Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: diktaturat nisin me komunikim të ngarkuar me shpifje

Gjatë Meshës në Shën Martë, Papa kujtoi joshjen e shkandullit dhe pushtetin shkatrrimtar të komunikimit, të ngarkuar me shpifje. Tmerr, që vijon edhe sot.

R. SH. - Vatikan

Kur synohet të shkatërrohen institucionet ose njerëzit, nis përgojimi. Përdoret forca joshëse e shkandullit në komunikim. E pikërisht për t’u ruajtur nga ky komunikim shpifarak tërhoqi vëmendjen Papa, sot paradite, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë.

Të mbrohet trashëgimi i etërve

Reflektimi i Papës u nis nga historia e Nabotit, treguar në Librin e Parë të Mbretërve, propozuar sot si Lexim i Parë. Mbreti Akab kërkon të shtjerë në dorë vreshtin e Nabotit e i premton shumë para. Po Naboti e ruante atë truall si sytë e ballit, sepse e kishte trashëgim prej etërve. Nuk mund të pranonte kurrsesi ta shiste, prandaj. Atëhere, me këshillën e gruas mizore, Jezabelës, Akabi e akuzon  kundërshtarin për dëshmi të rreme, e mbyt dhe ia merr vreshtin. Naboti - vërejti Papa - është martir i besnikërisë ndaj trashëgimisë, gjësë, që ia lanë etërit. E paguan me jetë vreshtin, por nuk e lëshon, sepse ishte trashëgimi që shkonte shumë përtej vreshtit, “trashëgimi e zemrës”.

Martirët u dënuan, duke u bazuar mbi shpifje

Françesku theksoi se historia e Nabotit i ngjet historisë së Jezusit, të Shën Shtjefnit dhe të gjithë martirëve, që u dënuan duke sendërgjuar kundër tyre skenare shpifjesh. Por i ngjet edhe mënyrës si veprojnë shumë njerëz, “shumë krerë shtetesh e qeverish”. Niset me një gënjeshtër e, pasi shkatërrohet me këtë shpifje,  si njeriu, ashtu edhe situata, nis gjyqi e, menjëherë pas tij, vjen dënimi. Me pranga. Por edhe me vdekje!

“Edhe sot, në shumë vende, vijon të përdoret kjo metodë: të shkatërrohet komunikimi i lirë”.

Për shembull, të mendojmë: është një ligj mbi mediat, mbi komunikimin? Shlyhet ky ligj: i gjithë aparati i komunikimit përqendrohet në një dorë të vetme, në dorë të një shoqërie që shpif, që mashtron, që e ligështon jetën demokratike. Pastaj në skenë dalin gjykatësit, që ia nisin gjyqeve kundër institucioneve të ligështuara, kundër njerëzve të shkatërruar, duke i dënuar. E kështu lind e lëshon shtat diktatura! Kështu nisën diktaturat. Të gjitha! Duke e shtrembëruar   komunikimin, për ta shtënë në një dorë të vetme, në dorën e një qeverie pa skrupuj.

Forca joshëse e shkandullit

“Edhe në jetën e përditshme është po kështu - nënvizoi Françesku: nëse dua ta rrënoj një njeri, “ia nis me komunikimin, e shpërralloj, e mbuloj me shpifje,  trilloj gjithfarë shkandujsh”.

E komunikimi i shkandujve është fakt me një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse, është joshje e pakundërshtueshme! Kështu njerëzia joshen nga shkandujt! Lajmet e mira nuk janë ngashënjyese: “Po, gjë e bukur kjo, që paska bërë!”. Kaq.  E kalon… E shkandulli? “Po kjo nuk është parë kurrë! A e shikon ç’ka bërë edhe ky tjetri? Kjo situatë… e padurueshme… E po kështu nuk shkohet përpara”. E shkandulli merr dhenë e ai njeri, që bie në kthetrat e këtij komunikimi, ai institucion, ai vend, përfundon në rrënojë. E në fund të fundit nuk gjykohen  njerëzit. Gjykohen rrënojat, sepse nuk mund të mbrohen.

Persekutimi i hebrenjve

“Joshja e shkandullit në komunikim, çon në shkatërrim. Ashtu si i ndodhi Nabotit, që donte vetëm e vetëm të ruante besnikërisht gjënë e etërve e të mos e nxirte në treg. Shembull në këtë drejtim eshtë edhe historia e Shën Shtjefnit, që mban një fjalim të gjatë për t’u mbrojtur, por atyre që e padisnin, u pëlqeu më shumë ta mbysnin me gurë, sesa të dëgjonin të vërtetën. “Kjo është drama e lakmisë njerëzore” - shpjegoi Papa. Të gjithë njerëzit rrënohen nga komunikimi i mbrapshtë.

Shumë njerëz, shumë vende u shkatërruan nga diktaturat e prapa e shpifëse. Mjafton të kujtojmë diktaturat e shekullit të kaluar. Të mendojmë persekutimin e  hebrenjve, për shembull. Një komunikim shpifës, kundër hebrenjve, e përfunduan menjëherë në Auschwitz, sepse nuk meritonin të jetonin. Oh… po ky është tmerr, Tmerr, që nuk ka përfunduar me Auschwitz-in, tmerr që vijon edhe sot, në shoqëritë e vogla, në jetën e njerëzve, në një mori vendesh! Hapi i parë është të shtiesh në dorë komunikimin, e menjëherë pas vjen shkatërrimi, gjykimi, vdekja.

Ta rilexojmë me vëmendje historinë e Nabotit

Shën Jakobi Apostull flet pikërisht për aftësinë shkatrrimtare të komunikimit të  mbrapshtë - kujtoi në përfundim Papa - duke i nxitur të gjithë ta rilexojnë historinë e Nabotit, në kapitullin 21-të të Librit të Parë të Mbretërve e të mendojnë “për një mori njerëzish të shkatërruar padrejtësisht, në shumë Vende të shkatërruara, por edhe për shumë diktatura “me doreza të bardha”, që i shkatërruan e vijojnë t’i shkatërrojnë vendet e veta e edhe të të tjerëve!

 

18 qershor 2018, 13:27
Lexo gjithçka >