Kërko

Mesha e Papës Françesku në Shën Martë Mesha e Papës Françesku në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: i krishteri nuk akuzon të tjerët, por veten

Shëlbimi i Krishtit nuk është “kozmetik”, por shndërron. Prandaj, duhet ta pranojmë se jemi mëkatarë e të akuzojmë vetveten, jo të tjerët. Kështu foli sot në mëngjes Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Duhet ta pranojmë se jemi mëkatarë: pa u mësuar të shohim gabimet tek vetvetja, nuk mund të ecim përpara në jetën e krishterë. Ky është mesazhi i Papës Françesku, shprehur sot, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë komenton Ungjillin sipas Lukës (5,1-11), në të cilin Jezusi i kërkon Pjetrit të ngjitet mbi barkë e pasi predikon, e fton të hedhë rrjetat në det. Kështu, ndodh mrekullia e rrjetat mbushen me peshq. Ky episod, vëren Papa, të kujton peshkimin tjetër të mrekullueshëm, atë pas Ringjalljes, kur Jezusi i pyet dishepujt nëse kishin për të ngrënë. Në të dyja rastet, thekson Papa, kemi të bëjmë me “vojimin e Pjetrit”: së pari, si peshkatar njerëzish, pastaj, si bari. Jezusi ia ndryshon edhe emrin, nga Simon në Pjetër e, si “izraelit i mirë” që ishte, Pjetri e dinte se ndryshimi i emrit do të thoshte ndryshim i misionit. Peshkimi i mrekullueshëm shënon hapin e parë në jetën e krishterë të Pjetrit.

Hapi i parë: të pranojmë se jemi mëkatarë

         Vërtet, pasi e pa se rrjetat gati po këputeshin nga peshku, u gjunjëzua para Jezusit, duke i thënë: “O Zot, largohu prej meje, sepse jam mëkatar”.

         Ky është hapi i parë vendimtar i Pjetrit në udhën për t’u bërë dishepull i Krishtit, akuzimi i vetvetes: ‘Jam mëkatar’. Ky është hapi i parë i Pjetrit, por edhe hapi i parë i secilit prej nesh, nëse dëshiron të hyjë në jetën shpirtërore, në jetën e Jezusit, t’i shërbejë Jezusit, ta ndjekë Jezusin… duhet të ndodhë kjo, të akuzojmë vetveten: pa akuzuar vetveten, nuk mund të ecim në jetën e krishterë.

Shëlbimi i Krishtit nuk është kozmetik, por na shndërron

         Por, vijon më tej Papa, ka një rrezik. Të gjithë e dimë se jemi mëkatarë, por nuk është e lehtë ta akuzojmë veten për këtë. “Jemi mësuar të themi: ‘Jam mëkatar’ – vëren Ati i Shenjtë – por, në të njëjtën mënyrë siç themi edhe ‘jam njeri’ apo ‘jam [shqiptar]’. Kur e akuzon veten, duhet ta ndjesh mjerimin tënd, ta ndjesh sa i mjerë je para Zotit, të të vijë turp. E, është diçka që s’bëhet me fjalë, por me zemër, ashtu siç bëri Pjetri kur i tha Jezusit të largohej prej tij, sepse e ndjente veten mëkatar. Fillimisht, nënvizon Papa Françesku, e ndjeu se ishte mëkatar e pastaj, e ndjeu veten të shëlbuar. Shëlbimi i Krishtit ka nevojë për këtë rrëfim të sinqertë, sepse nuk është “kozmetik”, që të ndryshon vetëm pak fytyrën me nja dy penelata, por të shndërron nga brenda.

Të mos flasim keq për të tjerët

         Për t’u shndërruar vërtet, duhet të shohim gabimet brenda vetes e jo të akuzojmë të tjerët, tundim ky, tepër i fortë, theksoi Papa:

         Ka njerëz, që jetojnë për të përfolur të tjerët, për të akuzuar të tjerët e, kurrë s’mendojnë për vetveten… E kur shkoj të rrëfehem, si e bëj këtë, si papagall? “Bla, bla, bla, …kam bërë këtë e atë…”. Po, a ta prek zemrën ajo, që ke bërë? Shpesh, jo! Atëherë shkon atje për pak kozmetikë, për pak grim, që të dalësh më i bukur. Por, zemra jote nuk është prekur plotësisht, sepse ti nuk e ke lënë, pasi s’ke qenë në gjendje ta akuzosh si duhet vetveten.

Hiri për t’u ndjerë mëkatarë konkretë

         Të dish si t’i njohësh e t’i rrëfesh mëkatet është hir, që Papa ia kërkon Zotit në fund të homelisë së meshës në Shtëpinë e Shën Martës:

         Një sinjal, që njeriu nuk di, që një i krishterë nuk di ta akuzojë vetveten, është kur mësohet të akuzojë të tjerët, t’i përflasë ata, të fusë hundët në jetën e të tjerëve. E ky është sinjal i shëmtuar. A bëj edhe unë kështu? Është pyetje e mirë për të arritur zemrën. T’ia kërkojmë sot Zotit këtë hir: hirin për të ndjenjur para Tij të mrekulluar nga kjo prani, si edhe të lutemi për hirin që të ndjehemi mëkatarë, por konkretisht, për të thënë si Pjetri: “Largohu prej meje, sepse jam mëkatar”.

06 shtator 2018, 12:29
Lexo gjithçka >