, për mua, mëkatarin më të madh, për të gjithë ne. Le ta bëjmë zakon ta themi këtë lutje, gjithmonë: ‘O Zot, nëse dëshiron, Ti mundesh. Nëse dëshiron, mundesh’, me besimin se Zoti është pranë nesh dhe dhembshuria e Tij do t’i marrë mbi vete problemet, mëkatet, sëmundjet tona shpirtërore, gjithçka”.

16 janar 2020, 13:09
Lexo gjithçka >