Kërko

Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: si martirët, ta lemë Zotin të na ngushëllojë

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa flet për ngushëllimin dhe për martirët e sotëm, si për shembull, koptët e masakruar në bregdetin e Libisë. Ngushëllimi, këshillon, duhet të jetë gjendja e zakonshme e të krishterit. Por, sot, bota e zhduk fjalën “dhembshuri” nga fjalori.

R.SH. - Vatikan

Zoti na ngushëllon me dhembshuri, siç bëjnë nënat kur përkëdhelin fëmijët që qajnë. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku na bën thirrje sot ta lemë Zotin të na ngushëllojë e të mos i kundërvihemi.

Të mos i kundërvihemi dhembshurisë

         Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Isaisë profet (Is 40,1-11), është ftesë për ngushëllim: “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj”, sepse “u shpërblye paudhësia e tij”. Është lajmi i mirë se jemi shpërblyer, vëren Papa. Krishti i Ringjallur, në 40 ditët, që kalon me dishepujt, bën pikërisht këtë: ngushëllon. Por, bota e sotme, thekson Ati i Shenjtë, duket sikur i reziston këtij ngushëllimi hyjnor, duket sikur ndihet më e sigurtë në ujrat e turbullta të problemeve, dëshiron të prekë më parë, pastaj të besojë, ashtu siç bënë dishepujt mëngjesin e Pashkëve. Është frika nga një dështim i ri, vë në dukje Françesku.

Bota e zhduk nga fjalori fjalën “dhembshuri”

         E pastaj, jep një shembull të këndshëm, duke kujtuar fëmijët, që ia afrojnë për t’i puthur, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës. “Disa – komenton Ati i Shenjtë – qajnë me të madhe, sepse më shohin të veshur me të bardha e mendojnë se jam doktori a infermieri, që i ka bërë vaksinat, prandaj, mendojnë: ‘E jo, edhe një tjetër, jo!’”. Edhe ne jemi pak kështu, vëren Papa, megjithëse Zoti kërkon veç ngushëllim për popullin e vet:

         E si ngushëllon Zoti? Me dhembshuri. Është gjuha, që profetët e fatkeqësive nuk e njohin: dhembshuria, ëmbëlsia. Është fjalë, e cila fshihet nga fjalori përmes të gjitha veseve, që na largojnë nga Zoti: vese klerikale, veset e të krishterëve të vakët, që s’duan të lëvizin… Dhembshuria të frikëson. “Ja, Ai, Zoti, ka me vete shpagimin, e para tij shpërblimi”: kështu përfundon pjesa e Isaisë profet. “Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, n’përqafim i mbart; i shikon me kujdes pëllejat”. Kjo është mënyra e Hyjit për të ngushëlluar: me dhembshuri. Dhembshuria ngushëllon. Nënat, kur u qajnë fëmijët, i përkëdhelin dhe i qetësojnë me ëmbëlsi e dhembshuri: fjalë që bota e sotme, faktikisht, i ka fshirë nga fjalori. Dhembshuria.

Ngushëllimi në çastin e martirizimit

Zoti na fton ta lejojmë të na ngushëllojë e kjo na ndihmon edhe në përgatitjen për Krishtlindje. E sot, kujton Papa, gjatë meshës, kërkuam hirin të ngazëllehemi, kur kjo ndodh, me një gëzim të thjeshtë, por të sinqertë:

         Madje, do të thosha se gjendja e zakonshme e të krishterit duhet të jetë ngushëllimi. Edhe në çastet e vështira: martirët hynin në Koloseum, duke kënduar; martirët e sotëm – mendoj për punëtorët koptë në bregdetin e Libisë, që u prenë në fyt – vdiqën duke thënë “Jezus, Jezus!”: ka ngushëllim këtu; ka një lloj gëzimi edhe në çastin e martirizimit. Gjendja e zakonshme e të krishterit duhet të jetë ngushëllimi, që nuk është i njëjtë me optimizmin, jo: optimizmi është diçka tjetër. Ndërsa ngushëllimi është ajo bazë pozitive… Flitet për njerëz plot dritë, pozitivë: pozitiviteti, drita e të krishterit, është ngushëllimi.

Zoti troket në derë me përkëdhelje

         Në çastet e vuajtjes, i krishteri mund të mos e ndjejë ngushëllimin, por nuk mund ta humbasë paqen, “sepse ajo është dhuratë që Hyji” ua jep të gjithëve. Papa kërkon që, në javët para Krishtlindjes, të mos kemi frikë e ta lejojmë Zotin të na ngushëllojë, siç thotë Ungjilli i sotëm:

         Edhe unë të përgatitem për Krishtlindje, së paku, me paqe: me paqen në zemër, me paqen e pranisë Tënde o Zot, me paqen që japin përkëdheljet e Tua. “Eh…po jam shumë mëkatar…”. Po, por çfarë thotë Ungjilli i sotëm? Që Zoti ngushëllon si bariu: nëse humbet ndonjë dele nga të vetat shkon ta kërkojë… Kështu bën Hyji me secilin prej nesh. Po unë nuk e dua paqen, i rezistoj paqes, i rezistoj ngushëllimit… por Ai është tek dera. Troket, që ne ta hapim zemrën për ta lënë të na ngushëllojë e të na japë paqen. E bën këtë me ëmbëlsi: troket me përkëdhelje.

11 dhjetor 2018, 12:45
Lexo gjithçka >