Kërko

Vatican News
Papa në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: dhembshuria është gjuha e Zotit

Dhembshuria është si “thjerrë zmadhuese e zemrës”, e cila na bën të kuptojmë përmasat e realitetit, është edhe gjuha e Zotit, ndërsa shumë herë gjuha e njeriut është indiferenca. Për këtë foli sot Papa në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Hapjani zemrën dhembshurisë dhe mos u mbyllni në indiferentizëm. Kjo ishte ftesa e Papës Françesku, gjatë homelisë së meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë reflektoi mbi pjesën ungjillore të liturgjisë së sotme, marrë nga kapitulli VII i Ungjillit sipas Lukës, ku tregohet për takimin e Jezusit me vejushën e Nainit, që vajton për vdekjen e djalit të saj të vetëm, ndërsa po çohej në varr. Ungjilltari, shpjegoi Papa, nuk thotë thjesht se Jezusi pati dhembshuri, por përdor fjalët “u mbush me dhembshuri”, sikur të ishte viktimë e dhembshurisë. Pikërisht për këtë, ai e kupton gjendjen e asaj gruaje, mbetur fill e vetme:

         “Dhembshuria të bën t’i shohësh realitetet ashtu siç janë; dhembshuria është si xhami zmadhues i zemrës: na bën t’i kuptojmë vërtet përmasat. E në Ungjij, Jezusi shpesh mbushet me dhembshuri. Dhembshuria është edhe gjuha e Zotit. Ajo nuk fillon të shfaqet në Bibël me Jezusin: ishte vetë Hyji, që i tha Moisiut ‘E pashë dhimbjen e popullit tim’ (Dal 3,7); është dhembshuria e Zotit, që dërgon Moisiun për të shpëtuar popullin. Zoti ynë është Hyj i dhembshurisë dhe dhembshuria është - mund të themi - dobësia e Zotit, por edhe forca e Tij. Na jep ç’ka më të mirë: sepse ishte dhembshuria, që e shtyu të dërgonte Birin tek ne. Është gjuha e Zotit, dhembshuria”.

Fotografia, që quhet “indiferencë”

         Dhembshuria nuk është keqardhje e thjeshtë, vijoi Papa Françesku, por pjesëmarrje në problemet e të tjerëve, për t’i ndihmuar t’i zgjidhin. Ati i Shenjtë komentoi edhe episodin ungjillor të shumëfishimit të bukëve e të peshqve. Dishepujt, kujtoi, dëshironin të largoheshin bashkë me Jezusin, kur u mor vesh se s’kishte më për të ngrënë, por Biri i Hyjit u tha “Juve jepuni të hanë”, pra, impenjohuni personalisht për të zgjidhur problemin, në kundërshtim të plotë me qëndrimin egoist të tyre:

         “E këtu, nëse dhembshuria është gjuha e Zotit, shpesh, gjuha e njeriut është indiferenca... Një nga fotografët tanë, të gazetës ‘L’Osservatore Romano’, bëri një fotografi, që tani është në Lëmoshtarinë Apostolike. Titulli i saj është ‘Indiferenca’. Kam folur edhe herë të tjera për këtë. Një natë dimri, përpara një restoranti luksoz, një zonjë që jeton në rrugë i shtrin dorën një zonje tjetër, që del nga restoranti, e veshur si s’ka më mirë, por kjo zonja shikon nga ana tjetër. Kjo është indiferenca. Shkoni dhe shikojeni atë fotografi: kjo është indiferenca. Indiferenca jonë. Sa herë shohim nga ana tjetër... E kështu, ia mbyllim derën dhembshurisë. Le ta shqyrtojmë ndërgjegjen: zakonisht, a shikoj nga ana tjetër? Apo e lejoj Shpirtin e Shenjtë të më çojë në rrugën e dhembshurisë? E cila është virtyt i Zotit...”.

Si të shpëtojmë nga indiferenca

         Papa nënvizoi se mallëngjehet kur lexon në Ungjillin e sotëm se Jezusi e lut vejushën e Nainit të mos qajë, prek arkivolin dhe i jep urdhër djalit të ngrihet. Atëherë, i riu çohet dhe fillon të flasë. Ati i Shenjtë theksoi fjalët ungjillore: Jezusi “ia ktheu së ëmës”:

         “Ia ktheu: një akt drejtësie. Kjo fjalë përdoret në drejtësi: ia ktheu. Dhembshuria na çon në rrugën e drejtësisë së vërtetë. Ne duhet t’ua kthejmë gjithnjë, gjithçka, atyre, që e kanë këtë të drejtë e kjo, na shpëton nga egoizmi, nga indiferenca, nga mbyllja në vetvete. Le ta vijojmë kremtimin e Eukaristisë, me këto fjalë: ‘Zoti u mbush me dhembshuri të madhe’. Ai pastë dhembshuri për secilin prej nesh: kemi nevojë për të”.

17 shtator 2019, 13:48
Lexo gjithçka >