Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: jo egoizmit të interesit; rivaliteti dhe kotësia shkaktojnë luftë

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës dhe kujton se në jetë nuk duhet t’i zgjedhim njerëzit sipas interesit, por duhet ta zgjerojmë horizontin e solidaritetit universal.

R.SH. - Vatikan

“Rivaliteti dhe mburrja e kotë” i shkatërrojnë themelet e bashkësive, duke mbjellë përçarje dhe konflikte. Këtë nënvizon Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Duke u nisur nga Ungjilli sipas Lukës (Lk 14,12-14), Ati i Shenjtë dënon “egoizmin e interesit”, duke theksuar se solidariteti falas i predikuar nga Krishti nuk është vetëm për disa të zgjedhur.

“Mos bëni gjëra për interes”

         Mësimi i Krishtit është i qartë: “mos bëni gjëra për interes”, mos i zgjidhni miqtë e shokët mbi bazën e leverdisë. Arsyetimi sipas leverdisë personale, pohon Papa, është “një formë egoizmi, izolimi dhe interesi”, ndërsa mesazhi i Jezusit është krejtësisht i kundërt: gjithçka “falas”, sepse kjo ia zgjeron horizontin jetës, pasi është universale. Ata, që përzgjedhin, janë “faktorë përçarjeje” e nuk favorizojnë unanimitetin, për të cilin u flet Shën Pali filipianëve, në Leximin e parë të sotëm. “Ka dy gjëra, që shkojnë kundër bashkimit – ngul këmbë Papa Bergoglio – rivaliteti dhe kotësia”.

         E, edhe thashethemet lindin nga rivaliteti, sepse shumë njerëz e ndiejnë se nuk mund të ecin përpara, por për t’u ngritur më lart se të tjerët e ulin tjetrin me thashetheme. Është mënyrë për t’i shkatërruar njerëzit. Rivaliteti… E Pali thotë: “Jo. Në bashkësi nuk duhet të ketë rivalitet”. Rivaliteti është luftë për ta shtypur tjetrin. Është i keq, rivaliteti: mund të bëhet haptasi, drejtpërdrejt, ose me doreza të bardha; por gjithnjë, për ta ulur tjetrin e për të ngritur veten. Meqë nuk jam kaq virtuoz, kaq i mirë, atëherë e ul tjetrin, në mënyrë që të dukem më lart se ai. Rivaliteti është rruga për të vepruar sipas interesit.

Mendjemadhësia e shkatërron bashkësinë

         Po aq i dëmshëm është ai, që mburret e i duket vetja më i mirë se të tjerët, vijon Papa Françesku.

         Kjo e shkatërron bashkësinë, shkatërron edhe familjen… Mendoni për rivalitetin ndërmjet vëllezërve për trashëgiminë e lënë nga i ati, për shembull: është diçka, që e dëgjojmë përditë. Mendoni për mendjemadhësinë, për ata, që mburren se janë më të mirë se të tjerët.

Jeta e krishterë lind nga solidariteti falas i Krishtit

         I krishteri, pohon më tej Ati i Shenjtë, duhet të ndjekë shembullin e Birit të Zotit, duke kultivuar solidaritetin falas: të bëjë mirë, pa u shqetësuar nëse bëjnë kështu edhe të tjerët; të mbjellë “unanimitet”, duke braktisur “rivalitetin dhe mburrjen e kotë”. Paqja arrihet me gjeste të vogla, të cilat ndërtojnë një lloj udhe pajtimi, që përshkon botën.

         Kur lexojmë lajmet, që flasin për luftë… le të mendojmë, për shembull, lajmet për urinë e fëmijëve në Jemen, fryt i luftës: është larg, të shkretët fëmijë… po pse nuk kanë të hanë? Po e njëjta luftë bëhet edhe në shtëpinë tonë, në institucionet tona, përmes rivalitetit: aty fillon lufta! E, edhe paqja, duhet nisur në të njëjtën shtëpi: në familje, në famulli, në institucione, në vendin e punës, duke kërkuar gjithnjë unanimitetin dhe pajtimin e jo interesin personal.

05 nëntor 2018, 12:27
Lexo gjithçka >