Cerca

Vatican News
 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (ANSA)

Papa në Shën Martë: Zoti është shkëmbi, mbi të cilin mund të ndërtosh pa frikë

E thëna dhe e bëra! Rëra e shkëmbi. Lart e poshtë! Këto, fjalët rreth të cilave u shtjellua homelia e sotme e Papës Françesku gjatë kremtimit të Meshës, në Shtëpinë e Shën Martës.

R. SH. - Vatikan

Në homelinë e Meshës së mëngjesit, Papa Françesku, duke komentuar  fragmentin e sotëm, shkëputur nga Ungjilli i Mateut si dhe Leximin I, nga Libri i Izaisë profet, vuri theksin mbi tre çifte fjalësh, në kontrast me njëra-tjetrën.

Të thuash e të bësh

Grupi i parë: “Të thuash e të bësh”, na kujton dy udhë të kundërta të jetës së krishterë:

“Të thuash është një mënyrë të besuari, por shumë e cekët, gjysëm udhe: unë them se jam i krishterë, por nuk jetoj si i krishterë. Me pak fjalë - është punë truku, trukohesh si i krishterë. Thua, por nuk bën ! Propozimi i Jezusit është konkretësia. Duhet të jesh gjithnjë konkret. Veprat e mëshirës janë konkrete. Nuk mbeten vetem tek e thëna. Bëhen!”.

Rëra e shkëmbi

Edhe çifti i dytë i fjalëve “rërë e shkëmb” të çon në dy drejtime të kundërta. Rëra nuk është e qëndrueshme. Është pasojë e të thënit, jo e të bërit. Truk edhe ky. I atyre, që shtiren si të krishterë, por jetojnë një jetë pa themele. Ndërsa shkëmbi është Zoti:

“Është Ai forca. Shpesh kush beson në Zotin nuk duket, nuk ka sukses, është i fshehur… por është shkëmb. Nuk e mbështet shpresën në të thënën, në kotësinë, në fodullëkun, në pushtetet kalimtare të kësaj jete… Zoti është shkëmbi. Konkretësia e jetës së krishterë na bën të ecim përpara, të ndërtojmë mbi atë shkëmb, që është Zoti, është Jezusi; mbi shkëmbin  e partundshëm të Hyjnisë. Jo mbi dukjet, kotësitë, fodullëkun, rekomandimet… Jo! Mbi të vërtetën!”.

Lart e poshtë

Binomi i tretë, “lart e poshtë”, u kundërvë hapave të krenarëve, të mendjemëdhenjve - hapat e të përvuajturve. Duke kujtuar Leximin I, shkëputur nga Libri i Izaisë profet, Françesku nënvizon se Zoti “I rrokullisi tattëpjetë, ata që banonin lart, e shembi qytetin e lartë, e bëri rrafsh me tokë. E tani mbi të shkelin këmbë. Janë këmbët e të shtypurve, këmbët e skamnorëve”:

“Ky fragment i Izaisë Profet të kujton Magnificat, këngën e Zojës, pas vizitës së Kryeengjëllit: Zoti i larton të përvuajturit, ata që, kur thonë, edhe bëjnë. I shemb përdhe mburracakët, që e ndërtojnë jetën e tyre mbi kotësinë, mbi fodullëkun… këta do të shkelen nën këmbët e të përvuajturve!”.

Pyetje për Kohën e Ardhjes

Në këtë Kohë të Ardhjes - përfundoi Papa - do të na ndihmojnë disa pyetje themelore: “Unë, a jam i krishterë i së thënës, apo i së bërës?”. "E ndërtoj jetën mbi shkëmbin e Zotit, apo mbi rërën e mendësisë së botës, të kotësisë?”. “A jam i përvuajtur? Ec kokulur në jetë, pa krenari e i shërbej kështu Zotit?”. Këto, pyetjet e Papës. Përgjigjja na përket ne, besimtarëve,  nësa përgatitemi për Ditën e madhe, kur Zoti do të lindë përsëri në “Betlehemin” e shpirtit tonë. Për të na pyetur: “Thua, apo bën? Shikon lart, apo poshtë? Ndërton mbi shkëmb, apo mbi rërë?”.

06 dhjetor 2018, 13:38
Lexo gjithçka >