Kërko

Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: të refuzosh ftesën e Tënzot është mëkat për të gjithë ne

Zoti na fton në festën e takimit me Të, por nëse refuzojmë, thërret të varfërit dhe të sëmurët nëpër sheshe që të përfitojnë nga darka. Në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku komenton Ungjillin e na nxit të pyesim: “Çfarë preferoj? A e pranoj gjithmonë ftesën e Zotit apo mbyllem në vetvete, në vogëlsinë time?”

R.SH. - Vatikan

Në fragmentin e Ungjillit, propozuar sot nga liturgjia, shën Luka ungjilltar tregon për një njeri, që dëshiron të bëjë një festë të madhe, por të ftuarit, me justifikime të ndryshme, nuk e pranojnë ftesën. Ai dërgon shërbëtorët të thërrasin të varfërit dhe të çalët, që t’ia mbushin shtëpinë dhe të shijojnë darkën. Gjatë meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku tha se ky tregim është përmbledhje e historisë së shëlbimit e, nga ana tjetër, edhe simbol i sjelljes së shumë të krishterëve.

Festa është gëzim e dhuratë

         “Darka, festa, është simbol i parajsës, i amshimit bashkë me Zotin”, shpjegoi Ati i Shenjtë, duke nënvizuar se nuk dihet kë takon në festë, njihen njerëz të rinj, gjinden edhe njerëz, që nuk duan t’i shohë kush, por atmosfera është plot gëzim, pa pasur nevojë të paguash për këtë. Sepse, theksoi Papa, festa e vërtetë duhet të jetë dhuratë: “Zoti ynë na fton gjithmonë kështu, nuk na kërkon ta paguajmë hyrjen. Në festat e vërteta nuk paguhet hyrja: paguan i zoti i shtëpisë, paguan ai që fton”. Por ka nga ata që, edhe përballë dhuratës, vendosin në rend të parë interesat e veta:

         “Përballë asaj dhurate, përballë universalitetit të festës, ka sjellje, që mbyllin zemrën: ‘Unë nuk shkoj. Preferoj të rri vetëm, me njerëzit që më pëlqejnë, i mbyllur’. E ky është mëkat; mëkati i popullit të Izraelit, mëkati i ne të gjithëve. Mbyllja. ‘Jo, për mua është më e rëndësishme kjo se ajo. Jo, e imja’. Gjithmonë, e imja”.

Zgjedhja ndërmjet takimit me Zotin dhe “gjërave të mia”

Ky refuzim, vazhdoi Françesku, është edhe përçmim për atë, që fton, është sikur t’i thuash Zotit: “Mos më shqetëso me festën tënde”. Do të thotë t’ia mbyllësh dyert “asaj, që na ofron Hyji: gëzimin e takimit me Të”:

“E në rrugëtimin e jetës, shpesh do të gjendemi para këtij vendimi, para këtij opcioni: ose dhuratën e Zotit, të shkojmë për ta parë Hyjin e për t’u takuar me Të, ose mbylljen në vetvete, në interesat personale. Prandaj Zoti, duke folur për njërën nga këto mbyllje, thoshte se është shumë e vështirë që një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Qiellit. Por ka edhe të pasur të mirë, të shenjtë, që nuk jetojnë për pasurinë. Veçse, shumica kapen pas pasurisë, mbyllen. Prandaj, nuk mund ta kuptojnë ç’është festa. Kanë sigurinë e gjërave, që mund të preken”.

Të mirë e të këqinj: Zoti i pret të gjithë

Reagimi i Zotit ndaj refuzimit tonë është i vendosur: dëshiron që në festë të thirret çdo lloj njeriu, të sillet, madje, të detyrohet të vijë: të mirë e të këqinj. “Të gjithë janë të ftuar. Askush nuk mund të thotë: ‘Unë jam i keq, nuk mundem...’. Jo. Pikërisht se je i keq, Zoti të pret në mënyrë të veçantë”. Papa kujtoi qëndrimin e babait me djalin plangprishës, që kthehet në shtëpi: djali pati filluar të fliste, por i ati nuk e la dhe e përqafoi. “I tillë është Zoti – nënvizoi Ati i Shenjtë. Është hir falas”. Më pas, duke iu referuar Leximit të parë liturgjik, ku shën Pali apostull kritikon hipokrizinë, Papa Françesku nënvizoi se judenjve, të cilët e refuzonin Jezusin, pasi mendonin se ishin të drejtë, Zoti u pati thënë: “Unë po ju them se prostitutat dhe tagrambledhësit do t’ju paraprijnë në Mbretërinë e Qiellit”. Zoti, vijoi Bergoglio, i do të përçmuarit, por na thërret ne. Para mbylljes sonë, largohet dhe zemërohet, siç thotë Ungjilli i sotëm. E, së fundi, Ati i Shenjtë kërkoi:

“Le të mendojmë për këtë shëmbëlltyrë, që na jep sot Zoti. Si po shkon jeta jonë? Çfarë preferoj? A e pranoj gjithmonë ftesën e Zotit apo mbyllem në gjërat e mia, në vogëlsinë time? T’i lutemi Hyjit për hirin që të pranojmë gjithmonë të shkojmë në festën e Tij, e cila është falas”.

Në meshë, edhe një meshtar 96-vjeçar

         Në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, ishte i pranishëm, ndër të tjerë, edhe një prift 96-vjeçar, që pikërisht sot festoi bashkë me Papën, 70-vjetorin e meshtarisë.

05 nëntor 2019, 13:22
Lexo gjithçka >