Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: përfundon një qytetërim, që i thotë vetes i krishterë, por në të vërtetë është pagan

Dy lexime, që flasin për shkatërrim e për besim, për disfatë e fitore, këto të liturgjisë së sotme, që Papa Françesku i komentoi në homelinë e Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Me një vërejtje: jeta e krishterë nuk mund të pajtohet me jetën e botës!

R. SH. - Vatikan

Fundi i botës, fund, që do të vijë një ditë për secilin prej nesh: kjo, tema, me të cilën merret liturgjia e javës, duke filluar që sot. E pikërisht për të flasin edhe dy Leximet, komentuar nga Papa Françesku gjatë homelisë, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës. I pari, shkëputur nga Libri i Zbulesës i Shën Gjonit apostull, përshkruan rroposjen e Babilonisë, qytetit të bukur, simbol i mendësisë së botës, i luksit, i fodullëkut, i pushtetit të kësaj bote - kujtoi Papa. Leximi i Dytë, nga Ungjilli sipas Lukës, përshkruan rrënimin e Jeruzalemit, qytetit shenjt.

Rënia e Babilonisë, së korruptuarës

Në ditën e gjykimit, Babilonia do të bjerë e do të ushtojë britma e fitores:  “Lavirja e madhe” do të bjerë, e dënuar nga Zoti e - kujtoi Papa - do të duket sheshit kush ishte në të vërtetë: banesë djajsh, strofull shpirtrash të ndyrë e shpendësh të neveritshëm, sepse me verën e hidhur të fëlligështisë së saj i dehu popujt mbarë. Do të zbulojë korrupsionin, kalbësimin, që e pati fshehur pas  madhështisë; e në festat e saj do të duket lumturia e rreme. Do të jetë e tmerrshme rënia e saj!

"Kurrfarë mjeshtri në të  nuk do të gjendet kurrë më! E s’do të dëgjohet më ushtimë mokret! As dritë pishe në të nuk do të ndrijë! E as zë dhëndri a nuseje të re kurrë më në të s’do të dëgjohet. Pati shumë njerëz. Shumë çifte. Por nuk pati kurrë dashuri”. Ky rrënim i tmerrshëm - kujtoi Papa - nis nga shpirti e përfundon kur Zoti thotë: “Mjaft më!”. E  do të vijë edhe dita kur Zoti do të thotë: “Mjaft më, me dukjet e kësaj bote!”. Kjo është kriza e një qytetërimi krenar, vetëmburrës, diktatorial. Që përfundon kështu.

Jeruzalemi ua hapi portat paganëve

Jeruzalemi - vijoi Papa - do ta shikonte rrënimin e vet për shkak të një  tipi tjetër korrupsioni: “korrupsionit të pabesisë ndaj dashurisë; nuk qe i zoti ta pranonte dashurinë e Hyjit në Birin e Tij”. Qyteti Shenjt “do të rrogomisej” nga paganët, i dënuar nga vetë dora e Zotit, sepse ua hapi portat e zemrës paganëve.

Është paganizmi i jetës kristiane, në rastin tonë. A jetojmë si të krishterë? Na duket se po! Por në të vërtetë, jeta jonë është pagane, kur ndodhin  këto gjëra, kur joshesh nga Babilonia e Jeruzalemi e jeton si Babilonia. Dëshiron të bësh një sintezë, që nuk mund të bëhet! E të dyja do të dënohen. Ti je i krishterë? Je e krishterë? Jeto si i krishterë. Nuk mund të përzjehet uji me vajin. Janë dy gjëra të ndryshme, gjithnjë. Është fund i një qytetërimi kontradiktor në vetvete, që thotë se është i krishterë, por jeton si të ishte pagan.

Shpëtimi i përket kujt beson në Zotin

Duke u rikthyer tek rrëfimi i dy Leximeve, Papa kujtoi se pas dënimit të dy qyteteve, do të vijë shpëtimi: “E engjëlli tha: ‘Ejani! Lum të ftuarit në dasmën e Qengjit!’. Nis festa e madhe, festa e vërtetë!”.

Ka tragjedi edhe në jetën tonë. Përballë tyre duhet parë horizonti, sepse jemi të shëlbuar e Zoti do të vijë të na shpëtojë. E kjo na mëson  të mos i jetojmë provat e botës duke lidhur pakte me botën a me paganitetin, që na çon në rrënim, por me shpresë, larg joshjeve të botës e të paganizmit, duke ua ngulur sytë horizonteve e duke shpresuar në Krishtin Zot. Shpresa është forca jonë: me të shkojmë përpara. Pa harruar se duhet t’ia kërkojmë Shpirtit  Shenjt.

Gjithçka rrënohet: mbeten vetëm të përvujtët

Françesku i fton të gjithë të mendojnë për Babilonitë e kohës sonë, për shumë perandori të fuqishme, për shembull, të shekullit të kaluar, që u shembën. E kështu do të mbarojnë edhe qytetet e mëdha të së sotmes - pohoi - e edhe jeta jonë, nëse do të vijojmë të ecim në këtë udhë paganizimi. E do të mbeten - përfundoi - vetëm ata, që e mbështesin gjithë shpresën në Zotin. Atëhere: “T’i hapim zemrat plot me shpresë e të rrimë larg paganizimit të jetës”.

 

29 nëntor 2018, 14:03
Lexo gjithçka >